Jevtiq: Themelimi i Asociacionit, hap i domosdoshëm për rifillimin e dialogut
Ministri për Komunitete dhe Kthim, Dalibor Jevtiq është takuar në Uashington me zëvendës-ndihmës sekretarin amerikan të Shtetit, Matthew Palmer, me të cilin ka diskutuar për situatën aktuale në Kosovë.
Temë diskutimi në këtë takim ka qenë edhe pozita e serbëve në Kosovë, ndërsa Palmer ka shprehur mirëkuptimin dhe mbështetjen për të gjitha proceset që i kontribuojnë stabilitetit. “Ka shumë sfida që na presin këtë vit. Ne duhet zgjidhur disa nga problemet në mënyrë që i gjithë rajoni i Ballkanit Perëndimor të ecë përpara dhe të bëhet pjesë e BE-së. Mbështetja e SHBA-ve për arritjen e paqes dhe stabilitetit të qëndrueshëm në Kosovë ka rëndësi të madhe. Ndërsa vrasja e Oliver Ivanoviqit kërkon një përgjigje në pyetjen kush dhe pse e bëri këtë krim”, është shprehur Jevtiq, transmeton “lajmi.net”. Ai ka theksuar se vazhdimi i dialogut mes Beogradit dhe Prishtinës është i një rëndësie të madhe, dhe formimi i komunave me shumicë serbe është hap i domosdoshëm për rifillimin e dialogut.
Jevtiq ka diskutuar edhe rreth kthimit të zhvendosurve në shtëpitë e tyre dhe pengesat në rrugën e kthimit.