Ky bashkim djallëzor do të shkaktonte një zemërim të madh tek shqiptarët. Në fund të shtatorit 1880, Abdyli ndodhet në Stamboll. Prej këtej, me kërkesën e Lidhjes ai niset për në Shqipëri drejt Prizrenit, Gjakovës, Lumës e Dibrës. La Stambiollin për të njohur gjendjen dramatike të shqiptarëve dhe ofensivën e Malit të Zi për të pushtuar Plavën dhe Gucinë, të cilat përfunduan me fitoren e armëve të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit. Në këtë kohë vorio-epiristët dhe knjazët malazias i kërkonin Portës së Lartë zbatimin e Traktatit të Berlinit. Por, Lidhja Shqiptare e Prizrenit i detyroi malaziasit të tërhiqen nga Plava dhe Gucia. Ministri i jashtëm grek deklaronte se pas kësaj lufte qëndronte Abdyl Frashëri. Pajisja e Lidhjes Shqiptare me ushtri të rregullt, e alarmoi Stambollin. Në këto rrethana Porta e Lartë shtoi vendosmërinë për vendosjen e autoritetit të saj mbi Shqipërinë. Por, kur Porta e Lartë forcoi egërsinë, rezistenca shqiptare u kthye në një revolucion të armatosur në pjesën më të madhe të Kosovës. Në këtë revolucion u përfshi edhe vilajeti i Shkodrës, i Janinës dhe i Manastirit. Rrezja e luftimeve u shtri deri tek shqiptarët e Stambollit.
Qeveria osmane, e ndodhur përballë rezistencës së armatosur të shqiptarëve, nisi të sprapsej. Kryeministri turk, Said Pasha, e kuptonte që krijimi i një vilajeti shqiptar do të sillte një autonomi të plotë të Shqipërisë. Prandaj, mendoi të krijonte një bashkësi tjetër djallëzore, që do ta quante “Elajet i Rumelisë” i cili do të komandohej nga mareshalli Ahmet Ejup Pasha, i cili do të nisej menjëherë në Shqipëri për të ulur tensionin e rebelimit të shqiptarëve ndaj Perandorisë. Abdyl Frashëri, duke kuptuar synimin djallëzor të këtij bashkimi turkoshak, e kundërshtoi menjëherë, sepse qëllimi ishte moslejimi i krijimit të një vilajeti autonom shqiptar. Në këtë kohë, ai nisi punën për bindjen e shqiptarëve se krijimi i shtetit shqiptar do të kalonte vetëm përmes një vilajeti autonom shqiptar. Prandaj, ai i propozoi qeverisë turke që të paktën “Elajetin” e propozuar prej tyre ta drejtonte Ahmet Muhar pasha, i cili ishte zotuar fshehurazi se do ta ndihmonte Shqipërinë për bashkimin e saj. Ndërsa, më 21 maj të vitit 1880, në mbledhjen me shqiptarët e vilajetit të Janinës, u zotua se do të kërkonte me forcë njohjen e autonomisë së Shqipërisë. Pas kësaj mbledhjeje, ai shkoi në Frashër ku erdhën të gjithë patriotët dhe luftëtarët e Jugut, të cilët u betuan se në frontin e luftës për Shqipërinë do të bashkoheshin 1500 luftëtarë.
Në këtë kuvend, Abdyl Frashëri do të shprehej për herë të parë fuqishëm për krijimin e një qeverie të përkohshme shqiptare, e cila do të merrte në dorë fatet e jetës politike dhe do të vihej në krye të një lufte të armatosur kundër Portës së Lartë. Këtë ide thelbësore të çështjes shqiptare Abdyl Frashëri do ta bënte të njohur për luftëtarët shqiptarë edhe në Gjirokastër e Janinë. Kur ai shkoi në Janinë, Konferenca e Berlinit kishte vendosur copëtimin e Shqipërisë, vendim që e kishte firmosur nipi i Ali Tepelenës, Hajredin Pasha. Por, shqiptarët, me në ballë Abdyl Frashërin, u shprehën njëzëri: “Më mirë të vdesim të gjithë, sesa të pranojmë copëtimin”.
Abdyl Frashëri nuk hiqte dorë nga krijimi i qeverisë së përkohshme shqiptare. Në këto kushte, si vendin më të përshtatshëm për zhvillimin e Kuvendit Ndërkrahinor të Janinës, Abdyli zgjodhi Margëlliçin e Çamërisë, ku burra e gra u betuan se do të luftonin me dogra në dorë, nën komandën e luftëtarit Jakup Çapari. Në këtë kohë, fatkeqësisht, kishte triumfuar ideja austro-hungareze që në vend të një vilajeti të vetëm autonom shqiptar, të krijohej një “krahinë autonome katolike”. Kuvendi i Gjirokastrës jo vetëm që e hodhi poshtë këtë propozim djallëzor, por vendosi që edhe aneksimin e Ulqinit nga malaziasit ta kundërshtonte me armë.
Qeveria e Përkohshme e formuar nga Abdyl Frashëri do të kishte dhe një Kushtetutë, e cila do të garantonte sigurinë e personit, një administratë shqiptare dhe ushtrinë e saj të armatosur. Në kushtetutë vërtet do të sigurohej sovraniteti i sulltanit, por ai do të kufizohej shumë.
Ishte koha kur Lidhja Shqiptare e Prizrenit dhe lëvizja e armatosur do të lidhej ngushtë me emrin e Abdyl Frashërit. Ai tashmë njihej edhe si shpirti kryengritës i shqiptarëve. Në këto kushte, Porta e Lartë, e ndodhur para presionit të luftëtarëve shqiptarë, vendosi të përdorë dhunën për aneksimin me forcë të Ulqinit. Kjo dhunë i pezmatoi luftëtarët shqiptarë. Ishte koha kur edhe forcat e errëta çifligaro-reshpere shqiptare kishin minuar nga brenda aksionin e armatosur të Abdyl Frashërit. Në këto kushte të vështira, ai thirri në Dibër, më 20 tetor 1880, Kuvendin e Përgjithshëm të Lidhjes Shqiptare. Tashmë, kishte marrë fuqinë e udhëheqësit të revolucionit çlirimtar shqiptar, në luftë kundër pushtuesve ballkanikë dhe Portës së Lartë.
Burgosja dhe izolimi i plotë i Abdyl Frashërit, si udhëheqës i revolucionit shqiptar
Lidhja Shqiptare e Prizrenit e mbylli veprimtarinë e saj, ditët e fundit të vitit 1881, pikërisht kur Abdyl Frashëri, ideatori dhe frymëzuesi i saj, kishte rënë në kurthin e arrestit në kasollen e lundërtarit të Buqsit. Në këtë ditë të zezë për shqiptarët, shkruan historiani i madh Kristo Frashëri, Lidhja Shqiptare e Prizrenit mbylli historinë e saj të lavdishme trevjeçare. Qeveria e Përkohshme Shqiptare, e krijuar dhe drejtuar nga Abdyli, nuk i bëri dot ballë ushtrisë osmane. Kryengritja shqiptare, e izoluar në Kosovë, e minuar nga reaksioni i brendshëm dhe e bllokuar nga jashtë, ishte kthyer në dramë. Frashëri u arrestua vetëm një javë më pas, nga dita kur revolucionit popullor të shqiptarëve i pati ardhur ora fatale. Porta e Lartë kishte vendosur ta shuante sa më parë idenë e autonomisë shqiptare. Gjenerali Dervish Pasha kish nisur ta shtrinte dhunën barbare në katër vilajete. Të gjithë autonomistët i arrestoi dhe i syrgjynosi larg. Lajmi i arrestimit të Abdyl Frashërit u përhap rrufeshëm kudo.
Ai u mbajt mbyllur në bodrumet e Kalasë së Prizrenit. Abdyli u gjykua nga një gjyq special, i organizuar nga Dervish Pasha. Ai akuzohej si armik i Perandorisë Osmane, i cili synonte cenimin territorial të saj. Akuzohej edhe si agjent i të huajve. Dervish Pasha kishte përgatitur edhe dëshmitarë të rremë për ta akuzuar, se ai paskësh detyruar shqiptarët të marrin pjesë në luftë për mbrojtjen e trojeve të veta. Por, ishin të shumtë luftëtarët të cilët në gjyq deklaruan hapur se në luftë kishin shkuar me ndërgjegje të plotë, për t’i shërbyer Atdheut. Megjithatë, Abdyl Frashërin gjyqi e dënoi me vdekje, duke e quajtur atë udhëheqësin kryesor të revolucionit popullor për bashkimin e shqiptarëve në një vilajet të vetëm. Për shkak të frikës që osmanët ndjenin nga popullariteti që Abdyl Frashëri gëzonte tek shqiptarët, Porta e Lartë nuk e miratoi dënimin kapital të tij, duke e kthyer atë në dënim të përjetshëm. Dënimin Abdyli e vuajti në burgun famëkeq të Prizrenit, nga 10 maji i vitit 1881 e deri më 31 maj të vitit 1884. Jeta në këtë burg ishte një skëterrë, përherë në pranga, në lagështirë të madhe dhe plotësisht i izoluar.
Aty ai shkroi edhe kujtimet e tij, që bien erë dhimbjeje dhe trishtimi. Situata e nderë që po kalonte Perandoria Osmane në këtë periudhë, e detyroi të bënte një amnisti për pjesëmarrësit e shqiptarëve në Lidhjen Shqiptare, por fatkeqësisht emri i Abdyl Frashërit përjashtohej nga kjo amnisti. Me kërkesën këmbëngulëse të bashkëshortes së tij, Ballkëzes, drejtuar sulltanit Abdyl, Frashëri me urdhër të këtij të fundit internohet bashkë më shoqen larg atdheut, në Anadoll, pa pasur të drejtë që të shkel në Rumeli. Më 31 maj të vitit 1884, Abdyli, së bashku me Ballkëzen, u nisën drejt Vilajetit të Marmarasë, në pjesën verilindore të Azisë së Vogël. Pas tri vitesh, me interesimin e disa shokëve dhe miqve të tij, ai falet, por me kusht që të qëndronte i izoluar në Stamboll dhe të mos merrej më me politikë. Aty ai jetoi gjashtë vjet, por shëndeti i tij, fatkeqësisht, sa vinte dhe përkeqësohej. Në vitin 1887, me ndihmën e miqve dhe të shokëve të tij, Abdyli u zgjodh anëtar i Këshillit Bashkiak në një nga lagjet e Stambollit, ku u bë e mundur të merrte një rrogë për të përballuar shpenzimet familjare dhe të shëndetit. Ishte koha kur ai, edhe pse ishte shumë i sëmurë, kishte rinisur të hartonte disa memorandume, si ai drejtuar Françesko Krispit i cili në këtë kohë ishte bërë kryeministër i Italisë. Në këtë memorandum ia kujton atij gjakun shqiptar që i lëvrinte në kapilarë dhe përgjegjësinë që duhet të ndjente për të ndihmuar Shqipërinë, sepse, siç thekson ai në këtë memorandum: “Shqipëria e meritonte pavarësinë më shumë se çdo komb tjetër ballkanik”.
Abdyl Frashëri, edhe kur ndodhej i sëmurë, në shtratin e vdekjes, kishte bindjen se Lëvizja Kombëtare Shqiptare nuk do të shuhej kurrë. Synimi saj final ishte Pavarësia e Shqipërisë. Prandaj, kancelarive evropiane u drejtohej me këto fjalë: “Çështja e Lindjes nuk mund të zgjidhet kurrë, nëse Evropa nuk merr parasysh fatin e Shqipërisë. Shqiptarët janë betuar solemnisht: ‘Më mirë të vdesim të gjithë, se sa ta lëmë Atdheun në duart e pushtuesve’”.
Abdyl Frashërin nuk e trembën as burgimet e as internimet e izolimet më të largëta. Ishte sëmundja e rëndë, shkruan Sami Frashëri, që e dërmoi jetën e Abdyl Frashërit. Kandili i tij u shua më 23 tetor të vitit 1892, në Stamboll, në moshën 53-vjeçare, kur ende kishte shumë për të bërë për Shqipërinë dhe shqiptarët. Ja ç’thotë, mes të tjerash, Sami Frashëri për vëllanë e tij të madh, Abdylin: “Abdyli kishte një zgjuarsi të jashtëzakonshme. Ai shquhej për zellin e madh në punë dhe në luftë. Tërë jetën luftoi për të mirën e atdheut dhe të shqiptarëve. Ishte i lidhur ngushtë me familjen dhe miqtë e shokët e vet. Vdiq duke na dhënë këshilla të urta dhe duke na ushqyer me fjalë burrash”.
Abdyl Frashëri u varros me nderime në një lagje të Stambollit. Sot ai prehet në trojet e Atdheut të tij të shtrenjtë, për të cilit ai punoi e luftoi tërë jetën. Ndaj mban dhe titullin e lartë “Hero i Popullit”. Vepra e tij ishte dhe mbeti e madhe, sa dhe madhështia e emrit të tij. Ka pasur, jo vetëm shqiptarë, por edhe të huaj që shembullin heroik të Abdyl Frashërit në shërbim të çështjes kombëtare shqiptare, herë e kanë quajtur utopi dhe herë marrëzi. Historia ka fiksuar faktin se, kur Abdyl Frashëri ndodhej i shoqëruar nga xhandarët, i lidhur me pranga, u ndesh me një konsull të huaj me të cilin më parë kishte bërë debate rreth dobisë së luftës së Lidhjes Shqiptare të Prizrenit. Për ta trembur e ironizuar, ky konsull i drejton atij këtë pyetje cinike: “Çfarë bëre me idetë e tua”!? Ndërsa, Abdyl Frashëri me zgjuarsi dhe pa iu trembur syri ia ktheu: “Si mund t’i thuash bujkut çfarë bëre, kur mbjell farën në arë. Sot fara nuk duket, por do të mbijë. Në mos ne, do ta korrin brezat e ardhshëm. Shqipëria do të bëhet”!