Joe Biden viziton Hawaii-n që po përballet me dëmet ‘shkatërruese’ nga zjarri
Presidenti Joe Biden ka vizituar Hawaii-n pas shqyrtimit të përgjigjes së administratës së tij ndaj fatkeqësisë më të keqe natyrore të shtetit.
Ai mbërriti në Maui të hënën, 13 ditë pas zjarrit më vdekjeprurës në SHBA në më shumë se një shekull.
Biden dhe Zonja e Parë Jill Biden vizituan rrënojat e djegura të qytetit të Lahaina.
Të paktën 114 persona kanë vdekur dhe 850 persona janë ende të zhdukur.
Guvernatori i Havaii-t ka thënë se shumë nga viktimat mund të jenë fëmijë.
“Për aq kohë sa të duhet, ne do të jemi me ju”, ka thënë Biden, i cili foli për rreth 10 minuta mes rrënojave. “I gjithë vendi do të jetë me ju”.
“Vendi është i pikëlluar, qëndron me ju dhe do të bëjë gjithçka që është e mundur për t’ju ndihmuar të shëroheni”, ka shtuar ai.
Ai e ka përshkruar shkatërrimin e zjarrit si “dërrmues”.
Por presidenti dhe agjencitë federale që ai mbikëqyr janë vënë nën kritika nga banorët, të cilët thonë se ndihma ka qenë e pamjaftueshme dhe e organizuar keq.
Republikanët kanë udhëhequr kritikat ndaj presidentit demokrat se ka qenë në dy pushime që nga zjarri që ra më 8 gusht.
Për të vizituar Hawaii-n, Biden ndaloi pushimet e tij aktuale në Liqenin Tahoe në Nevada, ku ka marrë me qira një shtëpi që i përket një donatori demokrat, sipas Shtëpisë së Bardhë.
Kur u pyet për numrin në rritje të vdekjeve më 13 gusht, ndërsa ai ishte në një plazh të Delaware, Biden ka thënë vetëm “pa koment”.
Shtëpia e Bardhë ka thënë se Biden e vonoi udhëtimin e tij në zonën e fatkeqësisë në mënyrë që të mos shpërqendrohej nga operacionet e rimëkëmbjes.
Presidenti lëshoi një deklaratë fatkeqësie të madhe më 10 gusht për të përshpejtuar financimin dhe ndihmën federale për zonën.
Agjencia Federale e Menaxhimit të Emergjencave ka bërë me dije se më shumë se 1 mijë reagues federalë janë tani në terren në Hawaii.
Ndërkohë edhe zyrtarët lokalë janë përballur me kritika.
Shefi i menaxhimit të emergjencave të Maui dha dorëheqjen javën e kaluar pasi agjencia u përball me reagime për dështimin për të aktivizuar sistemin e alarmit pas zjarrit.
Deri më sot, 27 nga të vdekurit janë identifikuar dhe 11 familje janë njoftuar, sipas kryebashkiakut të qarkut Maui, Richard Bissen.
Bissen ka thënë se në disa aspekte, shifra e 850 të zhdukurve ishte “lajm pozitiv” sepse shënoi një rënie nga më shumë se 2 mijë të pagjetur në pasojat e menjëhershme të zjarreve.
Sakaq, familjarëve të të zhdukurve u është kërkuar të japin një mostër të ADN-së për të ndihmuar në kërkimin e rikuperimit.
Ekspertët kanë thënë ndërkaq se gjetja dhe identifikimi i viktimave mund të zgjasin me muaj apo edhe vite duke pasur parasysh përmasat e shkatërrimit dhe gjendjen në të cilën ka të ngjarë të gjenden shumë prej tyre.