Jeta dhe mundësitë në pavijonin e Burgut të Dubravës, aty ku mbahen të dënuarit për terrorizëm

31 tetor 2024 | 08:15

Të dënuarit për terrorizëm të cilët mbahen në Burgun e Dubravës kanë mundësinë të ndjekin një trajtim shumë specifik. Përmes këtij trajnimi zhvillohen programe edukimi dhe ri-socializimi, program ky që është adoptuar në Burgun e Dubravës për të menaxhuar të dënuarit që vuajnë dënimin për veprat penale të terrorizmit.

Në një ndërtesë disa katëshe në Dubravë e cila ka kapacitet për të strehuar rreth 50 të burgosur, jetojnë 10 të dënuar për terrorizëm.

Ata janë burgosur për ngjarje të ndryshme dhe gjatë qëndrimit kanë mundësi interesante për të kaluar kohën dhe për të marrë trajnime profesionale.

Afër qendrës është biblioteka, salla e sportit dhe kurset profesionale të cilat mund t’i ndjekin të dënuarit.

Vite më parë Shërbimi Korrektues i Kosovës vendosi që të ndajë të burgosurit për terrorizëm në një hapësirë të veçantë, në të cilën ata ndjekin programet e dizajnuara veçanërisht për trajtimin e tyre.

Trajtimi realizohet nga një program të dizajnuar enkas në të cilin janë përfshirë psikologu i burgut, psikiatri dhe punonjësi social i burgut.

Përgjegjësit e burgut konfirmojnë se programet janë tërësisht vullnetare dhe të burgosurit vendosin me vullnetin e tyre për të qenë ose jo pjesë e trajtimeve që ofrohen.

Qendra Korrektuese e Dubravës është burg i tipit të mbyllur e cila ofron mbajtjen e të burgosurve të cilët janë të dënuar nga 3 muaj deri në 15 vite dënim me burgim.

Në Qendrën Korrektuese të Dubravës momentalisht janë të vendosur 10 të dënuar me burgim për vepra penale që kanë të bëjnë me terrorizmin.

Kjo qendër sipas zyrtarëve të këtij institucioni ka kapacitete në korrektimin e më shumë se 30 personave të dënuar për terrorizëm.

Brenda institucionit janë gjithsej 9 objekte të cilat njihen si pavijone, ndërsa në njërin prej pavijoneve mbahen të dënuarit për vepra penale të terrorizimit.

“Ne e kemi edhe një pavijon të ndarë nga të tjerët që i kemi  vendosur personat e dënuar për terrorizëm dhe ekstremizëm qysh prej vitit 2017”, thotë Sami Gashi, drejtori i burgut.

Menaxhimi i zemërimit, sipas Muhamet Dervishajt, punëtor social që punon direkt me të burgosurit, është një program në të cilin kalon një i burgosur, në të cilin mbahen seanca e trajtohen problemet dhe në fund një person certifikohet nëse ka rezultate të kënaqshme apo jo.

Përmes këtij trajnimi qëllimi është që të përkrahen të dënuarit me arsyen e përballimit të situatave konfliktuoze në mënyrë sa më të lehtë.

Përmes këtij programi synohet që të përmirësohen sjelljet e të burgosurit për të ardhmen e tij pas përfundimit të dënimit, të përballen dhe të pranojnë gabimet të cilat i kanë bërë.

“Faza e fillimit ose faza e pritjes është fazë e psikologut ndërsa mbajtja e dënimit dhe faza para lirimit është fazë e zyrtarëve social, ku krejt fokusi ynë është që ata me i çu drejt shkëputjes nga radikalizmi“, thotë zyrtari social, Muhamet Dervishaj.

Një person i dënuar gjatë vuajtjes së dënimit mund që të ushtrojë veprimtari të ndryshme prej të cilave mund të përfitoj duke u certifikuar në fusha përkatëse.

Certifikimi i një të burgosuri mund të bëhet si gjellëbërës, kuzhinier, furrtarë, saldues, hidroinstalues, elektricist, zdrukthëtar, ndërtimtar dhe të tjera.

Përpos objekteve në të cilat mbahen të burgosurit, kjo qendër përcillet edhe me objekte të cilat janë si shkolla, teatro, salla të sportit dhe punëtoritë të cilat të burgosurit mund t`i shfrytëzojnë që të punojnë. Në mesin e programeve është edhe ndjekja e shkollimit në shkollat profesionale dhe pajisja me diploma për ë dënuarit.

Të dhënat e SHKK-së tregojnë që pjesa më e madhe e të burgosurve të dënuar për terrorizëm janë kthyer në jetën normale dhe nuk janë ri-arrestuar.

Në programet e trajnimit sipas SHKK-së ka pasur edhe kurse për saldues dhe mekanik të cilat u kanë ndihmuar të burgosurve që në ditët e para të daljes nga puna të nisin punën jashtë burgut.

Madje zyrtarët përmendin dy raste të suksesit kur të burgosurit kanë nisur bizneset e tyre të cilat janë financuar nga programe të përkrahura nga  donatorët. /Kallxo

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Gazetari dhe shkrimtari nga Beogradi Tomislav Markoviq ka dalë me…