Jo tentim gjenocidi, por gjenocid
Ismet Hajrullahu
Surroi, për t’ua bërë qejfin qarqeve të disa shteteve që tradicionalisht e mbështesin Serbinë, duke e mohuar gjenocidin, apo duke reduktuar atë në “tentim për gjenocid”, jo vetëm se nuk ndihmon në zgjidhjen e çështjeve ende të pazgjidhura të Kosovës por, në fakt, ushqen edhe më shumë krizën për konflikte të mëtejshme.
“Historia e vërtetë e njerëzimit do të shkruhet vetëm atëherë kur në të të marrin pjesë shqiptarët” Maksmilan Lambertz
Historikisht, Serbia, Mali i Zi, Mbretëria Jugosllave, në periudhën midis dy luftërave botërore si dhe Jugosllavia e Titos dhe e Millosheviqit ushtruan një gjenocid të vazhdueshëm e të paparë ndonjëherë, vetëm për ta nënshtruar e asimiluar ose shpërngulur popullsinë shqiptare, duke synuar shkombëtarizimin dhe sllavizimin apo edhe turqizimin e tyre. Lidhur me këtë çështje dua të përmend disa fakte historike që tregojnë qartazi gjenocidin serb të ushtruar në vazhdimësi mbi shqiptarët dhe që hedhin poshtë mendimin e z. Surroi se në Kosovë është bërë vetëm një “tentim gjenocidi”.
Në vitin 1878, gjatë pushtimit të “Serbisë së Jugut” (Sanxhakut të Nishit), nga ushtritë serbe u vranë mbi 35 000 shqiptarë, ndërsa u dëbuan duke i spastruar etnikisht ato hapësira mbi 300 000 shqiptarë. Kjo metodë e spastrimit etnik është ndjekur në vazhdimësi ndaj shqiptarëve. Vetëm gjatë “Masakrës së vjeshtës” të vitit 1912, sipas një raporti të fshehtë të përfaqësisë austriake në Shkup, del se nga ushtria serbe janë vrarë 47 000 shqiptarë. Po në periudhën 1912-1914 u dëbuan nga trevat e veta në mënyrën më çnjerëzore rreth 302 907 shqiptarë. Në vitet 1951-1966 të Jugosllavisë titiste u dëbuan nga Kosova edhe 450 821 shqiptarë.
Brenda këtyre periudhave kohore, po të bëjmë një kalkulim të thjeshtë, del se nga Kosova me të gjitha viset që u shkëputën me dhunë nga trungu i saj, del se Serbia dëboi në mënyrën më barbare mbi 1 030 127 shqiptarë, të cilëve nuk iu lejua kurrë më të kthehen në trevat dhe pasuritë e tyre. Ndërsa sa i përket gjenocidit të fundit serb në Kosovë, të cilin z. Surroi po e quan “tentim gjenocidi”, gjatë Luftës Nacional Çlirimtare të organizuar nga UÇK-ja, Serbia vrau mbi 15 000 shqiptarë, mbi 90 për qind të të cilëve ishin të paarmatosur, gra, fëmijë e pleq. Po gjatë kësaj kohe janë përdhunuar mbi 20 000 femra shqiptare, janë zhdukur mbi 3 000 shqiptarë, një pjesë e të cilëve, për qëllime krejtësisht politike, edhe për së vdekuri, ende po mbahen pengë nga Serbia.
Sipas një raporti të UNHCR-së të publikuar në qershor të vitit 1999, thuhet se 443 300 shqiptarë janë dëbuar me dhunë nga Kosova në drejtim të Shqipërisë, 225 000 mijë në Maqedoni, 64 mijë në Mal të Zi, 20 mijë në Bosnje, 22 mijë në Sanxhak, mbi 15 mijë në Turqi, 6 mijë në Kroaci, 3 mijë në Bullgari e shumë e shumë të tjerë në vendet të Evropës, ShBA-së, Australisë e Kanadasë, të cilët vetëm falë luftës heroike të UÇK-së dhe ndërhyrjes me kohë të faktorit ndërkombëtar mund të kthehen në vatrat e veta. Gjithashtu, edhe mbi 850 mijë shqiptarë të tjerë, që mbetën në Kosovë, u detyruan të fshiheshin maleve dhe nëpër vende të tjera për t’i shpëtuar zhdukjes së plotë fizike.
Serbia nuk u ngop vetëm me vrasje dhe dëbime të shqiptarëve, por ajo shkatërroi dhe dogji mbi 1 100 vendbanime shqiptare, mbi 200 000 mijë shtëpi, lokale afariste, shkolla, monumente kulturore etj. Gjithashtu, ajo ka sekuestruar dokumentet e gjendjes civile, ka grabitur pensionet e shqiptarëve, dokumentet kadastrale etj.
Këto fakte dhe shifra tregojnë se Serbia në vazhdimësi ka ushtruar dhunë e gjenocid të paparë ndonjëherë në Evropën e qytetëruar. Prandaj, z. Surroi, për t’ua bërë qejfin qarqeve të disa shteteve që tradicionalisht e mbështesin Serbinë, duke e mohuar gjenocidin, apo duke reduktuar atë në “tentim për gjenocid”, jo vetëm se nuk ndihmon në zgjidhjen e çështjeve ende të pazgjidhura të Kosovës por, në fakt, ushqen edhe më shumë krizën për konflikte të mëtejshme.
Besoj se z. Surroi e di mirë përkufizimin e fjalës gjenocid, që ka të bëjë me dhunën e egër, shfarosjes së plotë a po të pjesshme të një popullsie ose grupeve të vogla kombëtare që bëhen nga qeveri shoviniste.
Pas të gjitha këtyre fakteve rrëqethëse historike të pakontestueshme, të cilat kanë tronditur botën e civilizuar, ta mohosh gjenocidin serb ndaj shqiptarëve të ushtruar në vazhdimësi do të thotë të jesh me apo pa vetëdije pjesë e skenarëve të ndryshëm antishqiptarë.
Ndoshta, z. Surroi do të bënte më mirë sikur në këto çaste para palës serbe ta hapte çështjen e shqiptarëve të dëbuar me dhunë që nga viti 1878 e këtej. Rikthimi i shqiptarëve “Muhaxherë” në trevat dhe pasuritë e tyre, kur Serbia kërkon kthimin e të zhvendosurve në Kosovë, është më se i domosdoshëm, i drejtë dhe i pranueshëm për botën e civilizuar. Nëse një gjë e tillë për ndokënd do të dukej gjoja e pamundur, për shkak të kohës së gjatë që ka kaluar, edhe pse kjo nuk qëndron, së paku të negociohet me palën serbe, që të dëbuarve t’u rikthehen apo t’u kompensohen pasuritë e grabitura nga kolonizatorët serbë.
Shpresoj që fjala “tentim gjenocidi” e përdorur në fjalimin e z. Surroi në “Takimin e elefantëve” në Vjenë të jetë vetëm një lajthitje e tij e momentit dhe jo qëndrim zyrtar i “Grupit të Unitetit”
(Ky shkrim është botuar në vitin 2006 në gazetën “Lajm”)