John Bolton: BE-ja s’mund ta zgjidhë problemin e Kosovës me Serbinë, propozimi franko gjerman e vazhdon status quon – ja pse isha për shkëmbim të territoreve
Janë dy çështje të pakapërcyeshme për ta zgjidhur përfundimisht problemin mes Kosovës dhe Serbisë, thotë John Bolton, ish-këshilltar për Siguri Kombëtare në Shtetet e Bashkuara të Amerikës gjatë administratës së Donald Trump, në një intervistë ekskluzive për Albanian Post.
E para vjen në formën e një pyetje deklaron ai: “A është e ardhmja më e rëndësishme se e kaluara?”.
Dhe e dyta, e pashmangshme sipas Bolton, është se propozimi, apo ideja për zgjidhje finale duhet patjetër të burojë nga vetë palët dhe jo nga ndonjë faktor i jashtëm – qoftë Bashkimi Evropian, qoftë Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Prandaj, Bolton pohon se “mospajtimet e së kaluarës nuk do të zgjidhen nga këto negociata në Bashkimin Evropian”.
“Nuk janë zgjidhur tash e 20 vjet”, kujton ai kohën e gjatë të përfshirjes së Kosovës e Serbisë në negocime në Bruksel.
Duke folur për takimin e fundit tetorësh ku u takuan kryeministri, Albin Kurti e presidenti serb, Aleksandër Vuçiç me ndërmjetësuesit e BE-së, Josep Borell e Miroslav Lajçak, Bolton deklaron se vetë fotografia e takimit i tregon të gjitha.
“Imazhi që më ka mbetur mua në mendje nga sot është që në njërën anë është kryeministri Kurti në anën tjetër presidenti Vuçiç dhe në krye të tavolinës Bashkimi Evropian. Thjesht kjo nuk kryen punë. Fotografia që duhet të shohim është dy liderët dhe askush tjetër në dhomë”, thotë Bolton në këtë intervistë për Albanian Post, të parën për një media shqiptare.
Në anën tjetër, duke i qëndruar mendimit të tij se propozimet nga jashtë nuk kanë sukses, parasheh që edhe propozimi i fundit franko-gjerman do ta ketë të njëjtin fat.
“Ky propozim pak a shumë e ngrinë status quon për të ardhmen”, fillon analiza e Bolton.
“Nëse thjesht po kërkoni një stabilitet të përkohshëm në terma afatshkurtër – që është bash stili i BE-së për t’iu qasur çështjeve – atëherë mbase ka kuptim, por nëse po kërkoni për zgjidhje të përhershme, atëherë qartësisht kjo nuk do kryejë punë”.
Prandaj, në vitin 2018, ai ishte bërë ithtar i një ideje tjetër, asaj për shkëmbimin e territoreve në mes të Kosovës dhe Serbisë.
Sepse, ndryshe nga propozimet e tjera, kjo ide vinte nga vetë liderët thotë Bolton, ose të paktën ashtu iu kishte prezantuar atij.
“Unë më pas pata folur me të dy liderët, Thaçin dhe Vuçiç-in dhe ata ishin të gatshëm ta provonin, sepse nuk më takon mua si një i jashtëm të vij me një zgjidhje perfekte, u takon vetë palëve. Besova se ia vlente të provohej, më vjen keq që nuk funksionoi”.
Kundërshtar të asaj ideje – përveç kundërshtimeve të brendshme – ishin edhe disa liderë evropianë.
Bolton i ka disa ide pse.
Një nga arsyet, thotë ish-ambasadori i SHBA-ve në Organizatën e Kombeve të Bashkuara, ishte frika se po të ndodhte mes Kosovës dhe Serbisë mund të prodhonte një cikël zhvillimesh në Ballkan.
Por, arsyeje tjetër, sipas Balton, ishte se “evropianët u irrituan që amerikanët ishin të përfshirë në këtë çështje”.
Intervista e plotë e Albanian Post me John Bolton, ish-këshilltar i sigurisë kombëtare të SHBA-ve dhe ish-ambasador i SHBA-ve në OKB.
Albanian Post: Këtë të hënë kishim një takim në Bruksel në mes të kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, presidentit të Serbisë, Aleksandër Vuçiç dhe ndërmjetësuesve të Bashkimit Evropian, Josep Borell dhe Miroslav Lajçak. Nuk u arrit marrëveshje sa i përket çështjeve të targave ilegale të Serbisë në Kosovë. A e keni përcjellur këtë zhvillim, cili është mendimi juaj për takimet e sotme dhe qasjen e BE-së në përgjithësi? Në të kaluarën keni qenë kritik me qasjen e BE-së.
John Bolton: Mendoj se vështirësitë e zgjidhjes së çështjeve në mes të Kosovës dhe Serbisë janë të një natyre që derisa të jashtmit mund të ofrojnë ide e propozime, fundamentalisht kjo është një çështje që duhet ta vendosin vetë dy palët që janë në mospajtim dhe kryesorja, duhet të vendosin se e ardhmja është më e rëndësishme se e kaluara.
Kjo nuk ka të bëjë me Kosovën, nuk ka të bëjë me Serbinë, ka të bëjë me këtë lloj natyre të mospajtimeve që janë shumë të thella, që janë ndjerë shumë fuqishëm nga të dyja palët. Askush nuk ka ndonjë iluzion që këto janë pyetje të lehta për t’iu dhënë zgjidhje. Por, perspektiva e palëve duhet të jetë asistoj që e shohin të ardhmen më të rëndësishme se të kaluarën.
Këto mospajtime të së kaluarës nuk do të zgjidhen nga këto negociata (në BE). Nuk janë zgjidhur tash e 20 vjet. Shumë njerëz të zotët kanë provuar aq shumë për t’i zgjidhur këto çështje dhe kanë dështuar.
Pra, mënyra se si lëvizet përpara është që faktikisht ta ndërroni faqen. Tani le të marrim këtë çështjen e targave, sepse me sa kam kuptuar nga shumë njerëz nuk është një çështje e vogël. Është një çështje e ushtrimit të autoritetit nga Serbia brenda Kosovës. Serbët thonë që s’është qëndrim i sovraniteti, janë thjesht targa të vjetra. As Shtetet e Bashkuara të Amerikës as Bashkimi Evropian nuk do ta zgjidh këtë çështje për Kosovën e Serbinë. S’ka asnjë lloj kreativiteti nga jashtë rajonit që do t’i jap zgjidhje.
Zgjidhja do të vijë nëse kryeministri i Kosovës dhe presidenti i Serbisë e kanë kapacitetin politik brenda vendeve të tyre dhe të thonë se cilado qoftë çështja, ne do lëvizim përpara. Siç e thatë edhe ju, sot nuk u duk se (ky kapacitet politik) u gjet, s’do të thotë që nuk do të gjendet në të ardhmen, por fotografia që më ka mbetur mua në mendje nga sot është që në njërën anë është kryeministri Kurti në anën tjetër presidenti Vuçiç dhe në krye të tavolinës Bashkimi Evropian. Dhe, thjesht dua të them që kjo nuk kryen punë.
Fotografia që duhet të shohim është dy liderët dhe askush tjetër në dhomë.
Albanian Post: Kohëve të fundit është ofruar një propozim i ashtuquajtur franko-gjerman, që i përngjan modelit të dy-Gjermanive për të arritur një marrëveshje finale. Cili është mendimi juaj, a është një zgjidhje e mirë ky propozim, me aq sa keni arritur ta përcillni se çfarë përmban ai? A do funksionojë?
John Bolton: Mbase do të mund të funksiononte, mua më ngjan familjar kur shoh prapa, para disa vitesh. Por, prapë, fundametalisht, nëse kjo do jetë e pranueshme për serbët dhe kosovarët varet nga ta.
Por, ky propozim pak a shumë e ngrinë status quon për të ardhmen. Mbase ofron hapësirë për negocim, por nuk është zgjidhje e njëmend e problemit. Ndarja e Gjermanisë nuk ishte zgjidhje e problemit. Ndarja e Koresë nuk ishte zgjidhje e problemit.
Nëse thjesht po kërkoni një stabilitet të përkohshëm në terma afatshkurtër – që është bash stili i BE-së për t’iu qasur çështjeve – atëherë mbase ka kuptim, por nëse po kërkoni për zgjidhje të përhershme, atëherë qartësisht kjo nuk do kryejë punë.
Albanian Post: Në vitin 2018 ju keni përkrahur një ide tjetër, atë të shkëmbimit të territoreve, apo ri-përcaktimit të kufijve, a mund të na tregoni se si iu prezantua juve, përse nuk u jetësua dhe çfarë mendoni sot për të?
John Bolton: Unë fillimisht kam dëgjuar për këtë ide nga ish-kryeministri i Britanisë së Madhe Tony Blair, që erdhi të më shohë në Shtëpinë e Bardhë. Ai është takuar me liderët e Kosovës dhe të Serbisë dhe tha që mbase kjo është një mundësi shumë e mirë. E pa se të dyja palët po lëviznin nga pozicionet e tyre paraprake, mendonte se të dyja palët do ta kenë vullnetin politik dhe fuqinë politike për ta bërë.
Por, kishte kritika edhe në të dyja vendet edhe nëpër Ballkan, sepse përfshinte pikëpamjet se edhe kufij të tjerë nuk ishin aq stabilë sa do të duhej të ishin, por unë pata besuar se ia vlente rrisku nëse dy liderët do ta bënin.
Unë më pas pata folur me të dy liderët, Thaçin dhe Vuçiç-in dhe ata ishin të gatshëm ta provonin, sepse nuk më takon mua si një i jashtëm të vij me një zgjidhje perfekte, u takon vetë palëve.
Pra, besova se ia vlente të provohej, më vjen keq që nuk funksionoi. Por, ndoshta do të ketë ndonjë qasje tjetër kreative që do ta shohim në të ardhmen. Por, së paku, në atë pikë, u tregua se ekziston mundësia për një zgjidhje të përhershme.
Albanian Post: Keni ndonjë ide pse dështoi?
John Bolton: Po. Besoj se edhe në Kosovë edhe në Serbi doli se nuk ishte vullneti politik i mjaftueshëm. Edhe pse, do të thosha, përshtypja ime është se kryesisht ishin mospajtimet e brendshme në Kosovë. Nuk po vë faj tek askush dhe e përsërisë nuk po them se ishte e lehtë, por doli se nuk ishte momenti i duhur politik brenda politikës kosovare.
Albanian Post: Kishte edhe liderë evropianë që ishin kundër kësaj ideje?
John Bolton: Ishin kundër për dy arsye. E para, nuk u pëlqente ideja e ndryshimit të kufijve. E kuptoj se ky është një shqetësim politik. Por, nuk do të ishte problem nëse secili do ta kuptonte se do të ishin dy palët mospajtuese që po bënin një zgjidhje të veçantë. Mendoj se është gabim ta projektosh se çfarë ndodhë në një situatë, automatikisht ndodhë edhe në tjetrën. Por mendoj se ky ishte një faktor, thjesht nuk iu pëlqente ideja e ndryshimit të kufijve.
Dhe arsyeja e dytë ishte se ata ishin të irrituar që amerikanët ishin të përfshirë në këtë çështje.
Albanian Post: Por, tani ata vetë po kërkojnë nga amerikanët që të përfshihen…
John Bolton: Eh po kjo tregon se njerëzit mund të mësojnë nga historia. Por, çfarë mund të them është se interesi i SHBA-ve këtu është që palët të arrijnë marrëveshje. Jo t’u imponohet një marrëveshje. Por arsyeja që unë mendoj se është e rëndësishme, përtej dy palëve të gjejnë një zgjidhje, është se reduktohet mundësia që forca të tjera – dhe me forca të tjera mendoj Rusia – të peshkojë në ujëra të turbullt.
Albanian Post: Cili është mendimi juaj për qasjen e administratës së re të SHBA-ve në Ballkan?
John Bolton: Problemi është se nuk kanë ndonjë qasje. Mendoj se është shumë e zënë me luftën në Ukrainë. Ka gjithashtu dobësi në mbështetjen e NATO-s për Ukrainën. Rusët në anën tjetër janë aktivë aq sa mund të jenë për të dobësuar unitetin perëndimor. Nuk mendoj se po bëjmë si duhet as në Ballkan, nuk jam i sigurt se kemi vëmendjen në mënyrë adekuate, ky është një problem i vjetër, siç ju dhe lexuesit tuaj e dinë.
S’mund ta justifikoj këtë qasje, s’mund as të kërkoj falje, sepse s’jam pjesë e administratës, por mendoj se mungesa e vëmendjes u mundëson të tjerëve që nuk janë pro interesave amerikane, apo pro interesave të rajonit, që të futen dhe të bëjnë telashe. Fatkeqësisht, mendoj se kjo po ndodhë.
Albanian Post: Me këtë rol të Rusisë, a mendoni se ka rrezik për një konflikt në Ballkan?
John Bolton: Ky rrezik për konflikt do të jetë i pranishëm derisa të gjitha çështjet të zgjidhen. Mund të vazhdoni ta reduktoni rrezikun, por në një pikë kur rusët kanë invaduar një shtet jo anëtar të NATO-s, sepse menduan se mund t’ia hedhin paq, bazuar kryesisht në mosreagimin tonë kur sulmuan Gjeorgjinë në vitin 2008, dhe më pas sulmi i parë ndaj Ukrainës në vitin 2014.
Por, askush nuk duhet të mendoj se rusët do të jenë të kënaqur me atë që kanë në Ukrainë tani, madje janë shumë të palumtur. Edhe gjithë ajo pjesë e shteteve të ish-Bashkimit Sovjetik vazhdon të jetë në rrezik permanent, siç është Ukraina derisa ky agresion përfundimisht të mposhtet. Por, nëse njerëzit mendojnë se ka pasiguri për atë se cili do jetë rezultati në Ukrainë, kjo do të thotë se ka pasiguri edhe për atë që do të ndodhë në Ballkan gjithashtu. Prandaj, duhet t’i japim fund një herë e mirë, edhe në Ballkan.
Albanian Post: Pyetja e fundit, a e keni përcjellë punën e qeverisë dhe kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti? Cili është mendimi juaj për punën dhe qasjen e tij?
John Bolton: Me gjasë, bekimi apo kritika ime nuk do ta ndihmojë situatën në njërën apo tjetrën mënyrë. I jap kredit për përpjekjet që të gjejnë një zgjidhje me Vuçiç-in. Mendoj se nevojitet kreativitet nga të gjithë. Nuk dua të jem kritik, sepse as vetë nuk e kam një zgjidhje përfekte.
Por, e përsëris, kjo shkon shumë përtej një mospajtimi për çështje targash dhe ka shumë specifika të tjera.
Pyetja e madhe është: dëshiron të fitosh argumentet e të kaluarës, apo dëshiron t’i lësh ato pas në mënyrë që të fokusohemi në të ardhmen. Dhe kjo kërkon burrështetas, nuk mund ta fajësosh asnjërën palë këtu. Duhet lidership nga të dyja palët.