“Jepni për nënën!”

23 prill 2021 | 09:35

Berat Armagedoni

 

Sot është ditë e veçantë dhe e madhe për gjithë letërsinë botërore.

Është Dita Ndërkombëtare e Librit dhe e të Drejtës së Autorit.

Është dita për të cilën për librin dhe për institucionet e kulturës duhen thënë disa fjalë.

Fjalë të zgjedhura e të pazgjedhura për drejtuesit e institucioneve, sidomos për ata të Shqipërisë e pak edhe për të Kosovës.

Pandemia Covid-19, edhe pse qe dhe vazhdon të jetë e vrazhdë dhe të mos ndalë as një ditë armëpushimin me mjekët dhe njerëzit e infektuar dhe të shëruar, veprimtarinë krijuese në Kosovë nuk ka arritur ta dërrmojë, ta dëmtojë dhe ta varfërojë. Pandemia vetëm i ka motivuar krijuesit të shkruajnë dhe botuesit të botojnë libra. Sipas të dhënave të Bibliotekës Kombëtare të Kosovës, në vitin 2020 u pajisën me barkod 2020 botime në Kosovë, kurse në këtë vit, që nga 1 janari e deri më 23 prill 2021, nga kjo bibliotekë u pajisën me barkod rreth 900 botime, 80 për qind e tyre pa përkrahjen e asnjë institucioni të kulturës, të arsimit, të shkencës dhe të teknologjisë. Pra, për librin në Kosovë është dhënë përkrahje shumë e vogël. Është dhënë sadaka. Shumë pak është dhënë për librin e gjë s’është dhënë për autorin, asnjë metelik për autorët e mirë, të njohur e të mirënjohur.

Në këtë vit, kur do të duhej të merreshin për shembull të mirë institucionet evropiane të kulturës, pse jo edhe Maqedonia e Veriut që prioritet në Ministrinë e Kulturës ka librin maqedonas dhe përkthimin e tij në një gjuhë tjetër, ata që i bëjnë ose i bënin politikat kulturore në Kosovë kanë filluar të marrin model të keq të kulturës në Shqipëri, e cila kurrqysh nuk i trajton as autorët, as botuesit.

“Mëmë” Shqipëria, me një Qendër të Librit dhe të Leximit, publikon kopertina të librit dhe fotografi të autorëve në “Facebook” dhe nganjëherë organizon disa takime me shkrimtarë për të cilët nuk bën asnjë gjë të mirë Ministria e Kulturës. Kjo Qendër e Librit dhe e Leximit ka varfëruar veprimtarinë botuese atje, kurse Ministria e Kulturës e Shqipërisë vazhdon të bëjë diskriminim ndër shqiptarë. Nuk përkrah asnjë botim të autorëve të viseve të tjera shqiptare, pastaj as nuk furnizon bibliotekat publike me libra të rinj nga botuesit e Kosovës, të Maqedonisë, të Malit të Zi e nga botues të tjerë. Domethënë, interesimi i saj për librin shqip s’ekziston. Më shumë interesohet Maqedonia e Veriut për librin shqip sesa Shqipëria! Tmerr! Më shumë përkrah botimin e librit shqip Maqedonia e Veriut sesa Shqipëria, me të cilën Kosova që njëzet e dy vjet nuk merret vesh. Tmerr! Ja pra, shqiptarët s’merren vesh as për libra! Kanë ardhur dhe kanë shkuar shtatë-tetë ministra të Kulturës të Kosovës e po kaq të Shqipërisë, janë nënshkruar dhjetëra aktivitete në “kalendarin kulturor” dhe dhjetëra bashkëpunime e s’kanë bërë as pesë aktivitete të përbashkëta që njëzet e dy vjet dy institucionet e kulturës. Kosova po, ama Shqipëria s’ka bërë gjë për ngjarjen më të rëndësishme që shënohet në këtë ditë – për librin dhe për autorët. Edhe para Valtonit, edhe pas Memlit, Kujtimit, Kujtimit tjetër, Vlorës e pas kujt jo tjetër, kam kërkuar që Ministria e Kulturës e Kosovës, në memorandumet që nënshkruan me Ministrinë e Kulturës të Shqipërisë, ta bëjë të obligueshme për Ministrinë e Kulturës të Shqipërisë blerjen e botimeve të botuesve nga Kosova. S’e kanë bërë asnjëri ministër i Kulturës i Kosovës këtë marrëveshje sepse pala tjetër s’ka qenë e interesuar për botimet e Kosovës. S’është as sot. Por, kur “mëma” s’bën marrëveshje me hatër, duhet me zor, me reciprocitet: na blej libra, të blejmë libra. Ajo “mëmë”  është e interesuar vetëm që botimet e Shqipërisë t’i shesë sa më shumë në Kosovë. Një statistikë të saktë të shitjes të librave të Shqipërisë në Kosovë nuk mund ta jap, por të përafërt po: bibliotekat e Kosovës pajisen me botime të Shqipërisë për çdo vit në vlerë 200 000.00 euro. Së këndejmi, libri i botuar në Kosovë depërton në Shqipëri vetëm individualisht. Domethënë, për këtë bashkëpunim botues-librar duhet të interesohen vetë botuesit, se shteti s’lodh kokën për librat dhe autorët e Kosovës. Tre-katër botues të tjerë të Kosovës, përpos në panairin e librit të përvitshëm, nuk kanë dërguar libra më as deri në Kukës. S’kanë faj, se ta këputin trupin  dhe ta shqyejnë xhepin doganierët në Morin derisa t’i kalosh librat matanë kufirit.

Dëshiroj, por edhe shpresoj, se “mëma” do ta ndiejë nevojën e furnizimit me libra të Kosovës ashtu siç e ndiejmë ne për librat e saj.

P. s.:

Në këtë ditë të librit dhe të autorëve, meqë jam me prejardhje nga Klina, për Drejtorinë e Kulturës të Komunës së Klinës shtëpia botuese “Armagedoni” do të dhurojë 500 ekzemplarë të librave, të autorëve shqiptarë dhe të huaj. Do të dhurojmë libra edhe për Drejtorinë e Kulturës të Komunës së Prishtinës edhe këtë vit ashtu sa dhuruam, në bashkëpunim me autorë, edhe vjet.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Gjykata e Apelit në Prishtinë ka anuluar aktgjykimin e Gjykatës…