I jepet lamtumira e fundit luftëtarit të UÇK-së
Me nderime të larta ushtarake sot është varrosur veterani i UÇK-së dhe ish i burgosuri politik, Hajdin Rama në varrezat e dëshmorëve në Kleçkë.
Në ceremoninë e varrimit morën pjesë edhe personalitete të larta politike dhe drejtues të institucioneve të shtetit të Kosovës, të cilët vlerësuan lart kontributin dhe sakrificën e Hajdin Ramës për liri dhe pavarësi.
Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli, ka thënë se bacën Dinë e ka njohur në vitet e 90-ta i cili ka qenë i vendosur për të realizuar qëllimin e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës.
“Sot ne do ndahemi nga një ndër bashkëluftëtarët e veçantë, në fakt si bashkëluftëtar ndarjet e tilla janë të rënda për vet faktin se ndahemi nga njerëzit që kanë dhënë shumë për lirinë dhe në të njëjtën kohë e kanë dashur shumë tokën e vet. Baca e Dinë, sot do t’i bashkëngjitet edhe komandant Plakut, Xheladinit, edhe bacës Nesë. Po i përmendi edhe këta dy bashkëluftëtarë, të cilët kanë qenë po aq si baca Dinë, kanë vepruar bashkërisht në të njëjtën kohë kanë pasur kontributin për liri dhe shtetin tonë të pavarur dhe sovran”, ka thënë Veseli.
Ish-bashkëluftëtari i Ramës, deputeti i PDK-së, Nait Hasani ka deklaruar se Rama i dha zemër dhe fuqi luftës së UCK-së, i cili ishte njeri i fjalës dhe besës që ishte rritur me vuajtje, të cilat kurrsesi si duronte.
Sipas tij, Rama mezi priste t’i bashkohet luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
“Shtëpia e tij ishte bazë e fortë e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës nga ku merrnim vendim, vepronim në koordinim të UÇK-së dhe luftës sonë për liri. Daja Dinë në burg gëzonte respekt të madh dhe të veçantë nga të gjithë të burgosurit, sepse ai ishte simbol i frymëzimit, i qëndresës për të gjithë të burgosurit…Tani pusho i qetë daja Dinë, ti i përket përjetësisë së kombit tonë. Amanetin tënd e kemi të përbashkët për ta nderuar Kosovën në tokën e bekuar nga Zoti. Lavdi veprës”, ka thënë Hasani.
Edhe kryetari Komunës se Drenasit Ramiz Lladrovci, vlerësoi lart kontributin dhe veprën e luftëtarit të UÇK, Hajdin Rama. Sipas tij, sot Drenasi, Drenica dhe Kosova humbi një nga bijtë më të devotshëm, bacën Dinë.
“Ish i burgosuri dhe veterani i ditëve të para të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Hajdin Rama do të mbetet në kujtesën e të gjithë atyre që njohën dhe dëgjuan për qëndresën kundër serbëve dhe gatishmërinë për t’u ballafaquar me armë kundër armikut shekullor”, ka thënë Lladrovci.