Jeta Rafuna: Zëri juaj është inspirimi im
Kandidatja e Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Jeta Rafuna, ka zyrtarizuar kandidaturën e saj për deputete në zgjedhjet e ardhshme, duke theksuar përkushtimin e saj për ndryshim dhe përfaqësim të drejtë në Kuvendin e Kosovës.
Në një postim publik, Rafuna u shpreh se vendimi i saj për të kandiduar vjen si rezultat i një përgjegjësie të madhe ndaj qytetarëve dhe vendit.
Ajo vuri në pah përvojën e saj të deritanishme në Kuvendin Komunal të Kryeqytetit, ku ka shërbyer për dy mandate, dhe ambicien për të sjellë zgjidhje konkrete për sfidat e përditshme të qytetarëve.
“Dua t’i jap zë atyre që nuk dëgjohen mjaftueshëm,” u shpreh Rafuna, duke theksuar se përfaqësimi i drejtë dhe krijimi i politikave të dobishme do të jenë në thelb të angazhimit të saj politik.
Me thirrjen për mbështetje dhe bashkëpunim, Rafuna premtoi të jetë një zë i fuqishëm në Parlament dhe theksoi rëndësinë e “Rrugës së Re” të promovuar nga lideri i LDK-së, Lumir Abdixhiku.
Zgjedhjet priten të mbahen më 9 shkurt, ndërsa Jeta Rafuna fton qytetarët që ta mbështesin në këtë rrugëtim drejt ndryshimi.