Jep dorëheqje kryeprokurorja speciale në Maqedoninë e Veriut
Kryeprokurorja speciale e Maqedonisë së Veriut, Katica Janeva, dha dorëheqje pas dështimit të partive politike për një marrëveshje lidhur me propozim-ligjin për punën e kësaj prokurorie.
“Me muaj po i përcjell njoftimet e mediave për bisedimet e grupeve të punës të partive politike për të ardhmen e Prokurorisë Speciale dhe nuk do të lejoj që emri im të përdoret për alibinë e dikujt për mbajtjen peng të fatit të prokurorisë dhe integrimeve evropiane të vendit tim”, ka shkruar Janeva në njoftimin e dorëheqjes.
Ajo ka pohuar se largimi i saj nga ky institucion do të jetë i plotfuqishëm në momentin që partitë do të arrijnë marrëveshjen e pritur, por edhe pas caktimit të pasardhësit të saj.
Katica Janeva, në postin e prokurores speciale ishte emëruar më 15 shtator të vitit 2015, me mbështetje edhe të opozitës.