Jeta e vështirë e muzikantëve profesionistë të Mbretërisë së Bashkuar

15 shtator 2023 | 08:53

Nga: Ben Lawrence / The Telegraph

Kush do të donte të ishte muzikant profesionist në këtë kohë? Një sondazh për muzikantët i publikuar këtë javë në bashkëpunim me Unionin e Muzikantëve dhe me shoqatën e bamirësisë “Help Musicians”, raportoi disa statistika dëshpëruese të cilat me siguri do të jenë penguese në rritjen e brezit të ardhshëm të talenteve.

Pika më shqetësuese është se muzikantët paguhen shumë keq. Një mostër prej gati gjashtë mijë vetëve zbuloi se paga mesatare është prej 20 700 funteve [24 mijë euro] – afërsisht e barabartë me pagën minimale – ndërsa 43 për qind e tyre fitojnë më pak se 14 000 funte [pak më shumë se 16 mijë euro]. Muzikantët që njoh janë një grup elastik, gjithmonë i aftë në adoptimin e një stili lara-lara të jetesës që kërkon mësimdhënie dhe punësime të tjera alternative, për të ndihmuar në rritjen e të ardhurave të tyre të pakta (kjo vlen sidomos për botën jashtë muzikës klasike). Për më tepër, sondazhi zbuloi se 81 për qind e tyre mendojnë se do të punojnë ende në këtë industri, edhe pas pesë viteve – një shenjë kjo ndoshta se muzika ende shihet si profesion.

Por, a nuk është fyes ky nivel i të ardhura? Shumica e atyre në këtë industri janë të arsimuar në nivelin e diplomës dhe kanë ekspertizën që duhet paguar. Gjithashtu, shumë prej tyre kanë më shumë talente në gishtin e tyre të vogël sesa unë në gjithë trupin tim. Sigurisht që ai talent vlen diçka: për shembull, në fushën e atletikës elitare mund të fitosh diku nga 50-100 mijë funte në vit [nga 58-116 mijë euro].

Megjithatë, duhet të përballemi me faktin se në përgjithësi ka shumë pak para në art. Teksa sponsorizimet sportive duken të shumta, ka një numër të kufizuar filantropësh në Mbretërinë e Bashkuar. Në Amerikë, ku artet paguhen, situata është shumë më ndryshe. Sot lexova se Filarmonia e Nju-Jorkut është shpërblyer me 40 milionë dollarë [mbi 37 milionë euro] nga bashkëkryesuesi i saj Oscar L Tang dhe nga gruaja e tij Agnes. Prandaj, është fakt se paga mesatare amerikane për një muzikant është dukshëm më e lartë se në Mbretërinë e Bashkuar [mbi 49 mijë euro] – megjithëse një rrëmujë e fundit në Orkestrën Simfonike të San Franciskos, në lidhje me pagën, tregon se as atje gjërat nuk janë aq mirë.

Diku tjetër, subvencionet shtetërore ndihmojnë në zbutjen e situatës. Në Gjermani, ku muzika është e përfshirë në kulturë, interpretuesit shpeshherë punësohen me kohë të plotë, kështu që nevoja për të punuar në ekonominë e rrezikshme të koncerteve, nuk është aq e madhe. Dhe, përsëri, paga mesatare është shumë më e mirë, e vlerësuar në rreth 51 mijë euro.

Në Britani gjendja ka qenë gjithmonë brutale për muzikantët. Kur orkestra kinematografike u shpall e tepërt, pas ardhjes së tingullit të incizuar, një brez i tërë i muzikantëve humbën pagat për mbijetesë dhe nuk pati asnjë ndihmë për ta. Thjesht, u pranuan si viktimë e progresit. Megjithatë, nuk ka dyshim se industria po kalon në një periudhë veçanërisht të vështirë. Po mbyllen lokacionet për koncerte dhe makthi burokratik i marrjes së vizave do të thotë se jeta e një solisti, i cili tradicionalisht është paguar më shumë, nuk është ajo që ishte para Brexit-it.

Ndërkohë, me rritjen e kostos së jetesës, po bëhet e pamundur të përballosh bukën e gojës në një industri që kryesisht ka Londrën si qendër. Jo që industria e transferuar do të funksiononte, sepse thjesht nuk ka infrastrukturë për muzikantët që të gjejnë punë të qëndrueshme në qytetet dhe në qyteza e tjera. Jashtë Mbretërisë së Bashkuar – në Itali, për shembull – shpesh mund të shohësh krenarinë qytetare që bën që një orkestër të marrë shpërblime fiskale nga mbështetësit që në thelb duan që trupa e tyre lokale të jetë më e mirë se e kujtdo tjetër. Mund të jem i gabuar, por nuk mund të imagjinoj ndonjë rivalitet midis orkestrës Hallé dhe Filarmonisë të BBC-së.

Pra, çfarë hapash po ndërmerren për të përmirësuar çështjet? Sindikata e Muzikantëve ka thënë se do të vazhdojë të luftojë për norma më të mira të pagave. Kabineti i Hijes – që ka një numër të muzikantëve – duhet të reagojë dhe të ofrojë disa sugjerime.

Ka zgjidhje praktike. Mund të fillojmë të kërkojmë që yjet britanike si Adele dhe Stormzy, të japin para për koncertet dhe për orkestrat tona të muzikës. Sidoqoftë, është e qartë se shërbimet e transmetimit munden dhe duhet të bëjnë më shumë. Vitin e kaluar Apple lansoi shërbimin e tyre (të shkëlqyer) të muzikës klasike, shumë të nevojshëm në një epokë kur muzikantët klasikë vetë duhet t’i paguajnë kompanitë e regjistrimit pasi, për të mbuluar kostot, nuk fitojnë mjaftueshëm nga shitjet e CD-ve.

Shërbimet e tilla, si nga Apple, duhet të vendosin kontribute më të arsyeshme për artistët dhe t’ia hedhin një sy asaj që po ndodh në Francë: një lajm i rrallë i mirë për industrinë e muzikës. Javën e kaluar, u njoftua se Deezer kishte arritur një marrëveshje me kompaninë Universal Music, që do të ndryshojë rrënjësisht ekonominë e transmetimit të muzikës. Sipas kushteve të reja, pritet që pagesat për artistët profesionistë të rriten me 10 për qind, ndërsa paratë që do të shkojnë për amatorët dhe botët – që së bashkua vlerësohet të kenë gjeneruar 900 milionë dollarë honorare në vitin e kaluar – do të reduktohen.

Këtë verë, ndoqa tri ose katër koncerte të rokut dhe një duzinë të klasikëve të BBC-së [Proms]. Çdo ambient ishte i mbushur për befasi – të paktën për mua – gjë që konfirmon se pas koronavirusit është kthyer oreksi për koncerte; por, është për keqardhje që ata që na japin kaq shumë kënaqësi, nuk mbështeten më shumë. Më e keqja, në edukimin artistik dominon muzika: është e vetmja disiplinë që ka Plan Kombëtar në Mbretërinë Bashkuar. E gjithë kjo do të jetë e kotë nëse nuk mund të sigurojmë jetesë të mirë për muzikantët e së ardhmes. /Telegrafi/

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Nga: D Fox Harrell, profesor i medieve digjitale, informatikës dhe…