“Jetimat e Ballkanit” dhe Komuna e Malishevës nënshkruan marrëveshje për ndërtimin e pesë shtëpive
Kryetari i Komunës së Malishevës, Ragip Begaj, dhe udhëheqësi i Shoqatës Bamirëse “Jetimat e Ballkanit, Halil Kastrati, kanë nënshkruar një marrëveshje bashkëpunimi dhe bashkëfinancimi për ndërtimin edhe të pesë shtëpive për familjet me kushte të rënda ekonomike dhe sociale.
Bazuar në marrëveshjen e nënshkruar, Shoqata “Jetimat e Ballkanit”, do ta zbatojnë projektin e ndërtimit të shtëpive, sipas programit çelësat në dorë, ndërsa mjetet do të jenë në bashkëfinancim me komunën, ku Shoqata
“Jetimat e Ballkanit”, marrin përsipër që të marrin pjesë me mjete në shumën prej 75 për qind, ndërsa Komuna e Malishevës me shumën prej 25 për qind.
Ndërtimi i shtëpive, bazuar në marrëveshjen e nënshkruar do të bëhet brenda vitit 2019.
Kjo marrëveshje është bërë në kuadër të bashkëpunimit të mirë, në mes të Komunës së Malishevës dhe shoqatës bamirëse “Jetimat e Ballkanik” dhe është vazhdim i ndërtimit të përbashkët të shtëpive për familjet në nevojë, në Komunën e Malishevës.
Kryetari i Komunës së Malishevës, Ragip Begaj, e ka falënderuar Halil Kastratin dhe shoqatën “Jetimat e Ballkanit”, për angazhimin e tyre, në ofrimin e ndihmës për rastet në nevojë, në Komunën e Malishevës.
/Epoka e re/