“Jini të gatshëm kur të vijë treni” – mesazhi që Hovenier, Orav e Rohde i çuan Qeverisë për dialogun
Ambasadori i SHBA-së, ai i BE-së në fjalimin e tij të parë publik që nga ardhja në Kosovë, si dhe ai i Gjermanisë dërguan mesazhe të qarta për Qeverinë e Kosovës për procesin e dialogut me Serbinë. Komentet ata i bënë nga e njëjta foltore – e Samitit të Kosovës për Paqe dhe Demokraci në Prishtinë.
Ambasadori amerikan në Kosovë, Jeff Hovenier, kërkoi qasje më serioze nga Kosova dhe Serbia në procesin e lehtësuar nga Brukseli. Ai bëri me dije se në vendin e tij do të ketë ndryshim të qeverisë, ndërsa përmendi edhe ndryshimin që u bë në Bashkimin Europian me zgjedhjet e fundit.
“Ajo që na duhet është t’i jepet fund marrjes përsipër të detyrimeve të cilat nuk zbatohen. Na duhet një seriozitet dhe qëllim në këtë dialog. Mund ta quani riformatim, ripërkushtim, qasje të re apo qasje më energjike, por kjo është absolutisht e nevojshme dhe kjo duhet bërë nga të gjitha palët. Ka mundësi të shumta për ta bërë një gjë të tillë. Qeveria ime do të ndryshojë me 20 janar, Bashkimi Europian ka përfunduar zgjedhjet dhe ka një strukturë të re udhëheqëse, prandaj qartazi është një moment thelbësor për të parë ku jemi, ku duam të shkojmë dhe të bëjmë disa ndryshime”, tha ai.
Përkundër ndryshimit që do të ndodhë në SHBA me zgjedhjet që do të mbahen në nëntor, Hovenier tregoi që synimi i qartë i vendit të tij është njohja reciproke që duhet të ndodhë në fund të procesit.
“Njohja reciproke mbetet synimi kryesor i Shteteve të Bashkuara sa i përket normalizimit të marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë, kjo është më se e qartë. Ne presim të dyja palët të veprojnë plotësisht në përputhje me të gjitha detyrimet e dala nga dialogu dhe presim që ato ta marrin seriozisht dialogun”, tha Hovenier.
Ambasadori amerikan në këtë fjalim e tha troç për të gjithë ata që sugjerojnë se mund të ketë rrugë tjetër për Kosovën drejt BE-së veç dialogut.
“Disa nga gjërat që unë i shoh shumë befasuese nga bisedat e mia me akterë këtu në Kosovë është: janë sugjerimet e padeklaruara se ka një rrugë përveç dialogut. Është një sugjerim se amerikanët, apo gjermanët apo njerëzit tuaj favoritë, në ndonjë mënyrë veç do të kërcasim gishtat tonë ose do ta përdorin shkopin magjik dhe të bëjnë bisedat e duhura dhe këto probleme do të zgjidhen dhe Kosova do të jetë menjëherë anëtare me të drejta të plota e NATO-s dhe BE-së. Bota nuk funksionin kështu dhe duhet të jem i qartë për këtë”.
Hovenier tha se Kosova duhet të fitojë edhe njohjen e shteteve anëtare të BE-së dhe NATO-s që vazhdojnë të mos e njohin pavarësinë e Kosovës.
“Ju duhet t’i bindeni ato. Ne duam të ndihmojmë”.
“Gjyshi im njëherë thoshte dhe më falni për natyrën paksa të pagdhendur të saj [thënies]: Nëse dëshironi t’i bashkoheni një klubi, mos urinoni në dyert e shtëpisë së klubit”.
Ndërsa, ambasadori i ri i BE-së në Kosovë, Avio Orav, në fjalimin e tij të parë publik që nga marrja e këtij posti tha se ka kohë që thuhet se Ballkani Perëndimor i takon BE-së, por thotë se lufta e presidentit rus, Vladimir Putin, nxiti gjërat dhe se procesi i anëtarësimit është më serioz tani.
“Ky është fjalimi im i parë publik sot. Po filloj fjalimin me fjalinë se vendi i Ballkanit Perëndimor është në Bashkimin Europian. Dhe këtë e keni dëgjuar shumë herë dhe unë e kam thënë shumë shpesh edhe më herët sepse kam qenë ambasador në Maqedoninë e Veriut dhe Mal të Zi.
Ai tha se “tash që e nisi fjalimin me këtë fjalinë vërtetë e besoj këtë”.
“Procesi i zgjerimit është kredibil sërish. Është më serioz se 10 vjetët e fundit përpara vitit 2022…Ne kemi luftë tani dhe askush nuk beson që diçka e ngjashme mund të ndodhë prapë”.
Ai tha se para se të fillonte lufta në Ukrainë ishin raportet e inteligjencës dhe lajme që thoshin se “lufta do të nisë nesër”.
“Ndjenjë e tmerrshme. Ne e dinim dhe nuk ishim në gjendje të bënim absolutisht asgjë. Në të njëjtën kohë, BE vazhdon të jetë projekti më i suksesshëm i paqes në botë. Që nga Lufta e Dytë Botërore nuk ka pasë luftë në territorin e BE-së. Dhe në të njëjtën kohë”.
Orav tha se për këtë arsye BE është tërheqës për “vende si i juaji”.
“Detyrat e shtëpisë duhet të bëhen. Ky është mesazhi për qeveritë”.
Ai tha se është në dijeni se ka pritje të reja nga udhëheqja e re në BE.
“Më duhet ta theksoj procesin e normalizimit të marrëdhënieve mes Prishtinës e Beogradit nëpërmjet dialogut, sepse është absolutisht thelbësore. E di që ka pritshmëri nga struktura e re udhëheqëse dhe do të doja të citoj diçka nga mandati që më është dhënë prej 27 vendeve anëtare që thotë se ‘duhet të promovoj një Kosovë të qëndrueshme, paqësore, demokratike dhe shumetnike e cila angazhohet në bashkëpunimin rajonal’ dhe këtë do ta bëj. Si përfundim ka një momentum të ri për të gjithë ne dhe mesazhi im për të gjithë është të jeni të gatshëm që kur treni të vijë të mos jeni vonë”, tha ai.
Edhe ambasadori gjerman, Jorn Rohde, përforcoi mesazhin e ambasadorit të bllokut ku Gjermania është ndër shtetet me rol kryesor. Ai përmendi edhe angazhimin që Kosova duhet ta ketë rreth krijimit të Asociacionit.
Ai tha se pengesa më e madhe në normalizimin e marrëdhënieve Kosovë – Serbi është mungesa e tërësishme e vullnetit politik nga të dyja palët, duke ju referuar moszbatimit të marrëveshjes së Ohrit për të cilën palët ranë dakord vitin e kaluar.
“Na duhet një riangazhim urgjent. Ka një ekip të ri në Bruksel dhe unë e them dhe e rithem sërish se Kosova duhet të jetë aktive në çështjen e Asociacionit të komunave me shumicë serbe, sepse kjo është një rrugë e qartë edhe për integrimin e pakicës serbe në vend. Por, gjithashtu kjo do të jepte sinjal se për Kosovën marrëveshja e Ohrit është ende e gjallë. Në të kundërtën Bashkimi Evropian mbetet i pakapshëm për Kosovën dhe Serbinë sepse nuk mund t’i bindësh vendet anëtare të bllokut pa qenë në gjendje të bësh minimumin”, tha ai./Express