Jepen 2.3 milionë euro për përmirësimin e rrjetit të Ngrohtores Qendrore në Prishtinë
Ministri i Financave, Bedri Hamza, dhe drejtori i zyrës së KfW-së për Kosovë, Rene Escheman, kanë nënshkruar të enjten marrëveshjen “Përmirësimi i rrjetit të Ngrohtores Qendrore në Prishtinë” për zgjerimin e rrjetit të “Termokos”-it në vlerë prej 2.3 milionë eurosh.
Pjesëmarrës në këtë marrëveshje ishte dhe e ngarkuara me punë në Ambasadën e Luksemburgut Anne Dostert, si dhe përfaqësues të Ndërmarrjes së “Termokos”-it dhe Ambasadës Gjermane.
Pas nënshkrimi të marrëveshjes ministri i Financave, Bedri Hamza, ka thënë se kjo marrëveshje u nënshkrua me para pa kthim apo siç iu referua ai “para fal”. “Kjo marrëveshje është me para pa kthim apo siç unë zakonisht i quaj para fal që janë nga Luksemburgu. Me këtë rast falënderoj Qeverinë e Luksemburgut dhe taksapaguesit e ati vendi”, ka thënë Hamza, duke shtuar se falë kësaj marrëveshje qytetarët e Prishtinës do të kenë rregullisht ngrohje dhe cilësi më të lartë të ngrohjes. “Qytetarët e Prishtinës e din si ka qenë gjendja para projektit të kogjenerimit dhe si pas. Deri më tani nga buxheti i Kosovës janë ndarë 20 milionë euro subvencione me qëllim të përmirësimit të furnizimit me ngrohje”, ka thënë Hamza.
Kurse Anne Dostert nga Ambasada e Luksemburgut, ka thënë se ndihet e nderuar që falë bashkëpunimit dhe ndihmës së tyre është mundësuar që nga 6 orë furnizim sa kishin qytetarët e Prishtinës, të kenë 24 orë furnizim me ngrohje. “Jam shumë e kënaqur që jam sot këtu për të filluar një fazë të re të bashkëpunimit me qëllim të përmirësimit të ngrohjes në Prishtinë. Më kujtohet që në fillim kur kemi filluar bashkëpunimin me ‘Termokos’, ka qenë veç 6 orë në ditë ngrohja me një nivel të ulët. Përpara kanë pas 6 orë ngrohje tani kanë 24 orë dhe më parë sipas statistikave qytetarët ishin të kënaqur vetëm 8%, kurse sot kjo shifër është 94%. Sa herë i lexoj këto të dhëna jam e impresionuara”, është shprehur Dostert.
/Epoka e re/