Jep dorëheqje kryetari i Gjykatës Themelore në veri të Mitrovicës
Kryetari i Gjykatës Themelore në Mitrovicë, Nikolla Kabashiq, ka ofruar dorëheqje nga kjo pozitë.
Këtë e ka konfirmuar zyrtarja për media në Këshillin Gjyqësor të Kosovës (KGJ), Aishe Qorraj.
“Kryetari i Gjykatës Themelore në Mitrovicë, ka paralajmëruar dorëheqjen, mirëpo ende nuk e kemi pranuar zyrtarisht”, ka thënë Qorraj në një përgjigje përmes SMS-it për “Betimi për Drejtësi”.
Më 24 tetor të vitit të kaluar, Presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi kishte dekretuar gjyqtarët dhe prokurorët serbë, në kuadër të zbatimit të Marrëveshjes për Drejtësi, të arritur ndërmjet Kosovës dhe Serbisë në bisedimet e Brukselit.
Ndërsa, më 31 tetor të atij viti, Këshilli Gjyqësor i Kosovës (KGJK), ka zgjedhur Nikolla Kabashiqin, kryetar të Gjykatës Themelore të Mitrovicës, pasi sipas kësaj marrëveshjeje, parashihej që kjo gjykatë të udhëhiqej nga komuniteti serb.
Kurse, nënkryetar i kësaj gjykate ishte zgjedhur Ali Kutllovci.