Jo në Drenicë, por në Prishtinë është problemi i PDK-së

19 shkurt 2025 | 11:49

Shkruan: Astrit Gashi

Në çdo betejë politike, është më e lehtë të kërkosh fajtorin sesa të analizosh shkaqet e vërteta të një disfate. Pas zgjedhjeve parlamentare të 9 shkurtit 2025, në vend që të shtrihet një reflektim i thellë mbi strategjitë dhe gabimet e opozitës, debati është përqendruar te një argument i thjeshtë, por i pavend: pse Drenica ka përfaqësim të fortë në PDK?
Në realitet, problemi i PDK-së nuk është në bastionet e saj, por në kryeqytet, në qytetet e mëdha, aty ku fushatat nuk patën efekt dhe ku mesazhi politik u zbeh në kaosin e konkurrencës së ideve dhe mungesës së një vizioni të qartë. Drenasi dhe Skenderaj, si gjithmonë, u mobilizuan, duke dhënë mbi 71% dhe 76% të votave për PDK-në, duke treguar edhe një herë se mbështetja e tyre është e palëkundur. Por fitorja në bastione nuk mjafton; ajo duhet të kombinohet me zgjerimin në zona të tjera për të siguruar suksesin politik.
Në vend që të analizojë rrjedhën e votave dhe të kuptojë pse qytete si Prishtina, Mitrovica dhe Prizreni, Ferizaj e shumë komuna ku kishin pushtetin komunal nuk ofruan përkrahjen e pritur, vëmendja është përqendruar gabimisht në faktin se disa nga deputetët e PDK-së vijnë nga Drenica. Në një sistem demokratik, çdo komunë voton kandidatët e saj, ashtu si ndodh në çdo vend të botës. Askush nuk i ndalon votuesit e Prishtinës të mbështesin një kandidat të PDK-së në masë të madhe, por fakti që kjo nuk ndodhi tregon një problem më të thellë: mungesa e një strategjie për të depërtuar në qytete të mëdha dhe për të mobilizuar elektoratin e pavendosur.
Bedri Hamza, një figurë e respektuar, por me ndikim të kufizuar në terren, nuk arriti të mbrojë Mitrovicën kryetar i se cilës është tani një qytet ku PDK dikur mbizotëronte. Memli Krasniqi, si kryetar partie, nuk arriti të krijojë një vizion të qartë që të frymëzonte votuesit jashtë bastioneve tradicionale ku ai nuk ishte i deshiruar si liberal. Ai nuk e unifikoi partinë dhe nuk ofroi një alternativë të qartë politike për të rinjtë, të cilët u rreshtuan masivisht pas LVV-së.
Në Prishtinë, ku votuan mbi 116,700 qytetarë, PDK mori një përqindje të ulët, edhe pse kishte kandidatë të renditur lart në listë. Ky nuk është problem i Drenicës, por një dështim organizativ dhe strategjik. Po të kishte një program të fuqishëm dhe një fushatë më të mirë, rezultati do të ishte ndryshe.
PDK është një parti që dikur shtrihej fuqishëm në të gjithë Kosovën. Sot, ajo rrezikon të mbetet një parti e bastioneve, nëse nuk arrin të rikthehet në skenën kombëtare me një vizion të qartë dhe një lidership më karizmatik. Faji nuk është te votuesit e Drenicës që mbeten besnikë, por te ata që nuk arritën të bindin votuesit e Prishtinës, Prizrenit dhe Mitrovicës, Ferizajt.
Në fund të fundit, asnjë parti nuk mund të fajësojë bastionet e saj për suksesin e tyre; përkundrazi, duhet të mësojë nga kjo trevë që ishte dhe është kapitulli i parë i ndryshimit dhe të punojë për të zgjeruar mbështetjen edhe në zona të tjera. Nëse PDK nuk e kupton këtë, atëherë nuk është Drenica problemi por ata që nuk duan ta shohin të vërtetën. Siq po lexohet rezultati si liberal deshtuat tashmë duhet një lider i ri!

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Presidenti i ShBA-së, Donald Trump, tha më 18 shkurt se…