Jetësimi i ushtrisë, akti i sendërtimit të plotë të shtetformimit të Kosovës
ARBËR HADRI
Procesi jetik i mbetur i sendërtimit të shtetësisë së Kosovës dhe sigurisë kombëtare të saj, u përmbyll sot në datën historike 14.12.2018 me inaugurimin e transformimit të Forcës së Sigurisë në Ushtri të Kosovës.
Entuziazmi që kemi pasur që nga shpallja e pavarësisë së Kosovës është përsëritur me këtë akt të krijimit të Ushtrisë, që ka një përkrahje gjithëpopullore. Arritja e këtij qëllimi është pjesë përbërëse e rrugëtimit të Kosovës drejt lirisë, pavarësisë dhe sendërtimit të shtetësisë së Kosovës.
Një rruge të gjatë me sakrifica shekullore të popullit shqiptar, dëshmorëve të kombit, heronjve të UÇK-së, guximit intelektual dhe tejkalimit të pengesave në marrëdhëniet ndërkombëtare për krijimin e ushtrisë dhe përmbylljen e shtet formimit, i erdhi fundi sot. Përkujtim të veçantë që asocion me ushti e meriton Komandanti legjendar Adem Jashari dhe e gjithë familja e shenjtë Jashari, me flijimin e së cilës për lirinë e vendit fillon edhe Kryengritja e përgjithshme ushtarake në Kosovë.
Viti i ardhshëm që po troket shënon njëzet vjetorin e çlirimit të Kosovës dhe transformimin e UÇK-së në TMK-në e më pas në FSK-në, e cila kishte kryesisht ingjerenca civile dhe ishte vënë nga Bashkësia Ndërkombëtare në vendnumërim pa një të drejtë elementare si shtet dhe popull, për të drejtën në mbrojtje nga agresioni i mundshëm ushtarak dhe rrezikimi i qenies së ekzistencës së tij.
Paralele të analogjive historike botërore të ndaljes apo mbikëqyrjes së krijimit dhe zhvillimit të forcave ushtarake të shteteve sovrane mund të tërhiqen vetëm në relacion me shtetet agresore të cilat kanë nxitur luftëra ekspansioniste ndaj popujve, territoreve të vendeve të tjera e që kanë evoluar në konflikte regjionale dhe Botërore. Shembull pas Luftës së Dytë Botërore është rasti i Gjermanisë Perëndimore me “Forcat Mbrojtëse” dhe Japonisë me “Forcat Vetëmbrojtëse të Japonisë”, të cilat kanë qenë të privuara për një kohë dhjetëvjeçare në themelimin e këtyre ushtrive dhe atë vetëm në cilësi vetëmbrojtëse brenda territorit të shtetit respektiv dhe nën mbikëqyrjen strikte të Aleatëve.
Zbatimi i këtij kuti në rastin e Kosovës nuk përkon fare me krahasimin themelor ndërmjet rolit të viktimës dhe agresorit. Anomalia më e madhe në këtë këndvështrim është dënimi që i është nënshtruar Kosova si viktimë e luftës në mos lejimin e krijimit të Forcave të saja ushtarake dhe amnistisë së ushtrisë së Serbisë së Millosheviqit “Kasapit të Ballkanit”. Ndryshimi i roleve të viktimës dhe agresorit, të ushtrisë e cila ka mbetur e pa penalizuar përkundër faktit se ka masakruar dhjetëra mijëra njerëzve të pafajshëm në Kosovë dhe ka ndërmarrë spastrimin etnik të Një Milion Shqiptarëve, në krahasim me perspektivën e një Ushtrie të Kosovës që do të prodhonte siguri dhe stabilitet, është e papranueshme dhe ka prodhuar ambiguitet të marrëdhënieve të sigurisë në rajon.
Situata në të cilën ka kaluar Kosova në historinë e saj të shekullit XX me okupimin, aparteidin, shkeljet e të drejtave themelore njerëzore dhe luftën, si dhe me situatën aktuale të ndryshimeve të shpejta e të pa parashikueshme në marrëdhëniet ndërkombëtare dhe pa qartësinë e rrjedhave të misionit të sigurisë ndërkombëtare në Kosovë, e kanë vendosur në renditjen e parë të Sigurisë Kombëtare të Kosovës krijimin e menjëhershëm të Ushtrisë së saj.
Ndalja e prolongimit edhe më tutje të këtij procesi strategjik për Kosovës, nëse e shikojmë në formë objektive situatën, duhet t’i atribuohet Kryeministrit Ramush Haradinaj i cili i parapriu me vendosjen me këmbëngulje në këtë agjendë kohore procesin dhe pa asnjë hezitim qartësoi qëndrimin e palëkundur të shtetit të Kosovës para opinionit publik të brendshëm dhe atij ndërkombëtar, për vendimin për ndryshimin e mandatit të FSK-së e Ministrisë së Mbrojtjes dhe themelimin e zhvillimin e duhur të Ushtrisë së Kosovës.
Mos veprimi nga ana e tij do të nënkuptonte shtyrje pa përcaktim kohor të krijimit të ushtrisë. Ky qëndrim i prerë vuri në lëvizje dhe pozicionim të imponuar Fuqitë e Mëdha, me ç ‘rast Amerika si Aleatja dhe mbështetësja kryesore e shtetësisë së Kosovës, miratoi përmbylljen e një procesi i cili nëse do të vazhdohej me ngurrim dhe pritje do të kishte ndikim të kundërt, prodhimin e pasigurisë dhe të destabilitetit potencial të Kosovës dhe me këtë edhe të rajonit të Evropës Juglindore.
Rruga e transformimit institucional të FSK-së dhe të Ministrisë në hap me ndërtimin e shtetit të Kosovës ka qenë mjaft e gjatë. Konteksti i rishikimit strategjik të sektorit të sigurisë në vitin 2012 pas periudhës pesëvjeçare të shpalljes së pavarësisë së Kosovës, për kompetenca shtesë që derivonin nga Plani i Ahtisarit për rishikimin e mandatit të FSK-së, u shpërfaq në Ligjin për ndryshimin dhe plotësimin e ligjeve që kanë të bëjnë me përfundimin e mbikëqyrjes ndërkombëtare të pavarësisë së Kosovës.
Përkundër një mobilizimi fillestar kjo qasje u sfidua nga Bashkësia Ndërkombëtare në vartësi nga konstelacionet e forcave brenda shteteve anëtare të NATO-së, e cila promovonte një qasje neutrale përballë kësaj çështjeje, qëndrim i përcaktuar në vitin e pavarësisë 2008. Kjo pikëpamje u nxit edhe nga pikëpyetja e ndërveprimit me misionin dhe praninë ndërkombëtare ushtarake dhe civile në Kosovë, bazuar në Rezolutën 1244 të Këshillit të Sigurimit të OKB-së, si dhe të pozitës së minoriteteve.
Pjesë e këtyre ndërveprimeve ishin edhe qëndrimet kundërthënëse brenda skenës politike në Kosovë dhe zgjedhjet politike në sipërfaqe. Përkundër këtyre obstruksioneve edhe në atë kohë institucionet e Kosovës tentuan disa herë që të vazhdojnë me transformimin e ushtrisë, fillimisht me ndryshime kushtetuese në Kuvend, e më pas edhe me ndryshime të ligjeve për transformimin e FSK-së dhe të Ministrisë së Mbrojtjes.
Iniciues në të dyja rastet ka qenë ish-Kryeministri Thaçi, i cili mundësoi që Bashkësia Ndërkombëtare të provonte të siguronte për një periudhë kohore përkrahjen e minoritetit serb për ndryshime Kushtetuese për krijimin e Ushtrisë, në të kundërtën pas kësaj periudhe Kosova do ta konsumonte këtë marrëveshje parimore me Bashkësinë Ndërkombëtare, si dhe të drejtën e saj sovrane për formimin e Ushtrisë.
Mirëpo, fjala përfundimtare për miratimin e Ushtrisë së Kosovës, mirëmbajtjen e paqes në rajon dhe mbajtjen nën kontroll të qëndrimit dhe të anëtarëve të NATO-së e cila ka misionin kryesor të sigurisë KFOR-in në Kosovë, i takon Superfuqisë Botërore Shteteve të Bashkuara të Amerikës, që dhe një herë e dëshmoi se jo vetëm që është përkrahësja më e madhe e jona, por edhe se Kosova e pavarur dhe sovrane është produkt i saj. Shtylla kryesore për këtë qëndrim të administratës Amerikane është Sekretari i Mbrojtjes James N. Mattis.
Në një shkrim të mëparshëm para disa muajsh dhe para vendosjes në tavolinë të kësaj çështjeje, kam theksuar se roli i Gjeneralit Mattis si një ndër personat më të besuar të Presidentit Trump është baza themelore e përkrahjes së tanishme Amerikane ndaj Kosovës dhe mund të cilësohet Hero modern i Kosovës. Mbizotërimi i elementit ushtarak me Gjeneralët në krye të institucioneve më të rëndësishme të sigurisë kombëtare amerikane, ka mundësuar përfshirjen e trashëgimisë ushtarake që ka qenë pjesë përbërëse e planifikimeve ushtarake për çlirimin e Kosovës, duke e mbajtur një relacion të kontunitetit në politikën e jashtme amerikane ndaj Kosovës. Ky qëndrim përballë themelimit të Ushtrisë së Kosovës, u dëshmua nga Sekretari i Mbrojtjes Gjenerali Mattis gjatë takimit me Kryeministrin e Kosovës Haradinaj në Pentagon, me dhënien e pëlqimit Amerikan ndaj iniciativës për transformimin e FSK-së në Ushtri, si dhe tani me ushtrimin e rolit Amerikan në NATO-në në favor të krijimit të Ushtrisë së Kosovës.
Pas kornizës ligjore të themelimit të Ushtrisë së Kosovës mbesin në proces një sërë çështjesh që duhet të adresohen e që janë me rëndësi për sigurinë dhe stabilitetin e Kosovës. Çështja e parë është ajo e ridefinimit pozitiv të marrëdhënieve me KFOR-in, misionin e NATO-së në Kosovë, që në fakt mund të shfrytëzohet gjatë kësaj periudhe transitore edhe për sforcimin e sigurisë në pikat nevralgjike të Kosovës.
Bashkëveprimi është i domosdoshëm gjatë periudhës së ngritjes së kapaciteteve të Ushtrisë së re të Kosovës dhe të pranimit të saj në NATO-në, kur edhe misioni i saj do të transformohej në nivelin e sigurisë së përgjithshme të anëtarëve të Organizatës. Kjo është e vetmja qasje në horizont dhe e favorshme për Kosovën, duke e marrë parasysh fqinjin Serbinë i cila ka pretendime territoriale ndaj Kosovës dhe është rreziku kryesor destabilizues ndaj saj.
Themelimi i Ushtrisë mbart në vete edhe përgjegjësi shtetërore që janë të pa negociueshme dhe të padiskutueshme. Përkrahja e zhvillimit të kapaciteteve mbrojtëse ushtarake të Kosovës në nivel kompatibil me ushtritë e shteteve që e rrethojnë dhe përballja e fuqishme dhe e suksesshme me rreziqet e mundshme, është esenciale për sigurinë e Kosovës.
Kosovës i nevojitet një ushtri kredibile dhe me fuqi reale, gjersa krijimi i mundshëm i iluzioneve të madhështisë duke evituar përkrahjen buxhetore, duhet të hidhet poshtë me çdo kusht nga klasa politike e Kosovës, e tanishmja dhe ajo në ardhje. Përkundër faktit që misioni themelor i Ushtrisë së Kosovës është mbrojtja dhe limitohet me ligj nga armët e rënda sulmuese si tanket, veprimet e mundshme ushtarake janë të panumërta. Doktrina ushtarake e armëve të sofistikuara moderne me precizitet të lartë me origjinë Amerikane, sikurse raketat anti-tank Javelin me rreze radiusi 5 km të pakapërcyeshme për çdo tank; artileri të sofistikuara; si dhe më pas në prag të anëtarësimit në NATO-në të sistemit raketor antiajror nën mbikëqyrjen e SHBA-ve, sigurisht që duhet të jetë në agjendën e planifikuesve të strukturës së ushtarëve me karrierë të Ushtrisë dhe Ministrisë së Mbrojtjes së Kosovës. Po ashtu, mundësia e krijimit të industrisë vendore për prodhimin e armëve të lehta dhe municionit ushtarak të nevojshëm duhet të merret parasysh.
Korniza kohore e parashtruar prej 10 vite për plotësimin e tërësishëm të planifikimeve ushtarake për krijimin e kapaciteteve të plota të ushtrisë sonë, nëse marrim parasysh rrethanat historike të nëpërkëmbjes së shoqërisë sonë do të rezultoi me një nxitje dhe veprim më të madh në realizimin e këtyre objektivave edha para kësaj kohe, në një interval 5-7 vite. Si shembull të veprimit në këtë drejtim duhet ta marrim Izraelin, i cili ka investuar jashtëzakonisht shumë në sigurinë dhe industrinë respektive, duke a marrë fatin e vet në dorë tij, por me ndihmën e madhe Amerikane. Shpresojmë që e njëjta përkrahje dhe vetëdijesim për investim në sigurinë dhe stabilitetin vetanak, të ndodhë edhe me rastin e Kosovës.
Motoja e mos përzierjes së politikanëve në çështje ushtarake, përpos në misionin në shërbim të qytetarëve dhe mbikqyrjes së kompetencave të saja në përputhje me Kushtetutën, duhet të jetë imperativ.
Furnizimi vetëm me pajisje ushtarake Amerikane është një çështje që nuk vihet në diskutim. Kjo situatë duhet të na rikujtoj edhe një veprim që Qeveria e Kosovës duhet ta ndërmarrë menjëherë, heqjen e doganës për të gjitha produktet të prodhuara në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, si një çështje më e vogla që mund të bëhet duke e marrë parasysh reciprocitetin e 0% doganë që produktet e Kosovës kanë me hyrjen në tregun Amerikan, si dhe në shenjë falënderimi për përkrahjen e jashtëzakonshme për çlirimin, pavarësinë dhe sendërtimin e shtetësisë së Kosovës.
Krijimi i ushtrisë së Kosovës përmbyll procesin e vetëm të mbetur të pavarësimit të Kosovës, ofron sigurinë e domosdoshme për shtetasit e saj dhe krijon një perspektiv të ngritjes së sigurisë dhe stabilitetit në Evropën Juglindore dhe më gjerë.
URIME PËR USHTRINË E KOSOVËS – LAVDI DËSHMORËVE!