John Chandler, më i miri i javës së tretë në Superligën e Kosovës në basketboll
MVP i javës së tretë në Prince Caffe Superligën e Kosovës në basketboll ka shkruar për basketbollistin e Pejës, John Chandler.
Ai në derbin ndaj Trepçës ishte i jashtëzakonshëm me 39 pikë, pesë kërcime dhe tri asistime, duke pasur indeksin e javës 38.
Përndryshe, Peja ka triumfuar në derbin e javës së tretë të Prince Caffe Superligës, duke mundur Trepçën me shifrat 92:80 (27:16, 18:16, 25:24, 22:24), duke vazhduar me fitore, që ishte e treta nga tri ndeshje, kurse humbja e parë për mitrovicasit pas dy fitoreve radhazi.
Pas një fillimi të barabartë, vendasit janë shkëputur në 27:16, duke e fituar çerekun e parë, ndërsa kanë vazhduar me lojë të mirë edhe në periudhën e dytë, ku kishin epërsi deri në 19 pikë, 36:17, por sidoqoftë, mitrovicasit janë rikthyer për të afruar rezultatin në 41:32. Megjithatë, skuadrat kanë shkuar në pushim me rezultat 45:32.
Në periudhën e tretë është zhvilluar lojë me kthesa, ku pejanët kanë rritur epërsinë në 68:48, e më pas mitrovicasit i kanë ngushtuar shifrat, kurse rezultati në semafor pas 30 minutash ishte 70:56. Përkundër përpjekjeve të mysafirëve, Peja e ka menaxhuar epërsinë dhe ka triumfuar 92:80.
Më i merituar te Peja për këtë fitore ishte John Chandler me 39 pikë, pesë kërcime e tri asistime, kurse te Trepça më i dalluari ishte Kevin Davis me 28 pikë, shtatë kërcime dhe tri asistime.