Joe Biden nënshkruan urdhrin për zgjatjen e gjendjes së jashtëzakonshme në Ballkanin Perëndimor
Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Joe Biden, më 13 qershor, ka nënshkruar zgjatjen edhe për një vit të urdhrit ekzekutiv për gjendje të jashtëzakonshme në Ballkan, meqë ka vlerësuar se situata në Ballkan vazhdon të përbëjë kërcënim për sigurinë kombëtare dhe politikën e jashtme të SHBA-së.
Urdhri ekzekutiv u miratua për herë të parë më 26 qershor 2001, nga ish-presidenti George W. Bush, pas luftërave në Ballkan.
“Veprimet e personave që kërcënojnë paqen dhe përpjekjet ndërkombëtare për stabilizim në Ballkan, duke përfshirë aktet e dhunës ekstremiste dhe aktivitetet përçarëse, dhe situata në Ballkan, e cila pengon përparimin drejt qeverisjes efektive dhe demokratike dhe integrimit të plotë në institucionet transatlantike, vazhdojnë të paraqesin një kërcënim të pazakontë dhe të madh për sigurinë kombëtare dhe politikën e jashtme të SHBA-së”, thuhet në urdhrin e nënshkruar Biden.
Tutje thuhet se janë zbatuar dispozitat e Ligjit për Kompetencat Ndërkombëtare të Emergjencave Ekonomike, për t’i trajtuar “kërcënimet e pazakonta dhe të jashtëzakonshme për sigurinë e vendit dhe politikën e jashtme të SHBA-së”.
Thuhet se këto masa i referohen Maqedonisë së Veriut, shkeljes së Marrëveshjeve së Dejtonit në Bosnje e Hercegovinë apo Rezolutës 1244 të Kombeve të Bashkuar për Kosovën.
Presidenti i SHBA më pas e ndryshoi atë urdhër me “Urdhrin Ekzekutiv 13304” më 28 maj 2003, për të ndërmarrë hapa shtesë në lidhje me veprime të caktuara që pengojnë zbatimin, ndër të tjera, të Marrëveshjes Kornizë të Ohrit të vitit 2001 në lidhje me Maqedoninë e Veriut.