Jeta (solo) : strategji për të jetuar vetëm dhe të lumtur

14 mars 2025 | 09:13

Shkruan: Doruntina Grulaj

Të jetosh vetëm nuk është gjithmonë e lehtë, por me një perspektivë pozitive dhe qëndrueshmëri, mund të shndërrohet në një përvojë të pasur.

Vetmia është një ndjenjë e përjetuar nga shumë njerëz në periudha të ndryshme të jetës së tyre. Shumë shpesh nga njerëzit vetmia përshkruhet si një ndjenjë e zbrazëtisë, izolimit dhe mungesës së lidhjes me të tjerët. Me raste, vetmia është e përkohshme dhe kalimtare. Megjithatë, për disa kjo ndjenjë mund të zgjasë më gjatë dhe të shkaktojë pasoja serioze për shëndetin mendor dhe fizik. Shumë njerëz për ta përballuar vetminë zgjedhin mënyrën për të krijuar lidhje të reja, kjo sigurisht që është gjë e mirë por, gjithashtu, edhe e rrezikshme sepse ata rrinë me këdo vetëm për ta mbushur boshllëkun që ndiejnë dhe prapë nuk gjejnë paqen e tyre, e kjo ndikon të thellohet vetmia e tyre dhe mos të gjejnë kënaqësi as kur janë në prani të shumë njerëzve. Disa zgjedhin ndihmën e profesionistëve të shëndetit mendor e që padyshim është e dobishme për ata që ndihen të vetmuar për një kohë të gjatë.

Të jetuarit vetëm ka anë pozitive që mund të sjellë përmbushje dhe kënaqësi në jetën e dikujt. Liria dhe pavarësia: një nga përfitimet më të mëdha që gjithkush e do është liria për të bërë çfarëdo që dëshiron, pa u ndjerë i gjykuar ose i kufizuar nga të tjerët. Vetëzbulimi: koha që kalon njeriu vetëm është një mundësi e shkëlqyer për të reflektuar mbi veten dhe për të kuptuar më mirë nevojat dhe dëshirat e tua. Kjo ndihmon edhe më fort tek ndjenja e identitetit dhe vetëvlerësimit. Përgjegjësia personale: të jetosh vetëm të ndihmon në zhvillimin e aftësive të mira menaxhimi dhe të marrësh përgjegjësi për çdo aspekt të jetës tënde, nga buxheti dhe gatimi, deri tek pastrimi dhe mirëmbajtja e shtëpisë. Paqja dhe qetësia: një shtëpi e qetë mund të jetë një burim i madh relaksimi.

Por, nëse vendosim të flasim për kultura të ndryshme, të jetuarit vetëm mund të marrë forma të ndryshme si p.sh. në Japoni, vetmia dhe izolimi mund të jenë një problem i madh. Termi “hikikomori” përdoret për të përshkruar njerëzit që tërhiqen nga shoqëria dhe jetojnë të izoluar për periudha të gjata kohore. Në Suedi dhe Norvegji, jetesa vetëm është shumë e zakonshme dhe nuk shihet negativisht. Në Itali familja është shumë e rëndësishme dhe shpesh njerëzit jetojnë me familjen e tyre deri në moshë të rritur. Nuk shihet edhe shumë pozitive jeta vetëm por në zona urbane ka rritje të njerëzve që jetojnë vetëm për të ndjekur karrierën, jetën e tyre personale. Në SHBA, jetesa vetëm është e zakonshme dhe shpesh vlerësohet si një shenjë e pavarësisë dhe suksesit. Në Indi, familja është e rëndësishme dhe është e zakonshme që njerëzit të jetojnë në shtëpi të përbashkëta me prindërit dhe të afërmit e tyre. Dhe të dalësh të jetosh vetëm perceptohet si një shenjë largimi nga familja. Në Gjermani është e fortë ndjenja e pavarësisë dhe vetë-vlerësimit. Të jetuarit vetëm shpesh shihet si një shenjë e pavarësisë dhe aftësisë për të menaxhuar jetën vetë. Në përgjithësi, jetuarit vetëm në Gjermani ka shumë përfitime dhe mund të jetë një përvojë shumë e kënaqshme për ata që e zgjedhin këtë mënyrë jetese. Ndërsa në Ballkan, perceptimet për të jetuarit vetëm mund të ndryshojnë ndjeshëm nga një vend në tjetrin dhe nga një komunitet në tjetrin. Mirëpo, së fundi edhe në Ballkan perceptimi ndaj jetës solo po ndryshon ngadalë me rritjen e modernizimit dhe urbanizimit. Gjithnjë e më shumë njerëz po zgjedhin të jetojnë vetëm për shkak të karrierave dhe interesave personale.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Shërbimi diplomatik i Bashkimit Evropian ka sugjeruar që vendet e…