Jep dorëheqje James Mattis, njeriu që dha bekimin për formimin e ushtrisë së Kosovës
Sekretari amerikan i Mbrojtjes, James Mattis, i cili i kishte dhënë Kosovës bekimin e Amerikës për formimin e ushtrisë, do të largohet nga posti i tij.
Lajmin e ka bërë me dije përmes një postimi në llogarinë e vet në “Twitter” presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald Trump.
Numri një i Amerikës ka thënë se Mattis do të pensionohet në shkurt të 2019-s.
Ai po ashtu përmes një postimi tjetër ka thënë se shumë shpejt do të emërohet sekretari i ri i Mbrotjes.
Mattis, 68-vjeçar, është një prej figurave më të respektuara në administratën Trump.
Por, ai raportohet të jetë bërë gjithnjë e më kundërshtues ndaj udhëheqjes së presidentit.
Në veçanti, ai raportohet të mos jetë informuar për vendimin e marrë nga Trump të mërkurën, për tërheqjen e trupave nga Siria.
“Ju keni të drejtë të keni një sekretar të Mbrojtjes, pikëpamjet e të cilit janë më në përputhje me tuajat”, i ka thënë Mattis, Trumpit, në letrën e dorëheqjes.