Jep dorëheqje drejtori i KEK-ut, Arben Gjukaj
Drejtori menaxhues i Korporatës Energjetike të Kosovës, Arben Gjukaj, ka dhënë dorëheqje nga posti i tij.
Lajmin për “kallxo.com” e ka konfirmuar kryetari i Bordit të Drejtorëve të KEK-ut, Faruk Hajrizi.
“Sot në mbledhjen e rregullt të Bordit është pranuar dorëheqja me shkrim nga Drejtori Menaxhues z. Arben Gjukaj”, thuhet në përgjigjen e Hajrizit.
“Bordi i Drejtorëve ka aprovuar kërkesën e tij dhe njëherësh ka falënderuar z. Gjukaj për punën 10 vjeçare dhe kontributin e tij dhënë në korporatë gjatë kësaj periudhe duke i dëshiruar suksese në detyrat e reja brenda korporatës”, ka shtuar kryetari i Bordit të Drejtorëve.
Ndryshe, KEK ka shpallur konkurs më 4 dhe 6 prill të vitit 2018 për pozitat, Drejtor Menaxhues, Drejtor Ekzekutiv Financiar dhe Këshilltar i Përgjithshëm/Sekretar i Korporatës.
Kurse, më 24 dhe 28 maj Korporata Energjetike e Kosovës (KEK) ka anuluar konkursin për pozitat, Drejtor Menaxhues, Drejtor Ekzekutiv Financiar dhe Këshilltar i Përgjithshëm/Sekretar i Korporatës.