Sejdi Hoxha jep dorëheqja nga kryetari i Degës së PDK-së në Drenas
Kryetari i Degës së Partisë Demokratike të Kosovës (PDK) në Drenas, Sejdi Hoxha, ka dhënë dorëheqje nga kjo pozitë. Ai lajmin e ka bërë me dije në një shkrim të publikuar në llogarinë e vet në “Facebook”, në të cilin ka treguar arsyet e dorëheqjes.
Hoxha ka thënë se ishte i gatshëm të japë gjithçka nga vetja për ta mbajtur degën e PDK-së unike në këtë komunë por, sipas tij, kjo rezultojë të jetë e pamundur.
“Ka shumë probleme të cilat i tejkalojnë kompetencat e mia si kryetar i degës. Për pasojë, erdhi deri te shpërthimi i shumë pakënaqësive të cilat tashmë janë të njohura për opinionin”, ka thënë ai.
Hoxha ka drejtuar kritika edhe për udhëheqjen e PDK-së në Prishtinë.
“PDK-ja në qendër e ka injoruar dhe e ka neglizhuar situatën e krijuar në Drenas duke mos e trajtuar me seriozitetin që e meriton, prandaj edhe duhet ta mbajë pjesën e përgjegjësisë për këtë situatë. Meqenëse problemet aktuale në degë tejkalojnë kompetencat e mia politike, unë në asnjë mënyrë dhe në asnjë rrethanë nuk do të lejoj qe dega të ndahet pak muaj para zgjedhjeve lokale, sepse kjo do t’u shërbejë vetëm konkurrentëve tanë politikë, askujt tjetër. Prandaj si zgjidhje e vetme e imponuar pa dëshirën time kam marrë vendim që të jap dorëheqje të parevokueshme nga pozita e kryetarit të Degës në Drenas”, ka deklaruar Hoxha, i cili në mandatin e kaluar ka qenë edhe deputet i Kuvendit të Kosovës.
Ai ka thënë se aktivitetin politik në do ta vazhdojë në Këshillin Drejtues të PDK-së, anëtar i të cilit është.
“Do të punoj për ta ngritur dhe për ta fuqizuar PDK-në ashtu siç e dëshirojnë qindra e mijëra aktivistë dhe simpatizantë të PDK-së në mbarë vendin”, është shprehur Hoxha.
Ai ka theksuar se lidershipi i PDK-së nuk duhet të shantazhohet para asnjë individi kushdo qoftë ai. Sipas Hoxhës, çdo vendim i marrë nën presion apo shantazh është vendim jo i drejtë dhe i dëmshëm për partinë, si dhe lëkund besimin e strukturave dhe të qytetarëve te lidershipi i PDK-së.
“Besoj fuqishëm në kthimin e shpejtë të liderëve tanë nga Haga. Kthimi i tyre do të krijoj stabilitet më të madh politik dhe do ta fuqizojë PDK-në. Do të krijojë mundësi të barabarta për të gjithë, duke respektuar kontributin dhe meritokracinë e secilit individ”, ka thënë Sejdi Hoxha.