JETËSHKRIMI I ATYRE QË U BËNË PJESË E LIRISË

14 gusht 2018 | 10:34

Prof. dr. Nusret Pllana
Universiteti “Hasan Prishtina”
Prishtinë

 (Fadil Dervishaj, Kushtrim Dacaj, “Antologjia e lirisë: për dëshmorët e kombit dhe të rënët e fshatit Irzniq, 1998-1999”)

Përkufizimi

Në kujtesën tonë historike, atyre që kanë rënë në luftërat për liri, populli u ka kënduar këngë. Deri në Luftën e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, lexuesi shqiptar nuk kishte rast të lexonte për trimëritë, për rëniet, për sakrificën madhore që kishin bërë të parët tanë, kurdo që atdheu i kishte thirrur të mbrojnë tokat e tij.

Jo pse nuk kishte lexues, jo pse nuk ishte shkruar për luftëtarët e lirisë në të gjitha periudhat kohore kur është luftuar për atdhe. Por, se pushtuesi i tokave tona, kishte bërë çdo gjë vetëm të shlyhej kujtesa jonë historike.

Atëherë populli, ky popull i lashtë sa vetë koha, i ka përjetësuar në këngë. Andaj, kënga në jetën tonë ka qenë edhe shkollë e historisë së luftërave për lirinë e atdheut.

Hyrje

Libri që u kushtohet dëshmorëve dhe të rënëve për liri, cili do qoftë ai, ka vlerën e tij, qoftë edhe vetëm për faktin se përjetëson momente, pjesë të jetës, çaste që dëshmorët e kombit i ka bërë të pavdekshëm.

Autorët e librit, Antologjia e lirisë, Fadil Dervishaj dhe Kushtrim Dacaj, që u kushtohet Dëshmorëve të Kombit dhe të rënëve të fshatit Irzniq, në Luftën e madhe të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, kanë dhënë jetëshkrimin dhe përkushtimin, duke përjetësuar aktin e madhërishëm të rënies për lirinë e atdheut.

Si kudo në Kosovën e viteve të luftës së UÇK-së, edhe në fshatin Irzniq, kur i thirri liria, i madh e i vogël, pra edhe ata që ende nuk kishin mbushur moshën madhore, kishin shprehur vullnetin të bëheshin luftëtarë të lirisë. Sepse, e veçanta e Luftës së UÇK-së, e cila ishte luftë vullnetare, ishte se po dilte nga gjiri i popullit, nga bijtë dhe bijat më të mirë të tij, të cilët rruga jetësore e kësaj pjese të popullit shqiptar, që kur ishte pushtuar kjo pjesë e atdheut, i kishte mësuar se lirisë përherë i duhen vullnetar.

Duke shkruar për të dhënat e fshatit Irzniq, autorët kanë theksuar, kryesisht, gatishmërinë e banorëve të tij që të bëhen pjesë e ardhjes së lirisë.

 Jetëshkrimi si dëshmi e historisë

Prandaj, qofshin vetëm të dhënat për gatishmërinë e banorëve të këtij fshati, qofshin vetëm të dhënat për numrin e atyre që ishin radhitur në radhët e luftës për liri dhe, në fund të fundit, qofshin edhe vetëm Dëshmorët e Kombit dhe të rënët e këtij fshati, në një mënyrë, apo në një tjetër, dëshmojnë për karakterin popullor të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Krijuesit e kësaj vepre me vlerë për kujtesën tonë historike, Fadil Dervishaj dhe Kushtrim Dacaj kanë dhënë dëshmi të shumta për  dymbëdhjetë Dëshmorët e Kombit dhe për tetë të rënët e fshatit Irzniq.

Pas secilit jetëshkrim, kanë sjellë vargje ku janë përjetësuar me gjuhën e artit, jo vetëm jeta e tyre, por edhe akti i rënies për lirinë, jo vetëm gatishmëria e tyre që të sjellin armë për frontet e luftës, por edhe përpjekjet në përballje me armikun e kësaj pjese të atdheut tonë, Shqipërisë.

Në jetëshkrimin e Dëshmorëve të Kombit dhe të rënëve për lirinë e Kosovës, që siç dihet që nga koha e copëtimit të saj nga trungu i atdheut, Shqipëria, që e kishte shpallur Ismail Qemali në Vlorë, më 1912, kishte përballuar të gjitha të zezat që pushtuesi sllav ushtronte mbi shqiptarët, deri edhe për përpjekjen për t’ia ndërruar përkatësinë fetare, deri edhe zbatimin e programeve  për zhdukjen e shqiptarëve.

Autorët e veprës, Fadil Dervishaj dhe Kushtrim Dacaj, nuk e kanë pagëzuar rastësisht Antologjia e lirisë. Në vepër, në secilin jetëshkrim, në secilën poezi që u kushtohet atyre, nxjerrë kokë gatishmëria e sakrificës për liri. Duke u radhitur në altarin e lirisë, që e kanë sjellë në jetën tonë, Dëshmorët e Kombit të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, andaj edhe Dëshmorët e Kombit të fshatit Irzniq, ata janë bërë pjesë e Antologjisë së lirisë sonë. Një gjetje e bukur dhe e qëlluar, që del në titullin e veprës, duke shpaluar vetëm të dhënat karakteristike të jetës së atyre që janë bërë pjesë e lirisë sonë.

Ideali i lirisë dhe Dëshmorët e Kombit

Duke lexuar këtë vepër del qartë gatishmëria e një fshati të tërë që të radhitet në luftën për liri. Duke lexuar me kujdes jetëshkrimin e Dëshmorëve të Kombit dhe të rënëve për liri, lexuesi doemos do të hetojë se në mesin e tyre kishte edhe luftëtarë të njomë, që sa kishin mbushur tetëmbëdhjetë vjet, si

Berhon Dervishaj, që ishte lindur më 21 dhjetor të vitit 1980 dhe kishte rënë në altarin e lirisë  më 11 shtator të vitit 1998.  Aspak më të pjekur nuk ishin edhe Dëshmorët e Kombit, njëzet vjeçarët, Gëzim Shaban Dervishaj, që ishte lindur më 18 nëntor të vitit 1978 dhe kishte rënë për lirinë tonë  më 11 gusht të vitit 1998. Vetëm disa muaj më i vjetër ishte Dëshmori i parë i Njësisë speciale Shqiponjat e zeza, Altin Sadri Haskaj, që ishte lindur më 24 maj të vitit 1978 dhe kishte rënë më 3 qershor të vitit 1998, duke mbrojtur Vokshin e Sylejman Vokshit, Komandantit të Ushtrisë së Lidhjes Shqiptare të Prizrenit,

As imagjinata e krijuesit më të mirë, nuk do të kishte arritur të krijonte rrafshe ngjashmërie të luftës për liri të disa brezave të shqiptarëve, në luftë herë kundër njërit, herë kundër pushtuesit tjetër, se sa lufta e Sylejman Vokshit dhe rënia në altarin e lirisë së Altin Haskajt duke dhënë jetën për idealin e lirisë.

Ky ideal i lirisë, shekullor në jetën historike të shqiptarëve, sidomos që nga koha e bashkimit të shqiptarëve me shpatën e Heroit tonë Kombëtar, Gjergj Kastriotit Skënderbeut, sidomos që nga lufta kombëtar e e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, ishte bërë pjesë edhe e gatishmërisë deri në sakrificë të Dëshmorëve të Kombit të fshatit Irzniq.

Përfundim

Jetëshkrimi i Dëshmorëve të Kombit dhe i të rënëve të fshatit Irzniq është vetëm njëra nga dëshmitë e shumta të heroizmit të luftëtarëve të lirisë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Qoftë vetëm për këtë fakt, qoftë vetëm për faktin e gatishmërisë që të sakrifikohen për lirinë e kësaj pjese të atdheut, ata janë bërë pjesë e kujtesës sonë historie, ata janë bërë pjesë e idealit tonë kombëtar, të cilit, thuajse pas një shekulli ia kishte prishur gjumin e jetës në robëri, lufta e UÇK-së.

Prandaj, edhe jetëshkrimi i Dëshmorëve të Kombit dhe të rënëve të fshatit Irzniq, edhe poezitë që u kushtohen atyre e bëjnë veprën Antologjia e lirisë, të autorëve Fadil Dervishaj dhe Kushtrim Dacaj, një dëshmi burimore të organizimit, të qëndresës, të luftës dhe të rënies së tyre në altarin e lirisë të pjesës së pushtuar të atdheut tonë.

 Prishtinë, 11 gusht 2018

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Prof. dr. Nusret Pllana Universiteti “Hasan Prishtina” Prishtinë  (Fadil Dervishaj,…