Jep dorëheqje shefi i bankës më të madhe të Danimarkës
Shefi ekzekutiv i bankës më të madhe të Danimarkës ka dhënë dorëheqje pas akuzave se dega e saj në Estoni është në qendër të një skandali të madh të pastrimit të parave.
“Është e qartë se ‘Danske Bank’ nuk ka arritur të mbajë përgjegjësinë e saj në rastin e pastrimit të mundshëm të parave në Estoni”, ka thënë shefi ekzekutiv, Thomas Borgen, derisa ka njoftuar për dorëheqjen.
Një hetim i brendshëm i akuzave se miliarda euro, para të pastruara nga Rusia dhe shtetet e tjera ish-sovjetike kanë rrjedhur përmes degës së bankës në Talin, ka konstatuar se “shumica” e transaksioneve në periudhën 2008-2015 kanë qenë “të dyshimta”.
Banka me seli në Kopenhagë ka theksuar se nuk është në gjendje të japë “një vlerësim të saktë të shumës së transaksioneve të dyshimta, të bëra nga konsumatorë jorezidentë në Estoni”, por ka deklaruar se rrjedhja totale në degën estoneze është rreth 200 miliardë euro – nëntë herë më shumë se bruto-prodhimi i brendshëm i Estonisë më 2017.
Këto transaksione kanë mbuluar rreth 15 000 llogari, 6 200 prej të cilave, sipas “Danske Bank”, “kanë indikacionet më të larta të rrezikut”.