Jep dorëheqje drejtori i Financave në Prizren
Drejtori për Financa në komunën e Prizrenit, Ertan Simitçi, ka dhënë dorëheqje nga kjo pozitë për shkak të një aktakuze nga prokuroria për keqpërdorim të detyrës.
Ai në një konferencë për medie së bashku me kryetarin Mytaher Haskuka, ka falënderuar këtë të fundit për mundësinë që ia ka dhënë për t’u sqaruar për publikun në raport me aktakuzën e ngritur.
Në këtë kontekst, ai ka thënë se ka vendosur të japë dorëheqje nga pozita e drejtorit të Financave për hir të transparencës dhe llogaridhënies. “Kemi pasur angazhim shumë të mirë me stafin e juaj. Por ky rasti i im është rast i veçantë dhe e di që nuk është lidhur me juve, me mandatin e juaj, por me problematikën e Prizrenit. Duhet të marrim një vendim konkret që qytetarët ta dinë që në Prizren gjithherë ka pas transparencë. Nga sot do jap dorëheqje nga detyra ime dhe do lirohem nga të gjitha akuzat dhe do merrem vetëm me këtë proces”, ka thënë Simitçi.
Ndërsa, kryetari i Prizrenit, Mytaher Haskuka e ka quajtur skandaloze ngritjen e aktakuzës ndaj drejtorit të Financave.
Simitçi është duke u akuzuar nga prokuroria se në periudhën janar – dhjetor të vitit 2016 në Prizren, në cilësinë e drejtorit në Drejtorinë për Ekonomi dhe Financa, ka shfrytëzuar autoritetin zyrtar duke u dhënë disa medieve lokale në këtë qytet para në vlerë prej 11 mijë e 800 euro, pa kaluar fare në procedura të tenderimit, të cilat janë të parapara me ligj.
/Epoka e re/