Johnsoni: Koronavirusi ka shkaktuar katastrofë
Kryeministri britanik, Boris Johnson, e ka përshkruar krizën e koronavirusit si “katastrofë” për Mbretërinë e Bashkuar, por ka thënë se tani nuk është koha për të hetuar atë që mund të jetë bërë keq.
“Kjo është një katastrofë. Mos t’i zbusim fjalët tona. Ka qenë një makth absolut për vendin dhe vendi ka përjetuar një tronditje të thellë”, ka thënë Johnsoni për “Times Radio” në Britani.
Ai ka thënë se qeveria detyrohet t’iu japë shpjegim të gjithë atyre që kanë vuajtur.
“E kuptoj plotësisht këtë dhe do ta bëjmë. Megjithatë, mendoj se tani nuk është momenti që të përqendrojmë sasi të madhe të kohës zyrtare në këtë”, ka thënë Johnsoni.
Mbretëria e Bashkuar është e pesta në botë sa i përket numrit të të infektuarve me koronavirus: mbi 312 000 raste.
Ajo është e para në Evropë me numër të viktimave: mbi 43 600.
Gjatë krizës me koronavirus, afro nëntë milionë punëtorë, ose më shumë se një e katërta e fuqisë totale punëtore, kanë humbur përkohësisht vendet e punës në Britani.
Kjo i ka kushtuar shtetit mbi 24 miliardë funta.
Vetë Johnsoni ka qenë i infektuar me koronavirus dhe për shërimin e tij është dashur të qëndrojë në kujdes intensiv.