Jo muze Sulltan pushtuesit në Prishtinë
Shkruan: Sali Bislimi
Restaurimi i ish-Hamamit të Prishtinës në muze të Sulltan Mehmet Pushtuesit të II-të,i financuar nga Komuna e Shpend Ahmetit dhe OJQ antishqiptare TIKA, është një vendim sa i çmendur po aq i ligë dhe i dëmshëm kombëtarisht.
Sulltan Mehmeti Pushtuesi është njëri ndër kundërshtarët me të egër të Gjergj Kastriotit-Skënderbeut dhe njëri nder vrasësit më mizor të popullatës shqiptare të asaj periudhe!
Kjo ide është përdhosje e historisë kombëtare, është poshtërim i ndjenjave të popullit tonë për liri, në fakt është denigrim i moralit tonë si popull dhe si komb.
Kjo është ngjashme me ide sikur t’i ndërtohet përmendore Rankoviqit, Arkanit apo Millosheviqit në Prishtinë, në kryeqytetin e Dardanisë, ku akoma nuk po i gjendet vendi i ndërtimit të përmendoreve për Adem Jasharin, Anton Çetten, Pjetër Bogdanin, Hasan Prishtinën dhe qindra kolos të kombit tonë të rënë e të sakrifikuar për idealet tona kombëtare të lirisë.
Frustrimet neootomaniste të një ish-perandorie të ngordhur, për t’u ringjallur mbi gërmadhat e saj në trojet etnike shqiptare, janë provokim i rëndë për lirinë tonë dhe perspektiven euroatlantike të popullit shqiptar.
Shpend Ahmeti edhe mund të jetë në lajthitje apo një mercenar i neootomanizmit, por populli liridashës i Kosovës, nuk do të duhej të lejonte rehabilitimet e atyre që dikur ishin vrasës barbarë të qenies sonë kombëtare, qofshin ata sulltana otoman apo krajla serbian.
(Autori është drejtor i OJQ “Zëri Perëndimor i Kosovës”)