Jetëshkrimi i fatit, guximit dhe suksesit

27 qershor 2019 | 11:24

Prof. dr. Nusret Pllana
Universiteti “Hasan Prishtina”, Prishtinë

– (Bekim Brestovci, fati, guximi, suksesi-autobiografi, Prishtinë, 2019)

Përmbledhje

Në fillim dua të theksoj një përvojë time të vogël. Më ka rënë të lexojë biografi, autobiografi, apo jetëshkrime të njerëzve të ndryshëm, shqiptarë e të huaj, por kurrë nuk kam pasur rastin të lexoj një jetëshkrim kaq të saktë, kaq të natyrshëm, kaq të vërtetë, së fundit kaq të sinqertë.

Kur kam lexuar jetëshkrimin e shkrimtarit tonë të madh, Petro Markos, “Bisedë me vetveten, retë dhe gurët”, kam menduar se jeta e shqiptarëve më shumë ka pasur dhe ka ngjarje të rënda, ka ndjekje nga pushtues të shumtë dhe persekutime, ka burgosje dhe vrasje. Por, kur lexon këtë mënyrë të mbarështrimit të jetës së një njeriu, si Bekim Brestovci, ku çdo gjë duket pafundësisht e sinqertë, atëherë mësimi i parë që marrim është: jeta është luftë para se cilës nuk duhet të dorëzohet njeriu, përndryshe është i humbur. Si në çdo luftë, ai që dorëzohet është humbës.

Hyrje

Një karakteristikë tjetër e rrëfimit të jetës së tij, që është e veçantë, sidomos kur Bekim Brestovci rrëfen për atë pjesë të jetës që ka kaluar nën poshtërimin e madh që pushteti okupues serb ju bënte shqiptarëve, atëherë disi përfytyrimet janë aq të përpikta, janë aq të njëmendta, sa lexuesit i mbushet mendja se edhe ai është pjesë e atyre ngjarjeve jetësore.

Po kush nga ne nuk ka provuar dashurinë dhe mallin e madh për motrën, siç i ka ndodhur Bekim Brestovcit, për motrën e tij Albulenën, sa edhe armata e dhunshme e ish-Jugosllavisë dorëzohet para dashurisë madhore të vëllait për motrën, që në kulturën tonë është legjendare, dhe i japin pushim në një ushtri që ishte pushtuese, kur zakonisht nuk ishte kohë pushimesh e vizitash familjare.

Qoftë vetëm për këtë karakteristikë të rrëfimit të ngjarjeve, jetëshkrimi i Bekim Brestovcit është i veçantë në literaturën tonë.

Duke radhitur ngjarjet nga më të ndryshmet, që nga koha kur kryen shkollën e mesme, kur shkakton aksidentin e parë me makinën që ia kishte marrë babait, deri te përballja me forcën e pushtetit okupues, çdo gjë duket aq konkrete, sa krijohet përshtypja se edhe lexuesi është pjesë e atyre ngjarjeve, atyre bëmave dhe atyre ndodhive.

Kjo, mendoj unë, është cilësia e parë e rrëfimit të jetëshkrimit, ose siç e ka quajtur autori, të autobiografisë së tij.

Duke u përballur me të papriturat e jetës, ka raste kur lexuesi pyet autorin, ku mbeti përkushtimi për shkollimin akademik, përkushtimi për dijen akademike, që e kishte ëndërr.

Jeta e një populli që e bashkon fatkeqësia e robërisë

Jeta historike e popullit tonë, ka aq shumë anë të errëta, sa njeriu shqiptar ka nevojë, jo vetëm për histori akademish e institutesh shkencore, por edhe për rrëfime të individëve që kanë guximin ta shpalojnë jetën e tyre, në mënyrën e tyre, pa stërhollime dhe zbukurime, që aq shpesh dalin jo bindëse dhe jo frymëzuese.

Prandaj, autobiografia e Bekim Brestovcit, është një rrëfim i veçantë, jo vetëm i jetës së tij, jo vetëm i krijimit të jetës familjare me bashkëshorten e tij Eminen, por është një rrëfim që na mëson se në fatkeqësi kombëtare, shpalohen vlerat madhore të njeriut shqiptar, duke mos kursyer asgjë, vetëm që të ndihmohet ai që ka nevojë. Jo rastësisht, andaj, në rrëfimin e autobiografisë së tij, Bekim Brestovci përmend emra njerëzish, duke e përkufizuar mbështetjen e tyre, me atë shprehjen popullore se të mirën e akëcilit njeri, nuk do ta harrojë tërë jetën.

Mirëpo, sa lexon ngjarjet që ka futur në strukturën e autobiografisë së tij Bekim Brestovci, atëherë kuptohet se të papriturat jetësore, sidomos të popullit që është i robëruar, jo vetëm nuk lënë shteg hapur për të realizuar ëndrrat, qofshin ato të fëmijërisë, apo të rinisë, por nuk lënë udhë hapur as për të siguruar ekzistencën e jetës vetjake, ngase edhe familja bëhet barrë e pa përballueshme.

Në ato ngjarje që Bekim Brestovci i ka marrë si pjesë e jetës së tij, përmes një akribie rrëfimi aq të sinqertë, ai ka shpaluar edhe gjendjen e përgjithshme të kësaj pjese të popullit shqiptar.

Po ashtu, autori i autobiografisë, Bekim Brestovci, i ka bërë pjesë të jetës së tij, edhe ato rrëfime që kanë kaluar një pjesë e madhe, mbase pjesa më jetësore e popullit tonë, kryesisht rinia e aftë për punë dhe për dije, që duke ju shmangur të keqes që kishte sjellë pushtuesi në jetën e popullit tonë, i kishte rënë hise të bridhte fshehurazi gjithë atyre lakadredhave të mëdha nëpër kufijtë e shteteve të botës, maleve dhe bjeshkëve të Çekisë e të Gjermanisë, të Bullgarisë e të Austrisë, duke u përballur me lloj-lloj të papriturash, që nga mënyra e ecjes nëpër udhët e botës, e deri te arrestimet nga policia kufitare e vendeve të ndryshme të kësaj Evrope që po bën përpjekje të jetë e bashkuar.

Mund të thuhet me plotë gojën, se nuk ka asgjë më të saktë se rrëfimet e jetës së Bekim Brestovcit, si pjesë e jetës tragjike të kësaj pjese të pushtuar të popullit shqiptar.

Prandaj, është e veçantë, edhe në këtë plan, mënyra e rrëfimit të jetës së tij, andaj është pjesë e jetës së popullit edhe rruga jetësore e tij, në fund të fundit, nuk ka jetë njeriu që mund të realizohet e veçuar, aq më keq, e izoluar nga bota që e rrethon.

Shkolla e madhe e jetës dhe guximi për ta kërkuar fatin

Autori i kësaj autobiografie, me një titull shumë domethënës, Fati, Guximi, Suksesi, nuk shkruan për t’ia mbushur mendjen lexuesit se di të shkruaj. Nuk shkruan për të kërkuar tituj akademikë, as ofiqe zyrtare, që t’i bind të tjerët se është i ditur, sepse ai me mundin dhe angazhimin e tij, me profesionalizmin e tij, i ka të gjitha.

Por, nuk shkruan as për të rregulluar pjesë të jetës së tij, siç shpesh e shpërfaqë psikologjia e provincës, disa gjëra t’i ruajmë për vete, që të mos i marrin vesh të tjerët. Autori nuk ngurron të rrëfejë pjesë të jetës së tij, qoftë kur del dhe bën aheng me shokët, e pastaj bën aksident, qoftë kur është i detyruar të bëj aq punë të ndryshme, nga shitës në shitore, deri te shitës i qeramikës, apo edhe më shumë, nga shofer taksie e deri te blerës i derivateve të naftës, vetëm që të mos ia shtrinte dorën pushtuesit të vendit, por edhe të krijonte kushte e mundësi që t’ia shtrinte dorën atyre që jeta i kishte ngushtuar shumë.

Ai nuk zbukuron asgjë, edhe kur ka njohur dashurinë e tij të madhe, Eminen, shoqen dhe bashkudhëtaren e tij të jetës, me të cilën ka krijuar familje, përmes aq shumë peripecish, sa ndonjëherë nuk i kap as mendja e njeriut. Sidomos janë të veçanta përkushtimet e tyre, burrë e grua, në rropatjet jetësore për të gjetur shërim për nënën e Bekimit, për të cilën autori ka folur me aq dashuri, gjithë rrugën jetësore të saj, si femra e parë e shkolluar, si mësuesja e parë. Por, jeta ka edhe të papriturat, kur ndonjëherë as përkushtimi mbinjerëzor duke kërkuar shërimin e saj, nuk arrin t’ia shpëtojë jetën, as te mjekët në Kosovë, në Shqipëri e në Gjermani.

Pjesë të rrëfimit të autobiografisë së tij, sidomos ato ku përshkruhen vitet e para të qëndrimit në azil politik, ku kërkon punë e nuk arrin të përballojë peshën e atyre punëve, ku iluzioni se fjala rrush, duket diçka më e lehtë për të fituar ndonjë mundësi për jetesë, ia prish edhe kuptimin e bukur të hardhisë dhe të rrushit, dëshmojnë, jo vetëm për origjinalitetin e shpalimit të krajatave jetësore të një individi, por përmes tij, ato bëhen udhë jetësore të një populli të tërë.

Kjo bëhet shkollë jetësore sidomos të asaj pjese të popullit shqiptar, që ishte më jetësorja dhe shpresa për ta përmbysur robërinë, siç ishte ikja e rinisë nga vendi, degdisja e saj nëpër vende të ndryshme të botës, vetëm që të sigurohej një burim jete për familjet që kishin mbetur në Kosovën e atyre viteve.

Jetëshkrimi i Bekim Brestovcit, përveç rrëfimit të saktë dhe të sinqertë, hap udhën për të mësuar shkollën e madhe të jetës, se asgjë nuk pikë nga qiell, qoftë edhe kur je shumë me fat, sepse edhe fatin duhet kërkuar, por ajo shkollë e jetës kërkon guxim krijues.

Do të thotë, kërkon që të mos hamendesh, të mos luhatesh në vendimet që merr. Kërkon të heqësh dorë nga iluzionet, se ato janë të dëmshme, por të përqendrohesh në luftën e përditshme që ka jeta, në mënyrë që me guximin tënd të dalësh fitues.

Qoftë edhe vetëm për këtë karakteristikë të rrugës jetësore të Bekim Brestovcit, autobiografia e tij, bëhet pjesë e shkollës së madhe të jetës së shqiptarëve, të të gjitha kohërave, se pa guximin e duhur, nuk fitohet lufta e jetës, kurse kjo luftë nuk e ka vetëm një betejë, por ka aq shumë.

Në këtë pjesë të jetëshkrimit të tij, kur fillon jo vetëm t’i prijë fati, por edhe ta ketë guximin për të hapur rrugë të reja në arritjet e tij jetësore, Bekim Brestovci, gjatë rrëfimit të ngjarjeve dhe pjesëve të jetës së tij, dëshmon për cilësitë që secili njeri duhet të ketë guxim që t’i shpalojë, pa marrë parasysh cilat janë pengesat dhe të papriturat. Ndryshe, lufta me jetën, sikur thotë autori, është e humbur.

Lufta me jetën krijuese, se mbijetesë, bën secili njeri, bëjnë edhe popujt ndonjëherë në histori, siç i ka ndodhur edhe popullit shqiptar, që nëpër periudha të ndryshme historike, të gjejë rrugë për të mbijetuar, sepse ishin mbyllur të gjitha shtigjet kah duhej të ecej që të bëhej jetë normale.

Një aspekt tjetër që del nga rrëfimi i autobiografisë që e kemi në duar, është fakti se fatin jo vetëm duhet kërkuar, por rrugëve nëpër të cilat kërkohen përgatitjet, të tjera nga ato që ka njeriu, duhet pasur guxim. Natyrshëm, ky guxim kërkon të mbështetet nga angazhimi konkret dhe i përditshëm, ose siç thotë mençuria jonë popullore, të mos pushosh as natën as ditën, nëse je nisur një rruge për të arritur suksese.

Këtu është vendi të veçohen disa karakteristika jetësore të autorit të kësaj autobiografie. Ai ka një dashuri të pakufishme ndaj kafshëve, sa është bërë vegjetarian. Dashurinë dhe përkushtimin e këtillë të autorit, më së miri, di ta thotë qeni i tij, Roki, po të kishte gojë dhe të shprehej, siç shprehet njeriu, për përkushtimin e vajzave të tij dhe të vetë Bekimit ndaj kësaj krijesë pa gojë, por që falë dashuri pa kushte. Pra, ai ka hequr dorë nga përdorim i çdo prodhimi me origjinë nga kafshët. Ai gjithë përkushtimin jetësor, gjithë dashurinë prindërore ju ka kushtuar dy engjëjve të tij, Venesës dhe Rinesës, vajzave të tij të mrekullueshme. Po kjo dashuri, ka edhe një themel tjetër, atë dashurinë e vëllait për motrën, Albulenën, të cilën e zumë në gojë më sipër.

Të mençurit e botës kanë thënë se prapa një burri të suksesshëm, qëndron një grua e fortë dhe e përkushtuar. Asgjë nuk mund ta përshkruaj përkushtimin, dashurinë, mbështetjen e zonjës së tij, Emines, nëpër rrugëtimin jetësor të Bekim Brestovcit, për ta bërë realitet ëndrrën e tij, që njeriu edhe kur është i robëruar e sheh, qoftë edhe me sy hapur, që të përmbushej mençuria e popullit se vetëm askush nuk shkon shumë larg. Sepse, njeriu sa herë rrëzohet, bie, ka nevojë ta ketë dikë pranë që t’ia japë dorën. Dora e zonjës Emine, përherë ka qenë e shtrirë në përpjekjet e Bekim Brestovcit që të arrijë atje ku është sot.

Asgjë më qartë se këtë mençuri të popullit nuk e përmbush, sa kërkesa e Bekim Brestovcit, kur merr përsipër të udhëheqë punët e firmës së parë gjermane me 360 punëtorë, që guxon të kërkojë të bëjë dije, të aftësohet, të jetë i përkushtuar, të fillojë dhe të përfundojë nivele të shkollimit, që dikur, në rininë e tij i kishte pasur ideale jetësore.

Prandaj, nuk është gjë gand dhe e rastit, se në rrëfimet e autobiografisë së tij, lexuesi mëson, edhe rrugën e fatit, e mëson edhe guximin që duhet ta ketë njeriu për të arritur sukses, por mbi të gjitha mëson, se pa dije, as nuk të ndihmon fati, e shpesh mungon edhe guximi.

Nëse kjo shkollë e jetës, kuptohet drejtë në autobiografinë e Bekim Brestovcit, atëherë mund të them, se është kuptuar e gjithë rruga jetësore e shkollës së madhe të jetës, e cila është luftë e përhershme.

Përfundim

Duke lexuar autobiografinë e Bekim Brestovcit, Fati, guximi, suksesi, njeriu beson se çdo gjë është e mundur. Nëse ky besim shpalohet në secilën faqe të rrëfimit të jetës së tij, ajo vjen e plotë në pjesën e përgatitjes së tij profesionale, sidomos të guximit për të dalë i pavarur në punët e tij.

Por, kjo pavarësi, ky guxim profesional e njerëzor, nuk ishte arritur duke lexuar gazeta, as duke përcjellë emisione televizive, por ishte arritur me këmbëngulje, duke ndjekur hap pas hapi të gjitha nivelet e përgatitjes profesionale të një aspekti të jetës intelektuale, duke kërkuar pareshtur forma të reja të udhëheqjes së punëve, e mbi të gjitha duke qenë përherë krijues, pra duke pasur guximin që të hapësh shtigje të reja në jetën tënde profesionale.

Guximi krijues, guximi për të kërkuar vazhdimisht dije dhe përballje me vështirësitë që krijon jeta në afarizëm publik, si dhe guximi për të qenë i pavarur në krijimin e së ardhmes, sa duket, ka qenë vendimtar edhe për vendosjen e Rinesës së tij, që të vijë e të shkollohet në Kosovë, në mënyrë që t’i shmanget asimilimit të ngadalshëm, siç po ndodh me brezin e tretë të shqiptarëve kudo jashtë atdheut.

Këto dhe anë të tjera të jetës, janë cilësitë themelore që shpalon e tërë autobiografia e Bekim Brestovcit. Ajo vjen në vëmendjen e lexuesit natyrshëm, krejt si një rrëfim, që mund t’i ndodh secilit, por po ashtu, kuptohet se askush nuk mund të arrijë pa pasur guximin dhe aftësinë e duhur për të guxuar.

Vetëm në rrethana të këtilla, suksesi vjen e bëhet pjesë e jetës, që argumentohet me fuqinë e dijes.

 Shtutgart, 23 qershor 2019

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Ministri i Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, Fatmir Matoshi, mori pjesë…