Jo zero, por një mal problemesh me fqinjët
Prof. Lisen Bashkurti
Brenda pak ditëve, lajme të kobshme erdhën nga Greqia, shumë shqiptarë të moshuar dhe të rinj u vranë nga shtetas grek. Mediet dhanë informacione dhe komente të ndryshme. Nuk munduan deklaratat politike e diplomatike. Prapa opinioneve, komenteve dhe deklaratave duket qartë se ka një frymë në rritje albanofobie në vendin e popullin fqinjë të Shqipërisë. Një tendencë në rritje të ksenofobive po vërehet në mbarë Ballkanin, por edhe në Evropë.
1. Mbi ksenofobitë
Ksenofobitë janë tërësia e ndjenjave të urrejtjes, frikës dhe armiqësisë që të ngjizura së bashku nxisin përkeqësim të marrëdhënieve ndërmjet popujve. Këtë dukuri sa të vjetër dhe të re Ballkani e ka shumë më të pranishme.
Frika, urrejtja dhe armiqësitë Ballkanike vërehen në nivelin e pakënaqshëm të marrëdhënieve ndërmjet popujve, komuniteteve fetare, pakicave etnike e kulturore, kategorive të ndryshme shoqërore, grupeve të interesit, familjeve, fqinjëve, madje edhe individëve të thjeshtë me origjinë të ndryshme.
Frikën, urrejtjen dhe armiqësitë Ballkanike i mbajnë gjallë jehona e freskët historike, sfidat e paadresuara të kaluarës, zgjidhjet e pakryera ose pjesërisht të kryera midis shteteve bilateralisht dhe në nivel rajonal, dallimet e mprehta dhe të fryra artificialisht kulturore dhe fetare, diferencat në zhvillimet arsimore e social-ekonomike, fragmentimet zhvillimore dhe infrastrukturore, dobësitë e thella politike e diplomatike dhe ndikimet kontradiktore gjeopolitike, gjeoekonomike edhe gjeokulturore. Më shumë sesa një pikë-afrimi ndërmjet diversiteteve Evropiane, Ballkani ngjan me një pikë-ndarje të periferive Evropiane.
2. Prapa incidenteve qëndrojnë ksenofobitë
Në harkun kohor të dhjetë viteve të fundit në Ballkan janë rritur incidentet e rënda dhe shpesh tragjike me baza ksenofobinë ndërmjet popujve. Përplasjet nëpër stadiume e ndeshje sportive, konfrontimet në mjediset të ndryshme shoqërore, ballafaqimet e dhunshme nëpër parlamente, evente dhe mjedise mutietnike dhe deri tek vrasjet me baza politike, etnike dhe fetare kanë ndodhur në Serbi, Greqi, Maqedoni, Shqipëri, Mal të Zi, Bosnje e Hercegovinë dhe Kosovë.
Pavarësisht nga vendi, koha, rrethanat apo grupet e individëve të përfshirë në këto dukuri, e përbashkëta e të gjithë rasteve Ballkanike mbetet karakteri i njëjtë thellësisht ksenofobik i tyre. Në Ballkan frymës së trashëguar ksenofobie i fryjnë edhe forca e qarqe politike, institucione hije dhe paralele si dhe media e individë me ndikim shoqëror e opinional lokal, kombëtar dhe rajonal. Më tipik ky fenomen është në Greqi, ku era e fashizmit është e dukshme edhe në politikë dhe media.
3. Evropa e Ballkani – qasje nga lart
Përballë këtij realiteti të përkeqësuar ksenofobik në Ballkan, që shpreh nivelit problematik të marrëdhënieve ndërmjet popujve ose njerëzve, Qeveritë dhe diplomacitë Ballkanike mendojnë, deklarohen dhe veprojnë me retorika të lodhshme e shpesh të neveritshme, që ngjajnë si plagjiatura “copy-paste” të Bashkimit Evropian dhe diplomacisë së tij. Është një qasje nga lart-poshtë që ka së paku një shekull që dështon në Ballkan. Retorika Evropiane në mjediset Ballkanike është si arnë e re në një thes të grisur.
Ndonëse Ballkani dhe Evropa ndajnë përvojat e disa luftërave botërore dhe rajonale së bashku, ndonëse Ballkani dhe Evropa në marrëdhëniet ndërmjet tyre njohin më shumë dështime se fitore, ndonëse Ballkani dhe Evropa janë sa afër aq edhe larg midis tyre- sërish, duket se nuk kanë nxjerrë mësime të mjaftueshme nga luftërat, dështimet dhe ndarjet midis tyre.
Qeveritë, politikat dhe diplomacitë Ballkanike po shkëputen sërish nga dinamikat në realitetet e tyre. Ato mblidhen në samite, në projekte dhe procese, vishen me ‘dress-code’, lëshojnë retorika nacionaliste për konsum politik lokal dhe retorika moderne për konsum politik Evropian, shtrëngojnë duart dhe garojnë me buzëqeshje përpara medieve, ndërkohë që shijojnë ushqimet e rënda dhe pijet e forta alkoolike tradicionale Ballkanike.
Sikur nuk mjaftojnë ‘alienët’ Ballkanik, institucionet e BE, politikat dhe diplomacia e Brukselit vazhdojnë t’i qasen si ‘satelitor’ dinamikave kontroverse të mjediseve popullore e njerëzore të këtij rajoni. Të krijohet perceptimi se midis qeverive, politikave dhe diplomacive Ballkanike dhe Evropiane po fosilizohet një qasje e njëjtë nga lart-poshtë përkundër realiteteve të kryqëzuara rajonale.
Mirëpo ksenofobitë kanë rrënjë të thella nga poshtë. Adresimet e qasjet nga lart nuk i shuajve madje as nuk u reduktojnë ato. Ksenofobitë janë realitete njerëzorë, janë marrëdhënie popujsh dhe sfida grupesh të ndryshme shoqërore. Ndërkohë qasjet nga lart-poshtë Euro-Ballkanike janë marrëdhënie politiko-diplomatike e shpesh tekno-burokratike. Midis këtyre elitave ‘aliene’ Ballkanike dhe elitave ‘stelitore’ Evropiane nga lart dhe popujve dhe njerëzve të zvarritur nga poshtë po thellohet hendeku, cili po mbushet vetëm e vetëm me ksenofobi, pra frikë, urrejtje dhe armiqësi ndërmjet popujve dhe njerëzve.
4. Evropa dhe Ballkani përballë sfidave nga poshtë
Qasja nga lart-poshtë është provuar e dështuar mese njëherë në Ballkan, Evropë dhe në marrëdhëniet ndërmjet tyre. Qasja nga lart-poshtë nuk e vë gishtin mbi plagët e së kaluarës dhe mbi sfidat e të sotmes as në Evropë, as në Ballkan dhe as në marrëdhëniet ndërmjet tyre. Qasja nga lart-poshtë është eksperimentale, laboratorike, ireale e verbër.
Përballë kësaj qasje, popujt dhe njerëzit në Evropë po rendin mbas nacionalizmave, populizmave, racizmave me pasoja të njohura historikisht, ndërkohë popujt dhe njerëzit në Ballkan, të ndjerë si të braktisur dhe të harruar po i kthehen zakoneve të vjetra, qasjeve të së kaluarës, revansheve të kobshme dhe armiqësive të frikshme.
Evropës dhe Ballkanit, ku më shumë dhe ku më pak, po i vërtiten mbi koka hijet e errëta dhe kërcënuese të ksenofobive. Por efektet e këtyre hijeve në këto dy mjedise të Kontinentit tonë janë të ndryshme. Nëse në Evropë paqja e stabiliteti, demokracia dhe prosperiteti përbëjnë baza të qëndrueshme që zbusin dhe neutralizojnë efektet e ksenofobive, në Ballkan paqja e stabiliteti i paqëndrueshëm, demokracia e brishtë dhe ekonomitë e varfra përbëjnë terrene të paqëndrueshme mbi të cilat efektet e ksenofobive mund të jenë të kobshme për rajonin dhe mbarë Evropën.
Ksenofobitë janë patologji sociale. Janë sëmundje të transmetueshme. Janë viruse ngjitëse. Nëse nuk parandalohen dhe mjekohen atje ku lindin, ksenofobitë zgjerohen si rrathë koncentrikë që përfshijnë mbarë njerëzimin. Luftërat botërore dhe rajonale, politike e fetare e provojnë këtë.
Disa jetë njerëzish të thjeshtë shqiptare në Greqi humbën jetën pak ditë më parë nga ksenofobitë. Ishin njerëz të thjeshtë, emigrantë, por që kanë lënë pas kambana të mëdha alarmi. Kambanat e një realiteti Ballkanit që nuk ka zero, por një mal problemesh me fqinjët. T’i ndalojmë ksenofobinë qysh në rastet e pakta e tyre, në të kundërtën mortaja e tyre do depërtojë nëpër shtëpitë tona. Atëherë do jetë shumë vonë. Historia do ringjallet përsëri, ndoshta edhe më e kobshme.