‘Joe Biden do vendosë sanksione ndaj çdo politikani që kërkon bashkimin Kosovë-Shqipëri’
Në një raport të botuar ditën e sotme nga Instituti amerikan i Politikës së Jashtme amerikane ‘John Hopkins’ thekson se administrata e presidentit Joe Biden do të ndërmarrë sanksione ndaj çdo lideri politik në Shqipëri dhe në Kosovë, i cili bën thirrje për krijimin e Shqipërisë së Madhe.
Raporti i cili shpjegon situatën në Ballkan, veçanërisht marrëdhëniet midis Kosovës dhe Serbisë, saktëson midis të tjerave se çdo përpjekje për të bërë thirrje apo promovuar krijimin e Shqipërisë së Madhe apo bashkimin midis dy vendeve do të shoqërohet me sanksione.
“Zbatimi i hapave të administratës Biden, duke përfshirë emërimin e të dërguarit Special për Njohjen e Kosovës”, së bashku me paralajmërimin e shprehur të SHBA-së për të sanksionuar çdo lider në Shqipëri apo Kosovë që promovon apo bën thirrje për ‘bashkim’ mes të dyve vendeve të pavarura”, thuhet në raport.
Në raport shpjegohet qasja që ka Perëndimi ndaj Kosovës dhe situatës në Ballkan, duke theksuar se shtetet e BE-së që nuk e kanë njohur ende Kosovën, nëse ndryshojnë qëndrim përbëjnë çelësin e stabilitetit rajonal.
Kjo bën që Beogradi dhe Prishtina të lëvizin nga pozicionet e tyre. Raporti vë në dukje se Perëndimi po punon me Greqinë që ajo të njohë Kosovën dhe kjo do t’i hapte rrugën Kosovës për të qenë më pas edhe anëtare e NATO-s.
Gjithashtu raporti ngre alarmin për ndikimin rus dhe atë kinez në Ballkan. “Rritja e ndikimit rus dhe kinez në rajonin e Ballkanit është alarmante”, shkruhet në raport.
Më tej shpjegohet se Kosova mund të shënojë pikën përfundimtare të shpërbërjes së ‘Jugosllavisë’ që vjen vetëm përmes njohjes së saj nga vendet e mbetura të NATO-s dhe BE-së.
“Në thelb të strategjisë është: shpërbërja e dhunshme e Jugosllavisë prej tre dekadash mund të përfundojë aty ku filloi, në Kosovë. Ky pretendim vlen për krizën që vijon të mbajë të ngërthyer Bosnje-Hercegovinën. Sanksionet e forta të SHBA-së të vendosura në fillim të janarit 2022, edhe nëse shtrihen në një gamë më të gjerë figurash të korruptuara në vend, nuk do të shërojnë paralizën e Bosnjes prej dekadash. Nga ana tjetër, njohja e Republikës së Kosovës nga katër anëtarët e NATO-s si Spanja, Sllovakia, Rumania dhe Greqia – do të transformonte Dialogun e udhëhequr nga BE-ja ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës, dhe të gjithë rajonit, duke përfshirë edhe Bosnje-Hercegovinën. Të bindësh këto katër shtete – dhe një të pestë, Qipron, e cila është anëtare e BE-së, por jo e NATO-s – për të njohur Kosovën nuk është aq e lehtë. Kjo do të kërkojë një përpjekje të vendosur nga administrata Biden, së bashku me aleatët kryesorë, për të bindur ata që nuk e njohin që të ndryshojnë qëndrimin e tyre”, thuhet më tej në raport.