Jon Muqolli flet pas debutimit të Kosovës në Botëror
Kosova U21 në hendboll ka debutuar në Kampionatin Botëror.
“Dardanët” e rinj kanë pësuar humbje në ndeshjen e parë nga Kroacia (23-17), ndërsa kapiteni i Kosovës, Jon Muqolli ka thënë se të gjithë në përfaqësuese janë të lumtur me faktin se po marrin pjesë në Botëror.
“Që nga prilli kemi shijuar ndjenjën e paraqitjes në botëror. E kemi pasur këtë ndjenjë gjatë udhëtimit nga Prishtina në Frankfurt dhe nga Frankfurti në Vigo. Ishte e veçantë, është hera e parë që marrim pjesë dhe të gjithë jemi të lumtur dhe të buzëqeshur. E dimë për çka po luajmë dhe po e shijojmë këtë. Të dëgjojmë himnin tonë këtu, ishte disi ndryshe.
“Për Kosovën është hera e parë në një botëror dhe ishte kënaqësi të rreshtohemi për të luajtur ndaj një ekipi të fortë si Kroacia. Të gjitha ekipet në grupin tonë janë të forta. Para ndeshjes ndoshta kemi pasur shumë emocione, ndoshta më tepër se që duhet, pasi po paraqiteshim për herë të parë. Për mua ishte kënaqësi të flas me bashkëlojtarët dhe t’u them se çdo gjë do të jetë në rregull. E dimë që e gjithë Kosova na ka ndjekur. Të gjithë do të mundohemi të japim më të mirën këtu në Spanjë. Mendoj se nuk do të zhgënjejmë njerëzit tanë pasi do të japim më të mirën për të luajtur ndeshje të mëdha. Ne të gjithë vlerësojmë përkrahjen e tifozëve dhe shpresojmë se nuk do të dëshpërohen me ne”, ka thënë Muqolli.