Jep dorëheqje presidenti i Afrikës Jugore
Presidenti i Afrikës Jugore, Jakob Zuma, ka dhënë dorëheqje, pas presionit intensiv nga partia e tij.
Në këtë mënyrë ka përfunduar periudha prej nëntë vitesh e presidencës së tij.
Në deklaratën televizive, Zuma mbrëmë vonë ka thënë se tërhiqet menjëherë, por ka theksuar se nuk pajtohet me vendimin e partisë Kongresi Kombëtar Afrikan (ANC), që ka kërkuar që presidenti 75-vjeçar të tërhiqet ose në të kundërtën ballafaqohet me votim të mosbesimit në parlament.
Pritet se president i ardhshëm do të jetë lideri i partisë ANC dhe zëvendëspresidenti i deritashëm, Cyril Ramaphosa.
Zuma, ish-anëtar i krahut ushtarak të ANC në periudhën e aparteidit, ishte president prej vitit 2009.
Ai largohet nga presidenca me disa skandale prapa, përfshirë akuza për korrupsion. (Rel)