Jo revolucion në BE

30 maj 2019 | 12:39

Bernd Riegert

Përpara votimit, partitë më të mëdha të qendrës në Evropë, i deklaruan zgjedhjet e së dielës në Parlamentin Evropian si një lëvizje shumë të rëndësishme dhe pikë potenciale kthese.

Tashmë ne shohim që dy të tretat e elektoratit zgjodhën parti pro-evropiane. Marrja nën kontroll nga blloku i partive populiste  të djathta, siç ishte premtuar nga ministri i Brendshëm Italian Mateo Salvini, nuk u konkretizua. Modeli i bllokut liberal-demokrat ka qenë këmbëngulës, megjithëse disa pjesë të Evropës shfaqin tendenca shqetësuese.

Për herë të dytë radhazi, populistët francezë të ekstremit të djathtë kanë dalë fitimtarë në zgjedhjet e BE-së. Në Itali, Lega e ekstremistit të djathtë të Salvinit fitoi shumicën e votave. Në Hungari, populistët e krahut të djathtë janë tashmë në pushtet dhe sërish mblodhën mbi 50% të votave. Dhe në Poloni, e cila udhëhiqet gjithashtu nga një parti nacionaliste-konservatore, kjo e fundit siguroi gjithashtu një fitore.

Në Gjermani, Austri, Danimarkë, Holandë dhe Spanjë, gjithsesi partitë populiste të djathta morën më pak vota seç pritej. Prandaj ndërsa do të ketë një rritje të nacionalistëve në Parlamentin Evropian, kjo duhet të jetë e përballueshme. Teksa ata do ta kenë të pamundur të jenë një grup koherent, thjesht do të menaxhojnë ngadalësimin e situatës sesa të pengojnë procesin evropian.

Ndryshim i balancuar, por pro-europianët qëndrojnë të fortë

Zgjedhjet ishin një pikë kthese me vështrimin tek çështjet mjedisore dhe ndryshimet klimatike. Një valë e vërtetë e të Gjelbërve përfshiu disa zona të Evropës, duke qenë se partitë mjedisore bënë punë më të mirë seç pritej. Së bashku ata me shumë mundësi do të krijojnë një grup brenda Parlamentit Evropian, i cili do të jetë më i madh se ai i populistëve të ekstremit të djathtë – një arritje madhore.

Dukshëm, protestat mbi klimën gjatë javëve dhe muajve të fundit ndihmuan që të rinjtë të votojnë për të Gjelbrit. Por vetëm në disa pjesë të Evropës Perëndimore, kryesisht në Gjermani, Francë, Luksemburg dhe Finlandë. Në Evropën Jugore dhe Lindore nuk ka parti të Gjelbërta me ndikim dhe aktivistja suedeze e klimës Greta Thunberg nuk ka ndikim atje.

Ndërkohë të ashtuquajturat partitë e mëdha të qendrës në Evropë, pësuan humbje të konsiderueshme. Konservatorët dhe socialdemokratët humbën thuajse aq sa fituan të gjelbrit dhe liberalët. Që do të thotë se partitë e mëdha evropiane duhet të mbështeten tashmë tek liberalët dhe me shumë mundësi edhe tek të gjelbrit, për krijimin e shumicave parlamentare.

Kjo do të qartësohet gjatë samitit të posaçëm të së martës të Bashkimit Evropian, ku drejtuesit e krerëve të shteteve dhe qeverive do të diskutojnë se cili do të marrë pozicione kyçe drejtuese. Parimi i vjetër se fituesi kryesor i grupit më të madh, në këtë rast konservatorët e qendrës të Partisë Popullore Evropiane duhet automatikisht të marrin presidencën e Komisionit Evropian, është bërë i papërshtatshëm. Kjo nuk është shenjë e mirë për liderin e saj ambicioz, Manfred Weber.

Veçantitë kombëtare

Rezultatet e këtyre zgjedhjeve kaq të rëndësishme tregojnë dy gjëra: Bashkimi Evropian vazhdon – por me parlament shumë të copëzuar. Javën e kaluar votuan shumë më tepër njerëz seç priteshin. Që ta pranojmë, një pjesëmarrje prej 50% nuk është shumë – megjithëse është më e larta e 20 viteve të fundit.

Gjermania, Franca, Spanja dhe Polonia patën rritjen më të lartë në këtë pjesëmarrje votuesish. Edhe në Mbretërinë e Bashkuar, aty ku Brexit nënkupton që vota s’ka ndonjë rëndësi thelbësore, pati gjithashtu një rritje të pjesëmarrjes. Shumë votues zgjodhën partinë Brexit. Gjithsesi një numër i konsiderueshëm i elektoratit votoi për liberal-demokratët pro-europianë.

Pra, çfarë do të thotë e gjithë kjo? Bashkimi Evropian mbetet ai çka ka qenë: një vend me një përzierje shumë heterogjene, që vazhdimisht duhet të gjejë kompromise. Ky është fati dhe barra e tij./dw/

 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Organizuar nga Ministria e Diasporës dhe Investimeve Strategjike, nxënës të…