Jeta sedentare dhe lufta ndaj saj
Doruntina Grulaj
Pas zhvillimit të teknologjisë dhe inovacionit, pasiviteti është bërë pjesë përbërëse e jetës sonë, duke filluar nga telekomandat, ashensorët, makinat, pajisjet shtëpiake moderne, edhe pajisjet e tjera elektronike të cilat janë duke ndikuar në shëndetin e njeriut. Jeta sedentare është një mënyrë jetese e rrezikshme që po na shoqëron në shekullin 21, e cila thuajse ka sjell ndryshime në gjithçka.
Jeta sedentare nënkupton një stil jetese pa shumë lëvizje, pa aktivitet fizik, duke qëndruar më shumë ulur. Kjo edhe ka ndikime negative në shëndetin e njeriut, përcjell me shqetësime, më pas me çrregullime mendore, duke filluar me stresin, ankthin, depresionin, sepse aktivitetet fizike kanë një rëndësi të veçantë në reduktimin e stresit dhe sjellin relaksim të muskujve dhe ndikojnë në humor apo disponim të njeriut.
Kur flasim në diskutimet tona të përditshme kuptojmë se shumica e personave që njohim, përveç punës dhe obligimeve të tjera, nuk krijojnë një rutinë ditore për veten dhe shëndetin e tyre, dhe më pas sigurisht kuptohet se do të kemi paraqitje të çrregullimeve shëndetësore, sëmundjeve të rënda vdekjeprurëse. Një jetë sedentare mund të çojë në shumë sëmundje dhe çrregullime të tjera si:
Mungesa e aktivitetit fizik, i cili kontribuon në rritjen e peshës trupore, duke shkaktuar edhe probleme të tjera në trupin e njeriut, të cilat mund të jenë të shumta dhe të ndryshme.
Ecja ndihmon në forcimin e zemrës dhe qarkullimin e gjakut, kurse mosangazhimi në aktivitet fizik ndikon në rritjen e rrezikut me sëmundje kardiovaskulare.
Duke qëndruar gjatë në një pozicion të ulur e kemi parasysh se mund të ndikojë direkt në dhimbjen e shpinës, qafës dhe dobësimin e muskujve.
Aktivitet e pakta fizike mund të na sjellin edhe sëmundje të tjera siç kemi diabetin, çrregullimin e metabolizmit, rritjen e yndyrës në gjak etj.
Që të ruajmë shëndetin është e rëndësishme të merremi vazhdimisht me aktivitete fizike, ushtrime të lehta, ecje në natyrë ose, thjesht, në vendin ku jetoni dilni ecni. Një shëtitje së paku 30 minuta ndihmon në relaksimin e muskujve dhe trurit dhe na mban larg sëmundjeve të shekullit, të cilat janë me fatalitet.
Kur ktheheni nga puna mos qëndroni me orë të tëra me telefon në duar, para ekranit të kompjuterit apo televizorit, sepse kjo nuk është ajo që duhet të veproni. Pasi që puna na merr pjesën më të madhe të kohës gjatë javës, ne duhet të gjejmë kohë për veten, ta kuptojmë veten se çfarë duam dhe kush jemi. Më e mira që mund të bëni për veten tuaj është të keni sa më shpesh ecje, lëvizje, të shëtisni, të mendoni apo edhe ta lini mendjen të lirë nga gjithçka, ose edhe të bëni disa ushtrime të lehta.