Jep dorëheqje kryetarja e Madridit
Kryetarja e rajonit të Madridit në Spanjë, Cristina Cifuentes, ka dhënë dorëheqje pas akuzave për vjedhje të një supermarketi, vetëm pak javë pasi ishte akuzuar se kishte falsifikuar diplomën e masterit.
Cifuentes e ka cilësuar si një sulm personal publikimin e një videoje të vitit 2011, që shfaqte atë teksa i dorëzonte disa sende të vjedhura në supermarket një roje sigurie.
Pretendohet se në atë vjedhje, ajo kishte marrë pa paguar dy kuti kremi antiplakje që kushtonin 40 euro.
Gjithashtu është thënë se 53-vjeçarja kishte dorëzuar diplomën e masterit javën e kaluar, ku ishte zbuluar se dy firmat e hedhura në dokument ishin falsifikuar.
Ajo gjatë një konference për medie ka thënë se kishte planifikuar të jap dorëheqje javën e ardhshme, por kishte vendosur ta bënte më herët në kundërpërgjigje të akuzave më të fundit të ngritura ndaj saj.