Jep dorëheqje kryeministri i Ukrainës
Kryeministri i Ukrainës, Oleksiy Honcharuk, ka dorëzuar dorëheqjen, për shkak të një audio-incizimi, ku ai dyshohet se i nënçmon njohuritë dhe kompetencat ekonomike të vetes së tij dhe të presidentit Volodymyr Zelenskiy.
“Në ditët e fundit, ju të gjithë keni qenë dëshmitarë të ngjarjeve të vazhdueshme rreth incizimeve që kanë rrjedhur në rrjetet sociale”.
“Për të parandaluar dyshimet për respektin dhe besimin ndaj presidentit, kam dorëzuar dorëheqjen te presidenti”, ka shkruar ai në llogarinë e vet në “Facebook”.
Honcharuk ka thënë se audio-incizimet, në mënyrë të rreme, krijojnë idenë se ai dhe ekipi i tij nuk e respektojnë presidentin.
Vërtetësia e audio-incizimeve nuk është konfirmuar ende.
Honcharuk, 35 vjeç, është emëruar kryeministër në gusht.