Joachim Hoppe merr mandatin e drejtorit të ri të NALT-it
Në Ministrinë e Mbrojtjes të premten është mbajtur ceremonia e transferimit të autoritetit të drejtorit të Ekipit Këshillues dhe Ndërlidhës të NATO-s, respektivisht drejtorit në shkuarje, gjeneralit Jorg Ruter te drejtori në ardhje i NALT-it, gjeneralit Joachim Hoppe.
Enkas për këtë ceremoni e pranishme ishte edhe shefja e Operacioneve Aktuale në Divizionin e Operacioneve të Shtabit të Përgjithshëm të NATO-s, Ariella Viehe, autoritet ky të cilit i subordinohet NALT-i.
Me këtë rast, të pranishmëve të shumtë vendorë dhe ndërkombëtarë me fjalime iu djretuan Viehe, ministri Mehaj, gjeneral Ruter dhe gjeneral Hoppe.
Viehe dhe Mehaj vlerësuan lart lidershipin e gjeneralit Ruter gjatë mandatit të tij, në cilësi të drejtorit të NALT-it.
Ministri Mehaj ka folur për rezultatet konkrete të arritura në fusha të ndryshme në funksion të ndërtimit dhe zhvillimit të vazhdueshëm të kapaciteteve të Ministrisë së Mbrojtjes dhe FSK-së.
Ndërkaq në fjalën e tij, gjeneral Ruter ka shprehur përshtypjet më të mira për të arriturat e deritashme të ministrisë dhe të FSK-së, nivelin e lartë të bashkëpunimit të tij me ministrin Mehaj dhe gjeneral Jasharin, si dhe gjithë stafin të tij me autoritetet e tjera vendore.
Në vazhdim Viehe, ministri Mehaj dhe gjenerali Jashari i dhanë medalje zyrtare gjeneralit Ruter, me motivacionin më të lartë për shërbimin e shquar, lidershipin profesional dhe angazhimin vetëmohues.
Në fund, pas pranimit të autoritetit, të pranishmëve iu drejtua gjeneral Hoppe, i cili shprehu gatishmërinë e tij dhe vullnetin e plotë për t’i vazhduar sukseset e pararendësit të tij.
Gjithashtu, ai ka theksuar se bashkëpunimi i mirë dhe sistematik në mes ekipit të tij dhe autoriteteve të Ministrisë dhe FSK-së do të jenë prioritete kryesore gjatë mandatit të tij.