‘Jetimat e Ballkanit’ ndihmojnë Gjilanin me 100 pako ushqimore
Organizata humanitare “Jetimat e Ballkanit”, iu ka dalë në mbështetje 100 familjeve në nevojë në Komunën e Gjilanit, me qëllim të përballimit sa më të lehtë të situatës së krijuar.
Kryetari i Gjilanit, Lutfi Haziri, ka falënderuar shoqatën “Jetimat e Ballkanit” dhe hoxhën Halil Kastrati, për mbështetjen e vazhdueshme, duke thënë se deri më tani jemi në partneritet të plotë për ndërtimin e shtëpive për familje pa strehë dhe në kuadër të kësaj.
“Gjilani sot ka pranuar mbështetjen edhe në pako ushqimore nga kjo shoqatë. Në këtë kohë kur jemi në luftë të vazhdueshme me të panjohurën, me këtë pandemi, ‘Jetimat e Ballkanit’ po shpërndajnë ndihma për rastet me gjendje të rëndë ekonomike dhe sociale. Do të vazhdojmë aksionin për të gjitha ato raste që është i nevojshëm intervenimi, pakot ushqimore janë duke u shpërndarë nga ekipet e Komunës së Gjilanit dhe kanë qëllimin që asnjë familje të mos e ketë të zbrazet sofrën e ushqimit”.
Ndërsa Halil Kastrati nga “Jetimat e Ballkanit”, ka thënë se sot në Gjilan janë sjellë pako ushqimore për 100 familje të cilat përmbajnë produkte të ndryshme ushqimore dhe higjienike.
“Sot kemi bërë shpërndarjen gjithandej nëpër qytete të ndryshme nëpër Kosovë. Janë pako ushqimore, higjienike dhe miell për 100 familje. Lusim Zotin që ta tejkalojmë këtë gjendje të vështirë së bashku të pandemisë e cila ka përfshirë gjithë botën”, ka thënë Kastrati.