Jetëshkrimi i kryetarit të ri të Prishtinës, Përparim Rama
Në raundin e dytë të zgjedhjeve lokale, të cilat janë mbajtur ditën e djeshme, komuna e Prishtinës tashmë ka në krye, kryetarin e ri, Përparim Ramën. Rama mori 40,659 vota ose 51,07% të totalit të votave.
Situata socio-ekonomike e politike në Kosovë gjatë viteve të 90-ta kishte bërë që shumë kosovarë ta lëshojnë vendin. Disa në kërkim të një jete më të mirë, e disa të detyruar, meqë përndiqeshin nga regjimi i atëhershëm serb.
Këtë fat e ka pasur edhe prishtinasi, Përparim Rama, i cili ishte detyruar qysh në vitin 1992 të largohej nga Kosova për në Britaninë e Madhe, si 16 vjeçar, pasi përndiqej nga regjimi.
Por tash, pas gati 29 vjetësh, Përparimi që në Angli kishte shkuar si refugjat, Kosovës pritet t’i kthehet si arkitekt me famë botërore e që ka fituar shumë çmime në arkitekturë. Rama do të udhëheq Komunën e Prishtinës pas rezultatit të raundit të dytë të zgjedhjeve lokale që do u mbajtën ditën e djeshme.
Veprat e Përparim Ramës kanë bërë që për arkitektin kosovar të interesohen edhe mediat më të mëdha botërore, CNN e Bloomberg dhe shumë të tjera.
Në një rrëfim për CNN, Rama kishte folur për historinë e tij të largimit nga Kosova, luftën dhe zhvendosjen e tij në kryeqendrën e Britanisë së Madhe.
“Emri im është Përparim Rama dhe unë kërkova azil në Britaninë e Madhe në vitin 1992. Jeta në Kosovë nuk ishte aspak e lehtë. Të gjithë të rinjtë e asaj kohe merreshin me dhunë nga forcat policore dhe ushtarake serbe për t’u dërguar në luftën me kroatët apo boshnjakët, ndaj e pashë të udhës që për mua ishte më e lehtë të vija në Britani e të kërkoja azil, sesa të përballesha me situatën e atjeshme”, ka treguar Përparim Rama për CNN.
Shkaku i situatës së rënduar politike, Britania e Madhe ia kishte pranuar Ramës kërkesën për azil. Atje Rama kishte vazhduar jetën e tij dhe shkollimin.
Në Londër, ai kishte nisur studimet për arkitekturë, e që më pas rezultoi edhe me hapjen e një kompanie për arkitekturë dhe dizajn.
Perparim Rama është arkitekt i njohur ndërkombëtarisht. Ai ka deklaruar se është vlerësuar me disa çmime, ndërkaq puna e tij është botuar në disa revista ndërkombëtare të dizajnit përfshirë “London Building Design Magazine”.
Rama është intervistuar nga BBC, CNN, BLOOMBERG, RAI, The Times Newspaper mbi Arkitekturën dhe Urbanistikën.
Në vitin 2012, ai ka marrë pjesë si këshilltar i veçantë në Lojërat Olimpike.
Edhe në faqen e Ministrisë së Kulturës, Shkencës dhe Tekonologjisë është publikuar një biografi e arkitektit, ku thuhet se në vitin 2012, Rama është përzgjedhur kurator për përfaqësimin e Kosovës në Bienalen e Arkitekturës në Venezia të Italisë.
Në CV-në e tij thuhet se ka përvojë mbi 20 vjet në projekte të ndryshme në banesa e hotele, ndërkaq më parë ka punuar si këshilltar në Aeroportin e Southampton.
Rama ka përvojë si mësues në Shkollën e Arkitekturës në Universitetin Nottingham dhe bashkë-mbikëqyr Doktoraturat në Arkitekturën Gjeneruese dhe modelimin e ndërtesës SMART në programin MA dhe PHD në institutin SmartLab Media.
Rama është prezantues i rregullt në konferenca ndërkombëtare. Ai prezantoi në fjalimet e TEDx në Prishtinë, Kosovë dhe Tiranë, Shqipëri mbi ndikimin e mjedisit të ndërtuar në sjelljen njerëzore./GazetaExpress/