Jep dorëheqje kryeministri i Italisë
Kryeministri i Italisë, Giuseppe Conte, ka thënë se do të jap dorëheqje nga kjo pozitë pas një vendimi nga partia në pushtet për të paraqitur një mocion mosbesimi ndaj qeverisë së koalicionit.
Duke i’u drejtuar parlamentit, Conte ka thënë se do t’ia dorëzonte dorëheqjen presidentit, Sergio Mattarella, i cili do të duhet të vendosë nëse dëshiron të thërrasë zgjedhje të parakohshme, ose të përpiqet të krijojë një koalicion të ri.
Vendimi për të dhënë dorëheqje vjen pas një sulmi të ashpër ndaj partnerit të koalicionit dhe njëherësh ministër i Brendshëm, Matteo Salvini.
Conte ka thënë se Salvini kishte qenë “i papërgjegjshëm” pasi ka krijuar një krize të re politike për Italinë për “interesa personale dhe partiake”.
Salvini, udhëheqësi i partisë nacionaliste të Liga-s, kishte ngritur një mocion mosbesimi kundër z. Conte.
Ai ka thënë se nuk mund të punonte më me partnerët e tij të koalicionit nga partia Pesë Yjet.
Lideri i partisë Pesë Yjet, Luigi di Maio, ka thënë se nuk dëshiron zgjedhje të reja, duke insistuar se reforma për parlament duhet të jetë në qendër të vëmendjes.
Bazuar në sondazhe, partia e Salvinit gëzon dukshëm më shumë përkrahje, kryesisht për shkak të qasjes së tij kundër emigrantëve.
Në zgjedhjet e vitit të kaluar, Lëvizja Pesë Yjet ka fituar dy herë më shumë vota sesa Partia Liga, mirëpo sondazhet parashikojnë se gjendja tani është ndryshe.