Jep dorëheqje hetuesi i krimeve të rënda, kishte punuar në rastet më të rënda të pasluftës
E enjtja e fundit e muajit nëntor 2023 ishte e fundit në detyrë për rreshterin Mehdi Kozhani.
Hetuesi i krimeve të rënda në Policinë e Kosovës, ka dhënë dorëheqje të enjten nga kjo pozitë.
Rreshteri Kozhani ka vendosur të ndërrojë profesion. Nga nesër (e premte), ai do të ushtrojë funksionin e avokatit.
I punësuar në Policinë e Kosovës në vitin 2000, Kozhani ka punuar si hetues në Drejtorinë e Krimeve të Rënda nga viti 2005 deri më sot.
Ai është përfshirë si hetues në rastet më të rënda të pasluftës në Kosovë. Ka punuar si hetues në rastin e ish-policit Triumf Riza, të Oliver Ivanoviqit dhe të vrasjes së trefishtë në Gllogjan të Deçanit.
Së fundmi, rreshteri Kozhani kishte marrë pjesë në hetimet e rastit të rrëmbimit të biznesmenit Azem Morina, si dhe rastin Brezovica.
Nga 2014, ai ka ushtruar edhe pozitën e mbikëqyrësit të hetimeve në Policinë e Kosovës.
Para se të punësohej në polici, Kozhani ka shërbyer në Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës në luftën e viteve 1998-99. /Paparaci