Jo më fushatë për gjuhën shqipe! Duhet ta zyrtarizojmë në të gjithë Maqedoninë!
Shkruan: Astrit Gashi
Gjuha shqipe është një e drejtë e patjetërsueshme dhe duhet të mbrohet nga secili prej nesh, kudo që ndodhemi. Secili individ duhet të insistojë që dokumentet dhe komunikimet zyrtare të jenë të përkthyera në të dyja gjuhët (shqip dhe maqedonisht). Në rastet kur kjo nuk respektohet, duhet të ndërmerren hapa ligjorë për të sfiduar ligjshmërinë e dokumenteve që nuk përmbushin këtë standard.
Në rrethanat aktuale, deputetët shqiptarë përballen me sfida të mëdha, pasi shpesh janë të tejkaluar numerikisht nga votat e deputetëve maqedonas. Megjithatë, askush nuk i ka faj që nuk zgjedhin të rrethohen me njerëz të ndershëm e të përkushtuar, që punojnë vazhdimisht për avancimin e gjuhës shqipe dhe të drejtave të shqiptarëve. Mjaft më me njerëz që punojnë kundër interesave shqiptare, të cilët ditën shfaqen si patriotë, ndërsa natën bashkëpunojnë me ata që kanë probleme me identitetin e tyre dhe janë kundër gjuhës sonë. Shokët e Sashës e kanë vendin në Shutkë!
Me rreth 30% të popullsisë që përbëhet nga shqiptarët, gjuha shqipe duhet të jetë zyrtare në çdo nivel dhe institucion, pa përjashtim. Në këtë drejtim, të gjithë shqiptarët duhet të jenë të bashkuar dhe të vendosur në mbrojtjen e kësaj të drejte legjitime. Vetëm përmes unitetit dhe përkushtimit mund të sigurojmë barazinë e plotë gjuhësore dhe kulturore.
Gjykata Kushtetuese, deri më tani, nuk ka bërë asgjë konkrete; vetëm ka shtyrë çështjen, duke kërkuar një moment tjetër për diskutim. Mjaft më! Pozitë e opozitë sot nuk ka vend për lojëra politike kur është në pyetje gjuha shqipe!
Kjo nuk është çështje kompromisi, është një e drejtë që na takon!