“Jetë në rrugëtim”, një rrëfim autentik i Haki Morinës
NEXHAT MALIQI
E kam lexuar dikund një këshillë njerëzore, sipas së cilës, për ta kuptuar tjetrin është e nevojshme që së paku ta paramendosh veten me të në një ashensor të mbyllur për 8 orë dhe ta dëgjosh e mësosh jetën e tij.
Libri i Haki Morinës, “Jetë në rrugëtim”, është ftesë për secilin, e për secilin që do të pranoj këtë ftesë jam i sigurtë se do të reflektojë ndryshe, do ta shikojë edhe botën ndryshe.
Rrugëtimin e tij të përshkruar prej Rigjeve, Gllareve, Kijeve për të vazhduar në arrati në Jabllanicë, Negroc, Sllatinë e Obri, e pastaj në burgjet e Pejës, Sarajevës e Zenicës, për të vazhduar sërish pa u ndalur kurrë në të gjitha fshatrat e vendlindjes së tij, e kam ndier, në cilësinë e lexuesit, me tërë qenien time. Në tërë këtë rrugëtim ka vetëm një përcaktim: mosndalje për asnjë çast drejt synimit, drejt qëllimit të popullit të tij për të qenë i lirë e i barabartë me popujt tjerë.
Duke kuptuar fëmijërinë e tij (fëmiu i 9-të nga 10 vëllezërit e motrat) më kanë mbetë në kujtesë dy momente shumë të veçanta: mënyra se si demi i tij “Sivoji” i mundte gjithë demat e fshatit sepse ishte në gjendje të luftojë “pa i dhën zor e pa u ekzaltuar” me orë të tëra, përderisa i zoti i tij dukej që po rritej me këtë filozofi jetësore; luftë maratonike me kundërshtarin deri në fitoren përfundimtare.
Momenti tjetër që më ka lënë mbresë, është shkollimi i vëllait të madh dhe njërës nga motrat në Normalen e Prishtinës përderisa ende s’kishte rrymë në vendlindjen e autorit.
Pjesa më e rëndë për lexuesin sigurisht është e do të mbetet sjellja shtazarake e pjesëtarëve të sigurimit shtetëror (udbashëve shqipfolës) që Hakiu i përshkruan me emër e mbiemër e për të cilët shoqëria jonë edhe tash pas 20 vite çlirim nga Serbia, si duket ende nuk është e gatshme të ballafaqohet me realitetin ngase përbindëshat që kanë ushtruar dhunë jo që nuk mund të kenë vend në institucionet e shtetit të Kosovës, por për veprat e kryera edhe kundër legjislaturës së kohës (ish- RSFJ ishte nënshkruese e Konventave ndërkombëtare kundër torturës) duhet të përgjigjen penalisht.
Gjithçka tjetër është turp shtetëror dhe me njerëz (bisha) të tillë në institucione nuk ka e nuk mund të ketë perspektivë.
Kam përshtypjen e fortë se Haki Morina është kursyer në përshkrime për ta kursyer lexuesin. Burgu (dënimi me 7 vjet) edhe pas dënimit i mbajtur në vetmi e sidomos lufta speciale me qëllimin e fundit për ta shkatërruar shqiptarin kryengritës, vërehet shkallë-shkallë, p.sh. vetmia në burgun e Pejës, përshkallëzimi në burgun e Sarajevës e zeniti në burgun e Zenicës, ku deri në ditën e fundit të dënimit vetë drejtori ia thotë në sy duke menduar se synimi i tyre për ta izoluar tërësisht nga rrethi shoqëror e edhe nga familja është arritur.
Por, ai dhe soji i tij janë mashtruar rënd.
Hakiu i dalur nga burgu, i mbijetuar edhe nga plagët fizike të shkaktuara qëllimisht, shkriu hekur në Zenicë, por vet jo që nuk u shkri dot veçse doli edhe më i hekurtë për atdheun e tij.
Ai vazhdoi aktivitetin dhe me shokët që i ribashkoi pas daljes nga burgu themeloi celula e celula të “ilegales” e gjendja në terren, në vendlindjen e tij, është dëshmia më e mirë se ku shkeli këmba e Hakiut lulëzoi UÇK-ja me njerëzit që ishin në bashkorganizim me të.
Libri i autorit Haki Morina, “Jetë në rrugëtim”, paraqet një rast të mirë për lexuesit që e kanë lexuar librin të debatojnë. Ndërsa ua preferoj për lexim këtë rrëfimin autentik të gjithë atyre që kanë interes t’i kuptojnë sinqerisht vitet e 80-ta e 90-ta, përkatësisht situatat e rënda nëpër të cilat ka kaluar Kosova, rinia e saj shqiptare dhe përgjithësisht populli ynë.