Jep dorëheqje presidenti i Algjerisë
Presidenti i Algjerisë, Abdelaziz Bouteflika, ka dhënë dorëheqje pasi me javë të tëra janë mbajtur protesta kundër rikandidimit të tij.
Bouteflika, i cili ka qenë në pushtet për 20 vjet, ka anuluar planin që të kërkojë një mandat të pestë, ndërsa kundërshtimi ndaj sundimit të tij është rritur.
Ushtria e fuqishme algjeriane kishte bërë thirrje që 82-vjeçari të shpallet i paaftë për kryerjen e detyrave të tij.
Buoteflika ishte sëmurë para gjashtë vjetësh dhe shumë rrallë është shfaqur në publik që prej asaj kohe.
Ai ka bërë një paraqitje të rrallë në televizionin shtetëror për të hequr dorë nga kandidimi i sërishëm, disa orë pasi shefi i ushtrisë, gjenerali Ahmed Gaed Salah, i ka bërë thirrje atij që të largohej menjëherë nga zyra.
Pas kumtimit të lajmit për dorëheqjen e tij, qindra njerëz kanë festuar në rrugët e kryeqytetit duke kënduar dhe valëvitur flamurin kombëtar.
Sipas kushtetutës, kryetari i Senatit duhet të marrë përsipër detyrën e kreut të përkohshëm të shtetit derisa të mbahen zgjedhjet e reja.