Jesusi nuk është i lumtur me vendimin e Guardiolës
Manchester Cityt iu akordua një penallti në favor, në minutën e 85-të të ndeshjes së të dielës, përmes së cilës pati shansin të fitojë në “Anfield” dhe t’i shkaktojë humbjen e parë Liverpoolit në këtë kampionat. Por, goditja e Riyad Mahrez nga pika e bardhë nuk ishte e saktë.
Në fakt, sulmuesi brazilian, Gabriel Jesus, deshi ta merrte përsipër përgjegjësinë e ekzekutimit të 11-metërshit, por trajneri Pep Guardiola udhëzoi Mahrez që ta gjuante atë. “Unë do të doja ta kisha gjuajtur penalltinë, isha i sigurtë. Nuk isha i lumtur që nuk më lejuan”, tha Jesus. Mahrez ka dështuar të shënojë pesë herë nga tetë penalltitë e tij të fundit në Premier League, ndërsa Jezus ka humbur dy nga tri penalltitë e tij të fundit për Manchester City. Goditësi i rregullt i penalltive te “qytetarët”, Sergio Aguero, ishte jashtë fushe në atë kohë, pasi ishte zëvendësuar.
Gabriel Jesus, i cili ka shënuar dy gola në këtë sezon, zbuloi se Guardiola i kërkoi falje pas ndeshjes: “Pep foli me mua, kjo është pjesë e futbollit. Nganjëherë këto gjëra ndodhin, do ta mbështes Riyad, nëse trajneri e zgjedh atë përsëri”.
Nga ana e tij, Mahrez, i cili ka shënuar tre gola, që kur është bashkuar me Manchester City (ardhur nga Leicester City në verë), u shpreh: “Humbja e penalltisë është pjesë e futbollit, duhet të shikosh përpara dhe të qëndrosh i fortë. Ndonjëherë shënon, herë pas here edhe gabon. Ishte një barazim i mirë, por meritonim të fitonim”. /Telesport/