Jep dorëheqje Xhavit Drenori
Xhavit Drenori ka dhënë dorëheqje nga pozita e asamblistit në Kuvendin Komunal të Drenasit.
Ai ka thënë se thënë se këtë vendim e ka bërë për shkak të shumë parregullsive në këtë Kuvend Komunal.
Megjithatë, Drenori ka thënë se i vjen keq nga votuesit e tij. Ai ka thënë se vendin e tij si asamblisti i Vizionit për Drenasin do ta zë Gentrit Gërguri.
Njoftimi i plotë i Drenorit:
I nderuar Kryetar,
I nderuar Kryesues,
Të nderuar kolegë, anëtarë të Kuvendit Komunal,
Shumë të respektuar qytetarë të Komunës së Drenasit,
Ligji për Vetëqeverisjen Lokale e përkufizon statusin ligjor të komunave duke e përcaktuar Kuvendin Komunal si organin më të lartë të Komunës që përbëhet prej anëtarëve të tij të zgjedhur.
Pa dyshim se të qenit anëtar i organit më të lartë të komunës së Drenasit nga viti 2013 për mua përbën një nder dhe privilegj, por para së gjithash edhe përgjegjësi para qytetarëve të komunës sonë e posaçërisht para votuesve të mi.
Votën e tyre e konsiderova gjithmonë si “kontratë” për të shërbyer në emër të tyre për interesat e përgjithshme dhe të gjithëmbarshme të të gjithë qytetarëve të Komunës sonë në Kuvendin e Komunës.
Gjatë kësaj periudhe të gjatë të punës në Kuvendin Komunal, unë si anëtar jam përpjekë me përkushtim të madh që të jem vazhdimisht aktiv e i angazhuar në ushtrimin e të gjitha funksioneve dhe kompetencave të anëtarit të Kuvendit, duke ndikuar në ecurinë e mbarë të punëve të qeverisjes komunale.
Prioritet kisha para se gjithash që qytetarin t’a ofroj sa më afër vendimmarrjes komunale. Këtë provova ta bëj qoftë me publikime të vazhdueshme të informatave të rëndësishme komunale në llogaritë e mia në rrjete sociale dhe media, në takime të përhershme me qytetarë, të cilat për periudhën 2013 deri më sot ishin mbi 250 të tilla në gjithë territorin e Komunës sonë si dhe me raportin vjetor që ua dërgova bashkëfshatarëve të fshatit tim shtëpi për shtëpi në çdo fundvit.
Përmes formimit të Komisionit për monitorimin e projekteve në terren në vitin 2015, Komision ky mbipartiak dhe gjinor, i përbërë nga anëtarë të Kuvendit Komunal, takuam dhe me marrëveshje paraprake me të gjithë kryetarët e fshatrave u koordinuam që të monitorojmë punët gjatë zhvillimit të projekteve infrastrukturore në terren dhe më pas rreth punës se këtij Komisioni patëm raportuar në Kuvendin e Komunës, përfshirë edhe rekomandimet e nevojshme.
Në kuadër të studimeve të mia post-diplomike, qeverisjes lokale në Drenas, respektivisht punës së Kuvendit të Komunës, gjatë vitit 2015 i pata bërë edhe një studim shkencor të cilin e pata publikuar në rrjetet sociale, e që rekomandimet e tij fatkeqësisht kurrë nuk u morën seriozisht, qoftë nga kryetari i kaluar apo i tashmi.
Përkundër faktit se që nga ardhja e kryetarit Lladrovci në pushtet është shtypur dhe stërkequr zëri opozitar në Kuvendin e Komunës, unë vazhdimisht i kam qëndruar besnik betimit të anëtarit të Kuvendit dhe detyrave të tij, duke kontribuar në mbledhjet e Kuvendit, në monitorimin e vazhdueshëm të gjendjes në terren dhe zbatimit të vendimeve të Kuvendit Komunal. Përkundër dallimeve në pikëpamje politike me kryetarin dhe partinë që ka shumicën në Kuvendin Komunal, gjithnjë kam qenë dorë e shtrirë për bashkëpunim në çështje të interesit të përgjithshëm dhe po ashtu kritik i paepur në çështjet që kanë të bëjnë me interesa personale, nepotiste dhe korruptive, qasje kjo që mendoj se do të duhej të aplikohej nga të gjithë!
Mirëpo, gjatë punës dhe rrugëtimit tim politik janë ndërlidhur edhe rrethana e pengesa që e kanë pamundësuar efikasitetin tim më të madh në dobi të votuesve që ma kanë dhënë votëbesimin dhe gjithë qytetarëve të Komunës sonë, e këto pengesa apo defekte janë shfaqur sidomos me ardhjen në pushtet të kryetarit të ri, e të cilat janë:
1. Degradimi i funksionit të Kuvendit Komunal nga ana e Kryetarit, sidomos shkelja e vazhdueshme e Rregullores së Punës së Kuvendit Komunal duke ndërprerë arbitrarisht fjalën e anëtarëve të Kuvendit.
2. Moslejimi i hedhjes në votim të propozimeve të anëtarëve të Kuvendit Komunal për propozim-vendime, gjë që ka bërë që të shkelet e drejta themelore e tyre për të dhënë kontributin e tyre mbështetur në kompetencat e përcaktuara me Ligjin për Vetëqeverisjen Lokale.
3. Ndërhyrja e vazhdueshme në punën e Kryesuesit të Kuvendit Komunal, gjë që ka rezultuar me ndikim dhe diktat të drejtpërdrejtë në mbarëvajtjen e punës së Kuvendit Komunal, duke shkelur kështu në mënyrë flagrante Rregulloren e punës së Kuvendit Komunal.
4. Mosaplikimi i votimit elektronik (me kartela) sado që kjo është teknikisht e mundshme, duke ndikuar me këtë veprim në mostransparencë dhe llogaridhënie të secilit anëtarë të Kuvendit Komunal për votën e tyre për, kundër apo abstenim lidhur me vendimet e marra në Kuvend. Kjo përben madje shkelje elementare të të drejtave tona, sepse asnjëri nga ne kësisoj nuk mund ta verifikojmë në çdo kohë votën tonë për vendime të caktuara.
5. Moslejimi i formimit të Komisioneve monitoruese me antarë të Kuvendit Komunal për dikastere të caktuara psh.: vlen të përmenden dy komisionet e kërkuara vitin e kaluar, ai për arsim dhe urbanizëm dhe këtë vit Komisioni për pronën komunale, duke ua pamundësuar kështu anëtarëve të Kuvendit qasjen direkte në gjendjen faktike në këta sektorë, dhe
6. Moszgjatja e kontratës për mediumin lokal, duke ndikuar që punimet e Kuvendit Komunal të mbesin në terr informativ e mediatik për qytetarët dhe me këtë transparenca, llogaridhënia dhe komunikimi me votuesit (qytetarët) ka marrë goditje të rëndë.
Përkundër mungesës së vullnetit të mirë dhe konstruktiv për tejkalimin e këtyre defekteve dhe pengesave të qëllimta për dekurajimin e zërit të anëtarëve të Kuvendit Komunal, e sidomos atij opozitar, megjithatë, edhe në këto rrethana kemi arritur sado-kudo që të instalojmë një mentalitet dhe frymë të guximit qytetar dhe opozitarizmit kritik, frymë kjo e cila nuk mund të ndalet apo ndrydhet me kurrfarë autoritarizmi apo kërcënimi nga pozita e pushtetit superior.
Konsideroj që edhe në këto rrethana kam përmbush një pjesë të vështirë të misionit dhe parimeve të mia politike, prandaj sot para jush jap dorëheqje të parevokueshme nga pozita e anëtarit të Kuvendit Komunal nga radhët e Vizionit për Drenasin dhe vendin tim e zë anëtari i radhitur me më së shumti vota z. Gentrit Gërguri, duke sjellë frymën e rinisë progresiste dhe proaktive në këtë Kuvend nga radhët e Vizionit për Drenasin.
Kërkoj ndjesë nga votuesit e mi besnik, por fuqia e votës së tyre nuk më ka dhënë fuqi më të madhe politike që të përmbush në tërësi projektin dhe programin tim politik në dobi të qytetarëve të Drenasit, prandaj ato synime do t’i përmbush me aktivitetin tim politik e shoqëror në forma dhe aspekte tjera të angazhimit, gjithnjë në të mirë të qytetarit e për reforma të qeverisjes lokale, kundër krimit, korrupsionit, nepotizmit e dukurive të shëmtuara shoqërore, që na kanë lënë kaq mbrapa dhe pothuajse na e kanë humb perspektiven për të ardhmen e ndritur të këtij vendi. Ky do të jetë kapitull i ri në jetën dhe angazhimin tim shoqëror, për çka do të jeni me kohë të informuar!
E di që kjo dorëheqje nuk zgjidh gjërat që s’kanë shkuar si duhet, por është kurajo dhe moral politik imi, që dëshmon përgjegjësi dhe vetëdijësim e jo dobësi dhe dorëzim, prandaj më bën të ndihem mirë. Mbyllja e këtij kapitulli të rëndësishëm në jetën time, hapë një kapitull tjetër po aq premtues dhe pozitiv.
Për rrugëtimin tim politik nuk mund të mos përmend dhe falënderoj të gjithë bashkëpunëtorët, sidomos Afrim Berishën dhe Xhevdet Shehun, njëri u rrah dhe tjetrit ju organizuar pritë për atentat, dhe të gjithë bashkëpunëtorët e mi tek Vizioni për Drenasin për besimin, dedikimin dhe përkushtimin në rrugën aspak të lehtë politike si subjekt i ri ! Gjithmonë do të jem pranë jush në çfarëdo forme të mundshme!
Posaçërisht ju falënderoj juve kolegë, anëtarë të Kuvendit Komunal, që shumëherë kemi polemizuar e debatuar, mirëpo kurrë si armiq, vetëm si kundërshtar politik në ballafaqim idesh e mendimesh për të mirën e qytetarit. Jo pse janë parime e angazhime të miat jetësore, por ideja e barazisë qytetare, prosperitetit ekonomik e shtetit ligjor herët a vonë, me apo pa Xhavitin, do të triumfojë dhe do të jetë baza e perspektivës së shtetit tonë të ri!
Juve ju uroj shumë suksese dhe ju falënderoj për vëmendjen e Juaj!
Xhavit Drenori
Drenas, më 29.03.2018