Jo vetëm nënkryetarja: Edhe punëtorë tjerë serbë të Leposaviqit konsumojnë kokainë në zyrë, dyshohet edhe për një polic
Kokaina në komunën e Leposaviqit gjatë kohës së ngujimit të Lulzim Hetemit po del të ketë qenë mjaft e pranishme.
Përveç nënkryetares së Leposaviqit, Dragana Milletiqit, e cila u shkarkua, të përfshirë ka edhe punëtorë tjerë që paguhen nga buxheti i Republikës së Kosovës.
Madje, dy prej punëtorëve, marrin drogë në zyrën e njëjtë ku shihej duke konsumuar edhe nënkryetarja tashmë e shkarkuar, Milletiq.
Nacionale i posedon edhe emrat e këtyre punëtorë të komunës, por nuk do t’i publikojë për të mos ndikuar në hetimet e Prokurorisë. Le t’i ndjekim pamjet.
Përveç punëtorëve, Nacionale nga burimet e veta ka siguruar edhe pamje të tjera, ku shihen punëtorë tjerë të komunës. Madje, dyshohet se në pamjet që do t’i shihni në vazhdim, është i përfshirë edhe një polic serb me inicialet P.R.
Gazeta e ka konfirmuar se në listat e Policisë në Leposaviq është një polic me të njëjtat të dhëna që i posedojmë edhe ne. Pra, ai figuron në listat e zyrtarëve policorë. Megjithatë, emrin e zyrtarit policor nuk do ta publikojmë, derisa të ketë një konfirmim nga institucionet të cilat e kanë emrin. Le ta ndjekim materialin e parë.
Se mund të ketë qenë polic, kjo konfirmohet edhe nga ironitë e ofendimet që i bëhen Policisë nga personat e tjerë në videon e dytë ku konsumohet droga. Le ta ndjekim materialin e dytë.
Gazeta Nacionale tashmë i ka dorëzuar në institucionet e sigurisë e drejtësisë të gjitha këto materiale, dhe ata kanë vazhduar hetimet për kryerjen e veprave penale të cilat sanksionohen me Kodin Penal të Kosovës.
Në anën tjetër, pas publikimit të pamjeve nga Nacionale, është shkarkuar nënkryetarja e Leposaviqit, Dragana Miletiq.
Kurse, kryetari i komunës Lulzim Hetemi paralajmëroi se do të shkarkohen të gjithë ata që vërtetohet se kanë qenë të përfshirë në veprime të tilla.
Prokuroria e Mitrovicës në anën tjetër, doli me komunikatë duke konfirmuar nisjen e hetimeve.
“Prokuroria Themelore në Mitrovicë njofton opinionin se përkitazi me publikimin e video incizimit të portalit Nacionale, publikuar me datë 29 janar 2024, me qëllim të ndriçimit të gjitha fakteve dhe rrethanave, ka autorizuar Policinë e Kosovës – Drejtorinë për Hetimin e Trafikimit me Narkotikë (DHTN) në Prishtinë, që të ndërmarrë të gjitha veprimet hetimore lidhur me hetimin e këtij rasti, që ka të bëjë me persona të përfshirë që shihen në videot e publikuara, përfshirë identifikimin e të gjithë personave, pastaj mbledhjen e provave – video incizimeve të portalit Nacionale, dhe provave tjera relevante që janë të nevojshme për hetimin dhe ndriçimin e këtij rasti, në drejtim të veprës penale “Blerja, posedimi, shpërndarja dhe shitja e paautorizuar e narkotikëve, substancave psikotrope dhe analoge” nga neni 267 lidhur me nenin 275 paragrafi 1 pika 1.2 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës”, thuhet në komunikatë. Nacionale