Johnson mohon ndalimin e eksportit të vaksinave
Kryeministri britanik, Boris Johnson, i hodhi poshtë pohimet e presidentit të Këshillit Evropian, Charles Michel, se Britania i ka ndaluar eksportet e vaksinave kundër koronavirusit.
Johnson tha se Britania e kundërshton nacionalizmin mbi vaksinat “në të gjitha format e tij”.
Duke iu adresuar Parlamentit britanik, Johnson kërkoi edhe nga ligjvënësit t’i kundërshtojnë pretendimet e Brukselit.
“Ne mund të jemi krenarë për mbështetjen që Mbretëria e Bashkuar i ka dhënë përgjigjes ndërkombëtare kundër koronavirusit. Andaj, dua t’i korrigjoj sugjerimet e presidentit të Këshillit Evropian se Mbretëria e Bashkuar i ka bllokuar eksportet e vaksinave”, tha Johnson.
“Më lejoni të jem i qartë: ne nuk kemi bllokuar eksportin e ndonjë vaksine e as të përbërësve të vaksinës”, theksoi ai.
Autoritetet britanike thirrën të mërkurën një zyrtar të BE-së në Zyrën e Jashtme, për të shpjeguar deklaratat e Michelit.
Michel tha të martën se “Mbretëria e Bashkuar dhe Shtetet e Bashkuara kanë vendosur ndalesa të plota mbi eksportin e vaksinave ose të përbërësve të vaksinave, që prodhohen në vendet e tyre”.
Argumentet vijnë në kohën kur udhëheqësit evropianë janë nën presion për shpërndarje të ngadalshme të vaksinave.
BE-ja është përballur me probleme furnizimi me prodhuesit Pfizer/BioNTech, Moderna dhe Oxford/AstraZeneca.
Në Mbretërinë e Bashkuar, ndërkaq, më shumë se 22.5 milionë njerëz – rreth një e treta e popullsisë – kanë marrë dozën e parë të vaksinës./rel/