Jeta tragjike e Rikardit II dhe Henrit IV
Nga: Kathryn Hughes / The Guardian
“Rikardi II [Richard] fillimisht provoi të ishte një Mbret i Mirë dhe më pas një Mbret i Keq, pa e shijuar gjatë asnjërën prej tyre. Më pas, pasi i thanë se ishte i paekuilibruar, ai u përmbys nga froni, ku menjëherë kushëriri i tij, nga dega Lankaster (Bolingbroke), hipi shpejt në fron dhe tha se ishte Henri IV [Henry IV]. Pjesa 1!. Kjo, sidoqoftë, është mënyra se si rrjedh ngjarja “më 1066 dhe gjithçka tjetër”, që është parodi klasike për mësimin përmendësh në shkolla dikur. Dhe, megjithëse Helen Castor, një historiane e vlerësuar dhe që bën punë kërkimore të përpiktë, nuk do ta përshkruante këtë kaq troç, kjo mbetet pothuajse linja përmes të cilës zhvillohet studimi i saj me 600 faqe për kushërinjtë e dinastisë së Plantagjenëve [Plantagenet], të cilët dhanë temat për tri drama historike të Shekspirit [William Shakespeare].
Në qendër të librit Shqiponja dhe dreri [The Eagle and the Hart] të Castorit, është Rikardi II, i cili u ngjit në fron në moshën 10-vjeçare në vitin 1377. Ngritja e tij e hershme në fron ishte pasojë e vdekjes së të atit një vit më parë. Eduardi [Edward], Princi i Zi, kishte udhëhequr Anglinë drejt fitores së saj të parë të madhe në Luftën Njëqindvjeçare, në Betejën e Kresit, pas së cilës Franca i dorëzoi Anglisë një të tretën e territorit të saj. Dhe, tani, në vend të këtij madhështori, erdhi ky djalë i njomë, i përkëdhelur dhe femëror. “Hart”-ët – drerët meshkuj – zakonisht përshkruhen në heraldikë si kafshë të fuqishme, masive, me një kurorë brirësh të gjerë. Por, Rikardi zgjodhi një dre të bardhë si emblemën e tij personale, ndërsa porositi një vepër arti e cila shfaqet në kopertinën e Castorit, që paraqet një kafshë të zbehtë, të dobët si një zagar gjuetie, të lidhur për tokë nga një zinxhir i rëndë i artë.
Nuk është gabim të mendosh se ai zinxhir përfaqëson xhaxhallarët e tij ngacmues, të cilët këmbëngulnin t’i tregonin mbretit të ri se çfarë duhej të bënte. Rezultatet ishin katastrofike. Në tri vitet e para të mbretërimit pati katër parlamente, dhe deri në vitin 1381 fshatarët ishin ngritur në revoltë – për të përdorur tash një tjetër klishe të mësimeve në shkollat e dikurshme. Pasoja e menjëhershme ishte vendosja e një takse për kokë që duhej të paguhej si nga të pasurit ashtu edhe nga të varfrit. Por, kishte, si gjithmonë, pakënaqësi më të mëdha dhe më të thella. Kur Ua Tajleri [Wat Tyler] dhe njerëzit e tij mbërritën nga Kenti dhe Eseksi dhe i vunë flakën ndërtesave madhështore të Londrës, ata paralajmëronin se feudalizmi kishte marrë fund dhe se mjaftonte vetëm rishpërndarja e pasurisë së madhe të kishës dhe fisnikërisë. Për të përcjellë mesazhin e tyre, ata vranë Kryepeshkopin e Kanderberit dhe shkatërruan Pallatin Savoj, shtëpinë e Xhonit të Gontit [John of Gaunt], regjentit të Rikardit, që ishte njëkohësisht Duka i Lankasterit. Tajleri u “shpërblye” duke ia ngulur kokën në hu në Urën e Londrës.
Në historinë e Castorit ka shumë koka të prera, zorrë të dala jashtë dhe varje të mundimshme, për të mos përmendur vdekjet që nuk ndërlidheshin me ligjin – por, që ishin po aq të dhimbshme – nga dizenteria (që mori jetën e Princit të Zi) dhe nga murtaja bubonike. Ndoshta për t’u larguar nga ky realitet i tmerrshëm, Rikardi nisi të eliminonte çdo gjurmë trupore nga jeta e tij e përditshme. Ai kishte tmerr nga era e trupit dhe ndërtoi një banjë që ishte një mrekulli e botës. Kur një qytetar londinez donte të shprehte zhgënjimin për ekstravagancën e oborrit, ai sugjeroi që mbreti “të qëndronte në tualetin e tij për pjesën e mbetur të jetës”. Me fjalë të tjera: “Mbytu”! Për të veshur trupin e tij të dobët, Rikardi këmbëngulte në kostume të ndërlikuara dhe tepër të kushtueshme. Castori është shumë e aftë në përshkrimin e mëndafshit që rrëshqet, lëkurës që shkëlqen dhe peshës së rrobave të arta me të cilat mbreti mbulohej, duke bërë kështu një deklaratë të heshtur për distancën e tij nga turma e zakonshme.
Pastaj, sigurisht, është fakti intrigues që martesa 12-vjeçare e Rikardit me Anën e Bohemisë [Anne of Bohemia] mbeti pa fëmijë. Pas vdekjes së Anës në vitin 1394, ai dukej vërtet i lehtësuar që gruaja e tij e re do të ishte Izabela e Valuajit [Isabella of Valois], e cila ishte vetëm gjashtë vjeçe dhe udhëtonte me kukullat e saj. Në fakt, dhëndrit ngurrues i ishte dhënë leja e lirë për shtatë vjet, para se të thirrej përsëri në shtratin martesor. Ai kishte edhe një të preferuar, një burrë të quajtur De Vere, për të cilin të gjithë flisnin me zë të ulët.
Ky dështim për të qenë ideali i dikujt si kryeluftëtar apo baba i mençur, e bëri Rikardin jashtëzakonisht të papëlqyer, por të largosh një mbret të emëruar “nga lart” përfshinte disa arsyetime të ndërlikuara: në thelb, kjo do të nënkuptonte të thoshe se Zoti kishte gabuar. Momenti kritik erdhi me vdekjen e Gjonit të Gontit në vitin 1399. Sipas të drejtës, zotërimet e mëdha të Dukës së Lankasterit, në veriperëndim të Anglisë, duhej t’i kalonin djalit të tij, Henri Bolingbrokut. Por, një vit më parë, Rikardi e kishte dëbuar Henrin në një mërgim të gjatë. Në vend që të mbante tokat e Lankasterit të sigurta derisa kushëriri i tij të mund t’i merrte, Rikardi i rrëmbeu për vete. Kjo e la Henrin, “Shqiponjën” e titullit të Castorit, pa zgjidhje tjetër veçse të kthehej me forcë për të rrëzuar Rikardin nga froni dhe për ta marrë atë për vete. Fati përfundimtar i Rikardit mbetet i paqartë, por skenari më i mundshëm është se ai u la të vdiste nga uria në Kalanë Pontefraktit.
Gjërat nuk u përmirësuan menjëherë nën mbretërimin e ri të Henrit IV, që në shumë mënyra është edhe thelbi i pikëpamjes së Castorit. Problemet e Anglisë ishin të përhapura dhe të qëndrueshme, dhe asnjë mbret i ri nuk mund t’i zgjidhte ato me magji. Moti u përkeqësua tmerrësisht, Vdekja e Zezë u rikthye me një tjetër goditje, dhe fshatarët, edhe pse nuk ishin në revoltë, nuk ishin aspak të prirur për të ndihmuar. Madje, edhe vaji i shenjtë që u përdor për të vajosur Henrin gjatë kurorëzimit, ia dha atij morrat, duke bërë që flokët t’i binin. Vendi do të duhej të priste për 14 vjet të tjera, derisa djali i Henrit, princi Hal i Shekspirit, të ngjitej në fron dhe epoka e heronjve të fillonte përsëri. /Telegrafi/